E Shtunë, 31 Tetor 2026

Altin Lala e Arjan Beqaj jo në miqësoren me Azerbajxhanin

Altin Lala dhe Arjan Beqaj nuk do të jenë në dispozicion të Kombëtares për miqësoren e 19 nëntorit me Azerbajxhanin.

Dy “veteranët” kuqezi janë të dëmtuar dhe trajneri Ari Han ka vendosur që ata të mos udhëtojnë me pjesën tjetër të ekipit në Baku. Mesfushori i Hanoverit, që mban shiritin e kapitenit në përfaqësuese është i dëmtuar në shpinë dhe për këtë arsye nuk është aktivizuar as në Bundesligë.

Ndërkohë, “gardiani” 32-vjeçar është dëmtuar në gju në barazimin historik 3-3, që Anorthosis arriti përballë Interit, kampion i Italisë. “Kapiteni i Kombëtares, Altin Lala dhe portieri Arjan Beqaj nuk do të udhëtojnë me skuadrën për në Azerbajxhan”, deklaruan burime zyrtare në FSHF. “Të dy këta futbollistë janë të dëmtuar dhe trajneri vendosi që mos të jenë në Baku, më datë 19 nëntor 2008”.

Për të plotësuar kontingjentin e futbollistëve, që do të testohen në Azerbajxhan, drejtuesi i stolit kuqezi ka vendosur të “thërrasë nën armë” mbrojtësin e Tiranës, Andi Lila.

Ish-kapiteni i Shpresave është pjesë e përhershme e Kombëtares, por fillimisht ai ishte lënë jashtë ndeshjes miqësore. Megjithatë, fakti qëndron se mungesat nuk janë shfrytëzuar për të grumbulluar në ekip disa prej lojtarëve kryesorë, që qëndruan në shtëpi: Salihi, Hyka, Kapllani ose portieri Ilion Lika.

“Trajneri Han vendosi të thërrasë vetëm Lilën, i cili është lajmëruar dhe do të vihet në dispozicion të skuadrës”. Ari Han do të jetë i pranishëm sot në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›