"Altin Lamaj", mbërrin në Shkallën e Parë
Prej tri vitesh i pandehuri në kërkim të pafajësisë së pretenduar, ndërsa në dhjetor pritet të fitojë lirinë pas mbarimit të afateve të paraburgimit
Gjykata e Tiranës hodhi në short dosjen, që pritet të gjykohet nga Kreshink Omari, që duhet shqyrtojë akuzat për disa vrasje
TIRANË- Hidhet shorti dhe caktohet treshja gjykuese që do gjykojë dosjen penale të Altin Lamajt, të rikthyer për gjykim pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet me vendim të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.
Ky fakt bëhet i ditur nga burimet zyrtare pranë institucionit të akuzës dhe togave të zeza të Gjykatës së Tiranës, të cilët konfirmuan se dosja penale do të gjykohet nga treshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Kreshnik Omari.
Sipas burimeve zyrtare pranë togave të zeza, mësohet se dosja penale që mban numrin e çështjes 1899 me të pandehur Altin Lamaj, është hedhur në short elektronik ku është caktuar treshja gjykuese që do të gjykoj të pandehurin për veprat penale të " Vrasjes me paramendim"; "Vrasje me dashje"; "Vrasje me paramendim" të mbetur në tentativë, të gjitha këto në bashkëpunim, dhe "Falsifikim të akteve të gjendjes civile" e "Mbajtje pa leje të armëve luftarake".
Dosja penale në ngarkim të pandehurit Lamaj, prej kohësh po sorollatet nëpër dyer të Gjykatave në vend, në kërkim të pafajësisë nga vetë i pandehuri, i cili pretendon se nuk është autori i vrasjeve për të cilat e akuzojnë. Këto sorollatje nëpër dyer të gjykatave, kanë bërë që në dhjetor të këtij viti afatet e procedurale të qëndrimit në paraburgim të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale shkojnë drejt fundit dhe vetë i akuzuari pritet të lirohet.
Akuzat e Prokurorisë
I pandehuri Lamaj akuzohet nga prokuroria, se ka marrë pjesë në vrasjen me paramendim të Andi Hasanit, Gazmend Zenelit, Sokol Alushit, Alban Çelës e Grigor Stefanit, si dhe plagosjen e Altin Fortuzit. Sipas akuzës, mësohet se prova e vetme që prokuroria e përdor për të provuar fajësinë e të pandehurit Lamaj është një gjurmë daktiloskopike gishti e administruar në autoveturën e braktisur e gjetur me 23 dhjetor të vitit 1999.
Rreth orës 14:30 minuta të kësaj dite, janë qëlluar me armë dhe kanë mbetur të vdekur në një lokal përballë ish-ambasadës kroate, Andi Hasani, Gazmend Zeneli dhe Sokol Alushi. Po në këtë ngjarje mbeti i plagosur Grigor Stefani. Po kështu prokuroria e akuzon atë edhe për vrasjen e shtetasit Alban Çela e plagosjen e Altin Fortuzit më 21 qershor të vitit 2000, në zonën e ish-bllokut në kryeqytet.
Kalvari i proceseve Lamaj, dënime pafajësi nga drejtësia
Kalvari i proceseve gjyqësore për të pandehurin Lamaj kanë nisur me 6 janar 2006, kur Gjykata e Krimeve të Rënda e deklaroi fajtor për tri vrasje duke e dënuar me "burgim të përjetshëm".
Ky vendim u ankimua në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, të cilët e deklaruan të pafajshëm, duke hedhur poshtë provën e vetme të prokurorisë, atë të gjurmëve të gishtërinjve të administruara në një qese të gjetur në bagazhin e makinës së braktisur në afërsi të shkollës "Vasil Shanto".
Ai u deklarua fajtor vetëm për armëmbajtje pa leje duke marrë maksimumin e dënimit të parashikuar. Këtë vendim, Prokuroria e Apelit për Krime të Rënda e ankimoi me rekurs në Gjykatën e Lartë e cila e shfuqizoi vendimin e dhënë dhe e ktheu çështjen për rigjykim pranë Apelit të Krimeve të Rënda për shkelje të mëdha procedurale, duke i lënë detyrë gjykatës të vlerësojë provën e organit të akuzës.
Po kjo Gjykatë vetëm pak muaj pas rikthimit të çështjes nga Gjykata e Lartë, vendosi të deklarojë të pandehurin Lamaj fajtor për këto vrasje, duke e dënuar sërish me "burgim të përjetshëm".
Këtë vendim, mbrojtja dhe i pandehuri e kundërshtuan duke dërguar çështjen sërish pranë Gjykatës së Lartë. Kjo e fundit, vendosi shfuqizimin e këtij vendimi, duke u shprehur në arsyetimin e saj se "nuk është kompetencë e Gjykatës së Krimeve të Rënda gjykimi i të pandehurit Altin Lamaj", duke rikthyer çështjen për rigjykim pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet