Shkatërrimi i Bandës së Durrësit
Pas shumë atentateve të planifikuara deri në detaje, vrasja në gjaknxehtësi e sipër e Ilir Koldashit do të shënonte edhe pikën e "kapitullimit" për bandën e Durrësit. Njëri prej anëtarëve, Kujtim Buna mbeti i plagosur rëndë, duke rënë në duart e policisë, ndërsa për Indrit Doklen, e vetmja rrugë ishte ajo e dorëzimit.
Adriatik Coli vendosi të arratisej, duke shfrytëzuar një rrjet të trafikut klandestin, por në Itali ai do ta gjente veten mes tre zjarresh: njerëzve të Lul Berishës, të Indrit Dokles dhe të Ilir Koldashit. "Shekulli" boton sot pjesën e fundit të dëshmisë së të penduarit, i cili rrëfen për grupin e hetimit se kreu i bandës, Dokle e akuzonte atë për tradhti.
"Në telefon ne kemi debatuar për ngjarjen e fundit dhe ai më thoshte që ma ke futur. Unë i thashë që nuk ia kisha futur unë, por Kujtim Buna. Ai më kërkoi që të bëja një deklaratë, që e kisha vrarë unë Ilir Koldashin"- thotë Adriatik Coli.
Ai tregon se ishte bërë shënjestra e tre grupeve të fuqishme dhe në këtë pikë nuk ka duruar me por është dorëzuar në polici.
TIRANË- Vijon nga dje... Kur shkova në buzë të rrugës së Elbasanit, afër një muri, tek cepi i tij e hodha pistoletën. Mora rrugën majtas dhe u futua tek rruga në krah të Fakultetit Ekonomik. U ktheva përsëri majtas dhe dola përsëri tek kryqëzimi, ku kisha hedhur pistoletën. Aty u bashkova me Sardianin dhe Kujtimin.
Kujtimi më dha pistoletën e tij dhe celularin dhe më tha të iki se ishte plagosur. Pashë se Kujtimi kishte gjak tek gjoksi.
Pasi ikën Kujtimi me Sardianin, pistoletën e Kujtimit e hodha poshtë një qebaptoreje portative, ndërsa celularin e Kujtimit e kam hedhur në lulishten rrethuese të Fakultetit Ekonomik, brenda rrethimit.
Pastaj mora drejtimin e fushës së sportit dhe pasi dola sipër Qytetit Studenti, u ktheva djathtas në një rrugë të asfaltuar dhe dola në rrugën kryesore të Elbasanit dhe më pas u futa tek kodrat e Liqenit Artificial.
Në një rrugicë afër Gardës kam ndaluar një djalë që po vinte me motor, të cilit i thashë që të më çonte deri tek "21 dhjetorit" se e kam babanë shumë të sëmurë dhe i dhashë 20 euro si shpërblim. Gjatë gjithë rrugës, Indriti më ka marrë në telefon rreth 4 - 5 herë, duke më pyetur se ku isha.
***
Nga vendi ku kam bërë vrasjen e deri tek shtëpia, kam folur në telefon vetëm me Indritin dhe asnjë person tjetër. Shkova tek shtëpia e Indritit, ku rrinte me qira dhe aty më tha që ai djali ka vdekur në vend, ndërsa Kujtimi është rëndë. Pastaj Indriti më tha: "çfarë na bëre". Unë iu përgjigja: t'i e shave, Kujtimi i gjuajti edhe t'i, po ta kishe në brez në atë moment, do të qëlloje.
Ai më tha që unë nuk do t'i shtija. Pastaj, Indriti më tha që unë të iki. Pastaj unë i thashë që unë po iki, e ai më tha: prit se do të vij edhe unë. Dolëm nga kjo shtëpi dhe kemi shkuar tek shtëpia e një shokut tek stadiumi "Dinamo", në një pallat të ri shumëkatësh. Atë natë kemi fjetur aty dhe i treguam të gjitha atij shokut se çfarë kishte ndodhur.
Para se të shkonim, ky shoku e kishte marrë Indritin në telefon dhe i kishte thënë që po e priste. Gjatë kësaj kohe, Indritit i telefonoi babait i tij dhe i tha që në shtëpi kanë ardhur për kontroll policia. Indriti iu përgjigj "po mire, le të vijnë, se unë nuk kam bërë gjë".
Të nesërmen, unë i thashë Indriti që të shkonim tek shtëpia ime në Tiranë. Kështu bëmë. U nisëm të dy dhe shkuam tek shtëpia ime, që ndodhej tek lagja "21 dhjetori". Kemi ndenjur në këtë shtëpi një ditë. Unë thirra gruan dhe fëmijët, për të ndenjur atë natë me ta, ndërsa Indriti thirri në telefon Ervin Çukën nga Spitalla, i cili erdhi dhe kanë ndenjur bashkë duke bërë muhabet gjithë natën.
Të nesërmen në mëngjes, Ervini iku dhe shkoi tek shtëpia e një sportisti nga Kukësi, që merrej me mundje dhe banonte në Tiranë, tek i cili Indriti i kishte lënë 70 mijë euro në ruajtje.
Këtë mundësin po ta shikoj, e njoh. Unë atë ditë përcolla gruan dhe fëmijët dhe u thashë që të merrnin plaçkat dhe të shkonin tek shtëpia në Durrës, se kismet kur do të shihemi. Kur iku nusja, vura re se Indriti ia kishte dhënë numrat e telefonit të gjitha Ervinit dhe e kishte ngarkuar që të merrej me punët tona.
Ervini shau pasi i ngeli barra atij, e kush merrej me të gjitha këto tani". Indriti i kishte dhënë 10 mijë euro borxh Ervinit. Në fakt ishin 8500 euro. Indriti e mori në telefon motrën e tij të madhe dhe i thotë të vinte dhe ta takonte. Ne i thamë që t'i binte vërdallë rrugicave se mos e ndiqnin.
Ajo erdhi dhe i tha Indritit se babai ka lexuar gjithë natën nenet dhe nuk bën më shumë se 8 vjet burg. Indriti i tha që: "unë nuk kam bërë gjë, do të marr blindën dhe do të dorëzohem".
Unë nuk u ndjeva fare. Indriti i dha motrës 50 mijë euro dhe e përcolli. Kur iku motra e Indritit, i thashë atij që të vinte me mua në Itali, por Indriti më tha që do të dorëzohej në polici.
***
U ndava me Indritin dhe gjeta një person që niste njerëz për në Itali, pa dokumente. Së bashku me këta persona, që po t'i shoh i njoh edhe sot, por nuk ua mbaj mend emrat, shkova nga Shkodra për në Han të Hotit dhe që andej kalova kufirin në këmbë për në Mal të Zi por jo nga post-blloku i policisë.
Këtij burrit i dhashë 2500 euro dhe u ndava me të në kufi, sepse më pas më morën njerëz të tjerë që ishin të rrjetit dhe më dërguan në Bosnje, më pas në Kroaci, Slloveni, Austri dhe përfundimisht në Itali.
Dua të them se para se të nisesha, i thashë Indriti që të marrë ndonjë lek kur të mbërrij në Itali, tek njerëzit që na kishin lekët të pa mbledhura nga shitja e mallit. Indriti më tha që lekët do të ndahen tek shtëpia e tij dhe ti nuk ke për të marrë asnjë lek.
Këto fjalë m'i tha kur isha në Bosnje dhe unë e mora në telefon, pasi gjeta numrin që përdorte në burg, nëpërmjet një shokut tim nga Durrësi. Ku shkova në Itali, aty rrija brenda dhe nuk dilja.
Një shokut tim që nuk ia mbaj emrin, pasi nuk e kisha shok të ngushtë, ia kërkova numrin e babait të Indritit për t'ia plasur të gjithë të vërtetën në lidhje me ngjarjen e fundit dhe t'i thosha që nuk ia kam bërë unë Indritit, por Kujtim Buna.
Unë e mora në telefon dhe më doli një i njohur i Kujtim Bunës dhe më tha që të bësh një deklaratë që andej nga Italia dhe të tregosh që e vrave ti Ilir Koldashin, që të dalin nga burgu ata të tre.
Unë i thashë: mirë - mirë, se do ta bëj unë deklaratën, por më jep numrin e Indritit. Ai më dha numrin 06930.... por nuk jam shumë i sigurt, ndërsa të njohurin e Kujtimin e kam marrë në një numër tjetër.
***
Unë fola me Indritin rreth orës 17 të pasdites. Në telefon ne kemi debatuar për ngjarjen e fundit dhe ai më thoshte që ma ke futur. Unë i thashë që nuk ia kisha futur unë, por Kujtim Buna. Ai më kërkoi që të bëja një deklaratë, që e kisha vrarë unë Ilir Koldashin. Unë i thashë: do ta bëj deklaratën dhe e theva kartën e telefonit dhe nuk jam lidhur në telefon më me të.
Shkova në Breshia, tek një shoku im nga Durrësi dhe ndenja 4 -5 ditë atje. Ai më tha se është kapur edhe R. Xh. me 10 kg heroinë të pastër dhe e takova një shokun tim, që i kishte vajtur për vizitë në burg dhe i kishte thënë që për faj të Tikut (meje), po ndodhnin të gjitha këto gjëra dhe se po të më kapte, do të më fuste një plumb.
Në këto kushte kam vendosur që pas katër muajsh qëndrimi në Itali të kthehem në Shqipëri, pasi më kishin dërguar si Lul Berisha, Indrit Dokle dhe familjarët e Ilir Koldashit persona për të më vrarë. U nisa nga Italia me makinë dhe shkova në Austri dhe mes kufirit me Slloveninë më kapën policët sllovenë dhe më kaluan në Austri.
Aty deklarova që jam nga Kosova dhe më quanin Arben Krasniqi dhe më dërguan në Prishtinë me aeroplan. Që aty kam ardhur në Rinas, po me aeroplan dhe i jam dorëzuar policisë. Nuk kam gjë për të shtuar. Procesverbalin, pasi e gjej të rregullt, e firmos pa vërejtje.