Altin Lala, dëmtimi nuk është serioz
Dëmtimi i Altin Lalës nuk është aq serioz sa u mendua fillimisht. Kapiteni i Kombëtares shqiptare ndrydhi gjurin të martën, në seancën stërvitore me Hanoverin. Ky problem shkaktoi panik për gjendjen e 34-vjeçarit, që ishte rikthyer vetëm prej katër javësh pas një dëmtimi të gjatë. Por fatmirësisht, kontrollet mjekësore treguan se gjendja e mesfushorit është pozitive dhe ai mund të kthehet shumë shpejt në fushat e lojës. Lala ka zhvilluar stërvitje të diferencuar me vrapime, ndërsa trajneri Mirko Slomka nuk e ka përjashtuar mundësinë që shqiptari të jetë i grumbulluar për sfidën e sotme që Hanoveri do të luajë përballë Ajntrahtit të Frankfurtit, të vlefshme për javën e 26-të të Bundesligës. Kavajasi shihet si një element mjaft i rëndësishëm për skuadrën, e cila lufton për të mbijetuar në elitën gjermane.
#