E Diel, 1 Nëntor 2026

Çështja Mustafaj, një flluskë sapuni

Pretendimi Vllaznia ankimim zyrtar, problemi “lindi” prej Asamblesë

Vllaznia ka bërë ankimimin zyrtar për çështjen “Mustafaj”, duke shpresuar që Komisioni i Disiplinës në FSHF do t’u japë shkodranëve tri pikët në tavolinë. Pretendimi i kuqebluve është se aktivizimi i sulmuesit Erjon Mustafaj, në barazimin 0-0 përballë Shkumbinit ishte i parregullt. Kjo sepse lojtari ishte pezulluar me pesë javë (pas kartonit të kuq në ndeshjen me Tiranën, ku goditi me bërryl Andi Lilën) nga Disiplina. Edhe pse lojtari ishte falur nga Komiteti Ekzekutiv, drejtuesit e Vllaznisë mendojnë të “kapen” pas faktit se vendimi nuk kishte kaluar në zyrën e sektorit të garave. Megjithatë, në Federatën Shqiptare të Futbollit, hedhin poshtë çdo mundësi që peqinasit të kenë shkelur rregullat. Edhe pse kanë pranuar ankimimin për Disiplinën, zyrtarët e institucionit që drejton futbollin në vend kanë theksuar se Mustafaj u fal më 4 mars, një dokument i firmosur nga 8 anëtarë të KE-së dhe nga presidenti Armand Duka. Sipas tyre, problemi ka “lindur” prej faktit se në atë periudhë federata e kishte të pamundur për të punuar normalisht, pasi pjesa më e madhe e punonjësve ishin të angazhuar në organizimin e Asamblesë së zakonshme Zgjedhore. Kjo ka bërë që vendimi të mos transmetohej si duhej nga Ekzekutivi te sektori i garave, duke ngritur pretendimet e klubit shkodran, për të marrë fitoren në tavolinë.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›