E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ujkani: Euro 2012, çdo ndeshje si finale

Portieri kuqezi vazhdon rikuperimin pas operacionit, në fushë pas tri javësh

Me gjithë dëmtimin që e privoi nga miqësorja e 3 marsit me Irlandën e Veriut, Samir Ujkani ndihet pjesë e rëndësishme e Kombëtares shqiptare. Portieri flet për eliminatoret e Euro 2012, duke e cilësuar si mjaft të fortë Grupin D, ku kuqezinjtë e drejtuar nga Josip Kuzhe do të luajnë kundër Francës, Rumanisë, Bosnjës, Bjellorusisë dhe Luksemburgut. Për të arritur rezultatet dhe objektivat e kërkuara, 21-vjeçari mendon se çdo ndeshje duhet parë si një finale dhe nuk lejohen nënvlerësime. “Grupi në Euro 2012 është shumë i fortë, çdo ekip është i vështirë. Madje edhe Luksemburgu. Mendoj se duhet të punojmë me seriozitet dhe ta luajmë çdo ndeshje si të ishte finale. Normalisht që Franca është ekipi më i fortë i grupit, por sido që të shkojnë punët, Shqipëria duhet të jetë e përqendruar vetëm te rezultatet e saj, për t’u paraqitur sa më mirë dhe për të arritur rezultate pozitive”, deklaroi Ujkani.

Sipas “gardianit”, objektivat realë të përfaqësueses shqiptare duhet të jenë pozicionimi në vendin e tretë ose të katërt: “Besoj se nëse arrijmë të klasifikohemi në një prej këtyre pozicioneve, të gjithë do të jemi të kënaqur”. Nga FSHF-ja, të paktën në letër, Bjellorusia cilësohet si kundërshtarja direkte për përfaqësuesen shqiptare: “Mendoj se të gjitha skuadrat janë rivalet tona. Cila është më e përballueshme? Përveç Luksemburgut, normalisht duhet të lëmë mbrapa edhe njërën ndërmjet Rumanisë, Bosnjës ose Bjellorusisë”, tha ai. Eliminatoret për Shqipërinë do të startojnë me sfidën e 4 shtatorit në fushën e Rumanisë, një përballje që shihet si një shans i mirë për t’u “hakmarrë” për humbjen 6-1 më 21 nëntor 2007, në Euro 2008. Por Ujkani mendon ndryshe: “Ajo ndeshje është luajtur shumë kohë më parë, tani jemi në vitin 2010 dhe mendoj se duhet të shohim përpara. Parashikoj një sfidë shumë të fortë, ku si rumunët ashtu edhe ne do të kërkojmë fitore, për t’i nisur sa më mirë eliminatoret”. Në fund, i paevitueshëm edhe “ngacmimi” për rivalitetin e fortë në Kombëtare, për një vend mes shtyllave, ku Ujkani duhet të përballet me konkurrencën e Arjan Beqajt dhe Isli Hidit. “Më parë duhet të rikuperohem plotësisht dhe të pres ftesën e trajnerit. Normalisht që duhet të punoj shumë, pasi jemi tre portierë mjaft cilësorë, theksoi ai. Mua më jep gjithmonë kënaqësi grumbullimi në Kombëtare, por është trajneri ai që vendos se çfarë është më e mira për skuadrën. Pavarësisht faktit nëse luaj unë, Beqaj apo Hidi, më e rëndësishmja është fitorja e Shqipërisë”.

Dëmtimi në menisk e ka lënë portierin jashtë fushave, ndërsa rikthimi i tij në portën e Novarës është parashikuar pas tri javësh. “Operacioni kaloi dhe tani po stërvitem në palestër dhe pishinë. Ende nuk kam filluar vrapimet, pasi nuk dëshiroj të rrezikoj. Preferoj të jem në formë optimale, në mënyrë që mos të kem probleme të mëtejshme. Sipas programit të rehabilitimit dhe konsultave me mjekët e skuadrës, parashikohet që pas tri javësh të jem i gatshëm për të luajtur”, shtoi Ujkani, që foli edhe për të ardhmen: “Novara thuajse e ka mbyllur kampionatin: kanë mbetur edhe 8 javë dhe ne kemi 8 pikë më shumë se ndjekësja më e afërt. Në fund të sezonit do të takohem me drejtuesit e Palermos, ku do të vendoset nëse do të kthehem te sicilianët apo do të qëndroj te Novara e të luaj në Serinë B”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›