Rokadë trajnerësh te Partizani: Shkarkohet Bejzade, vjen Haxhiu
Ikën Skerdi Bejzade, te Partizani vjen Gerti Haxhiu. Gjithçka ndodh brenda pak orëve. Një rokadë e papritur trajnerësh në një moment kur skuadra e të kuqve po përjetonte një nga periudhat e saj më të mira në këtë sezon në Kategorinë e Parë. Lajmi u bë i njohur nga vetë klubi. Administratori i të kuqve, Paro Laçi, ka shkarkuar dje nga pankina lojtarin-trajner Skerdi Bejzade, me motivacionin “Shkelje e rregullores së klubit, duke u prononcuar në media pa marrë leje”. Gjithashtu, për këtë veprim, i konsideruar i ndaluar nga administratori Laçi, ish-trajneri Bejzade është gjobitur edhe me një rrogë. Por ende pa u ftohur situata, është gjetur edhe zgjidhja e njeriut që do të ulet në pankinë për pjesën e mbetur të sezonit. Brenda pak orëve pas shkarkimit të Bejzades nga stoli i kuq, në vend të tij është ulur zyrtarisht Gerti Haxhiu, ish-trajneri i Apolonisë, Bylisit dhe Skënderbeut. Një lëvizje e papritur në fakt kjo te Partizani, pas disa fitoreve radhazi. Por kjo tregon se situata e të kuqve nuk është edhe aq e qetë, sa ç’mund të pasqyrohet nga ecuria e mirë e skuadrës në këtë fazë të dytë të sezonit. Mosmarrëveshjet mes Xhanit dhe Laçit duket se janë transportuar edhe në skuadër. Në funksion të kësaj, administratori Laçi duket se ka nisur spastrimin e elementëve të mbështetur dhe të emëruar në drejtim nga Albert Xhani, i cili para pak ditësh ka humbur postin e presidentit të klubit, ndërkohë që vazhdon të mbetet vetëm aksioner. Bejzade ishte njëri prej këtyre, i caktuar si trajner nga Xhani në fillim të edicionit. Menjëherë pas shkarkimit ka reaguar edhe vetë Bejzade, i cili tashmë etiketohet ish-trajner. Ai nuk e ka mirëpritur këtë shkarkim qesharak, gjithsesi i uron pasardhësit punë të mbarë. “Kjo që po ndodh është qesharake. Në letrën që më kanë dhënë shkruhet se kam shkelur rregulloren e brendshme të klubit. Shkelja e kësaj rregullore konsiston në deklarimet e mia për shtyp. Nuk e di çfarë rregullore është kjo, por sipas tyre e kam shkelur. Gjithashtu për të njëjtën arsye gjobitem me një rrogë dhe me një pezullim pa afat kohore. Më vjen keq që po e lë këtë punë përgjysmë, pasi gjithçka po shkonte mirë dhe do më pëlqente ta çoja deri në fund. I uroj suksese kolegut tim Gert Haxhiu”, u shpreh Bejzade. është në pikëpyetje nëse ai do të vazhdojë të paktën karrierën e tij si lojtar i të kuqve. Objektivi i vënë ndaj Haxhiut është ngjitja e skuadrës në Kategorinë Superiore, aty ku edhe e ka vendin skuadra me numrin më të madh të tifozëve në Shqipëri. Për Partizanin bëhet fjalë për trajnerin e tretë sezonal, pasi në javët e para skuadrën e kuqe e drejtoi Eduard Zhupa, ky i fundit pas konflikteve me kapitenin Luan Pinari u zëvendësua nga Skerdi Bejzade.
#