E Shtunë, 31 Tetor 2026

Altin Lala, “vrasësi” i brazilianit Diego

Kush do ta ndalojë yllin e Verder Bremenit? Kjo është pyetja që shqetëson trajnerin e Hanover 96, kur kanë mbetur pak ditë nga takimi nga derbi i veriut në Gjermani.
LALA- Talenti brazilian Diego – i kërkuar nga disa ekipe të mëdha - konsiderohet rreziku më i madh i "Die Roten" (të kuqve) të Bundeligës 1 gjermane. Tekniku i Hanoverit, Diter Heking e ka një emër në mëndje: Altin Lala. "Por të vendosësh një futbollist si Lala vetëm për të bllokuar veprimet e Diegos, nuk shkon shumë me mënyrën e lojës moderne të Hanoverit", - citohet Heking nga gazeta rajonale gjermane "Hannoverische Zeitung". Gjithsesi shqiptari me pjekurinë e tij në veprimet taktike dhe aftësitë e tij mbetet alternativa më e mirë për trajnerin Heking.
DYLUFTIMET - Lala dallohet për temperamentin e tij ballkanik dhe për më tepër i ka qejf dyluftimet e mëdha (ia vlen të kujtojmë atë kundër Frenk Riberisë të Bajernit të Mynihut). Mediat gjermane ende e kujtojnë shpullën që hëngri shqiptari nga Juri Kaufman pas një dylyftimi me Juri Kaufman. Në ndeshjen fundit Hanoveri fitoi 3-0 me Hansa Rostokun, një rezultat që e kënaqi pa masë trajnerin, por që evidentoi edhe vlerat e ish-kapitenit shqiptar, shirit që e mbajti për katër sezone, nga viti 2004 për ta dorëzuar vullnetarisht në sezonin aktual në favor të portierit Enke (edhe Lala votoi për të).
LAMTUMIRA - Një tjetër gazetë e afërt me klubin e Hanoverit, "Neue Presse", përmend një fakt interesant. Kapiteni i Kombëtares është pranë dorëheqjes nga fanella kuqezi. Lala ka luajtur deri tani 63 ndeshje me Kombëtaren (3 gola) dhe ato kundër Bjellorusisë dhe Rumanisë mund të jenë të fundit për 32-vjecarin, i cili e festoi këtë përvjetor (më 18 nëntor) në mënyrën më të trishtuar, pasi përkoi me humbjet me Bjellorusinë (17 nëntor) dhe Rumaninë (21 nëntor). "Kështu do t'i vë të gjitha fuqitë e mia për ekipin tim (Hanoverin)", - citohet Lala nga uebsajti neuepresse.de. Lala është i vetëdijshëm: "Unë dua të luaj gjithmonë". "Por, vetëm për 96", - thekson nga Hanoveri gazetari gjerman Florian Krebs.
BESNIK – Edhe pse me një karrierë të gjatë futbollistike shqiptari shtatshkurtër ka veshur vetëm fanellat e tri ekipeve: Dinamos (1996-1997, në Shqipëri, Borusia Fuldas (1997-1998) si dhe Hanoverit, nga viti 1998. Lala është një nga lojtarët më me përvojë të Hanover, njëherësh edhe nga më besnikët e ekipit: 115 ndeshje në Bundesliga 2 (9 gola) dhe 113 ndeshje në Bundesliga 1 (1 gol). Kontrata aktuale e Lalës skadon në vitin 2009. Për t'i dhënë dimension përjetësie besnikërisë ndaj skuadrës së tij (virtut që gjermanët e cmojnë shumë), pranë Hanover U-7 stërvitet edhe djali i tij shtatë vjecar, Kataldo.
MIQËSORET - Klubi i Hanoverit bëri të ditur edhe fazën përgatitore dimërore, që do të zhvillohet në Tenerife të Spanjës, ku skuadra e Lalës do të stërvitet nga 7 deri më 14 janar 2008 në zonën e Los Realejos, për tu lënë radhë dy ndeshjeve testuese: kundër St.Paulit (më 19 janar) dhe Hofenheimit (më 25 janar), që tashmë drejtohet nga trajneri Ralf Rangnik, njeriu që u "dashurua" me Altin Lalën në fillimet e tij te Hanover 96.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›