E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liverpul- Beshiktash, nga rekordi në akuzë për manipulim

Fitorja spektakolare 8-0 ndaj Beshiktashit në Ligën e Kampioneve është në hetimet e UEFA-s në dyshim për rezultat të parafiksuar. Raportet nga Gjermania flasin se zyrtarë të UEFA-s janë duke këkruar prova në lidhje me fitoren e skuadrës angleze ndaj asaj turke, pasi besohet se rezultati ka qenë i fiksuar për llogari të kompaninve të basteve. Gazeta gjermane "Süddeutsche Zeitung" shkruan se fitorja më e madhe me diferencë golash në historinë e Ligës së Kampioneve, është një nga 26 ndeshjet e dyshuara nga UEFA dhe i është dhënë Europolit për investigim. Ndërkohë që nuk besohet se Liverpuli nga ana e tij të jetë përfshirë në këtë fiksim rezultati, shigjetat bien mbi Beshiktashin, që u shkatërrua në mënyrë të pabesueshme në pjesën e dytë.
DYSHIMET PËR BASTE
Shatë minuta pas pjesës së dytë Beshiktashi humbiste 2-0, ndërkohë që në pjesën e mbetur të takimit u shënuan gjashtë gola.
Raporti i "Süddeutsche Zeitung" pohon se një numër i jashtëzakonshëm dhe jo karakteristik bastesh – dhe në shuma të mëdha - u vendosën fare pak kohë para fillimit të ndeshjes, pas së cilës "Reds"-at arritën fitoren madhështore që befasoi botën e futbollit. I pyetur për të bërë një koment rreth kësaj cështje, një zëdhënës i Liverpulit tha vetëm se klubi i tij nuk ishte kontaktuar kurrsesi nga UEFA në lidhje me cfarëdo lloj incidenti.
JO INCIDENT I IZOLUAR
Ndeshja në fjalë është vetëm një nga ndeshjet që janë në investigim e sipër, ku përfshihen kryesisht takime të luajtura turet elimninatore në Kupën UEFA dhe atë Intertoto, ku protagonistë janë skuadrat nga vendet e Europës lindore. Fitorja e Hamburgut 4-0 me Honvedin e Budapestit në kualifikueset e Kupës UEFA gjatë muajit gusht është në dyshim: një autogol dhe një tjetër në fund të takimit, lënë vend për jo pak dyshime.
26 NDESHJE
Dosieri prej 96 faqesh, i publikuar ditë më parë nga revista gjermane "Der Spiegel" numëron 15 ndeshje, të cilat janë manipuluar vetëm në këtë sezon dhe 11 të tjera që datohen mes qershorit 2005 dhe nentorit 2006. Ndeshjet u përkasin këtyre kompeticioneve: 12 ndeshje kualifikuese për në Kupën UEFA, tetë në Kupën Intertoto, tre në kualifikimet e Liges së Kampioneve, tre në ndeshjet e Kupes UEFA. Raporti i Europol citon incidente specifike, që UEFA i konsideron të dyshimta dhe paraqet faqe të tëra me rezultate bastesh si elementë prove.
RASTI BESA
UEFA po heton kompanitë e basteve për manipulime në takime te ndryshme. Një ndër to është edhe Bezhanija-Besa, që përfundoi ne barazim 2-2. Kur duheshin vetem 45 minuta nga fillimi i ndeshjes kompanitë aziatike të basteve, u mbuluan nga shuma të mëdha, që tregonin se skuadra serbe do të fitonte me vetëm një gol diferencë, do të barazonte, madje edhe do ta humbiste ndeshjen. Ndeshja përfundoi 2-2 dhe fitimet nga bastet përllogariten në 1,5 milionë euro. UEFA është treguar konfidenciale, sepse nënvizon që pjesa serbe ishte tërësisht në lojë: "Kjo ndeshje ishte një klasike e manipulimit të takimeve". Vec fakteve që tashmë kanë dalë, skuadrat shqiptare etiketohen si "lehtësisht të manipulueshme".
ALARMI I PLATINISË
Bosi i UEFA-s, Mishel Platini pohoi para disa ditësh për "Sunday Times: "Është një problem shumë i madh dhe do të bëhet akoma më i keq për futbollin, dhe për të gjitha sportet në të ardhmen. Ne e dimë se në Hong Kong, Singapor apo diku tjetër në Azi ju mund të vendosni edhe një bast të vetëm në një shumë prej 10 milionë dollarësh në një ndeshje që përfundon 4-4. Ndeshja mund të jetë 2-2 pak para përfundimit të takimit, por shkaktohen katër penallti dhe ajo përfundon 4-4". 3.4 milionë euro u fituan nga ndeshja e Kupës Intertoto midis klubit estonez, Talin dhe atij finlandez, Honka Espoo. 1.5 milionë euro u fituan nga bastexhinjtë në kompanitë aziatike për ndeshjen e parë të kualifikueseve të Kupës UEFA midis një skuadre estoneze, Narva Trans dhe klubit të mirënjohur suedez Helsingborgut, takim që u mbyll me fitoren 6-0 të skuadrës suedeze në transfertë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›