Vdes në përvjetorin e së ëmës 24-vjeçarja, nisin hetimet
SHKODËR/ Selvije Uraj ndërroi jetë pasi, sipas të afërmve, ra nga shkallët
SHKODËR - Një 24-vjeçare ka ndërruar jetë rreth orës 01:00 të së premtes pas plagëve të shumta që kishte marrë në trup po atë mbrëmje që familja e saj priste vizita për 1-vjetorin e vdekjes së të ëmës.
Selvije Uraj është dërguar në spitalin rajonal të Shkodrës rreth orës 23:00 të së enjtes në gjendje shumë të rëndë. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve vajza nuk ka mundur të mbijetojë duke humbur jetën vetëm dy orë më pas. Të pyetur nga policia familjarët kanë deklaruar se vdekja e vajzës ka qenë aksidentale, pasi është goditur nga një kafshë shtëpiake.
Ndërkohë, nga ekspertiza është vënë re se vajza kishte plagë në të gjithë trupin. Për të dhënë një përgjigje përfundimtare për shkakun mësohet se kanë mbërritur ekspertë mjeko-ligjorë nga Tirana.
Hetimi
Pas mbërritjes së 24-vjeçares në spital dhe përpjekjeve që rezultuan të kota të mjekëve për ta mbajtur në jetë, policia ka nisur hetimet.
Të pyetur, familjarët e vajzës, nga fshati Mes i komunës Postribë, kanë pretenduar se Selvija është qëlluar me shqelma nga një lopë teksa po e milte. Por ndërkohë gjithashtu deklarohet se vajza aksidentalisht ka marrë plagë pasi është rrëzuar nga shkallët.
Në këtë mënyrë ata kanë shpjeguar gjithë plagët që ajo ka pasur në trup. Paraditen e djeshme nga oficerë të policisë gjyqësore është vendosur hetimi i mëtejshëm teksa janë marrë në pyetje edhe gjashtë pjesëtarë e të afërm të familjes së viktimës.
Ata kanë deklaruar se vajza ishte rrëzuar nga shkallët pasi kishte mjelur lopën dhe më pas është rrëzuar, duke mos e përmendur goditjen e lopës. Në spitalin e Shkodrës, mjekët kanë pohuar se 24-vjeçarja kishte hemorragji të brendshme, madje familjarët e saj kanë dhuruar gjak në mënyrë që ta shpëtonin.
Të gjitha këto kanë shtuar dyshimet e policisë dhe kufoma është riekzaminuar ku specialistë të policisë shkencore të ardhur nga Tirana kanë marrë materialet e nevojshme në trupin e viktimës dhe pas ekzaminimeve në laboratorin qendror të kriminalistikës pritet të japin një version zyrtar për shkakun e vdekjes së vajzës.
Të afërmit
Familja e Selvijes e ka rimarrë kufomën për t'i bërë nderimet përkatëse, ndërsa mësohet se pikërisht një vit më pare, 24-vjeçares i kishte vdekur dhe nëna e sëmurë, madje familja kishte njoftuar se do të priste vizita përkujtimore për këtë. Por vdekja e së resë, që, sipas familjarëve, është aksidentale, ka ndryshuar gjithçka.
Të pyetur nga policia, mjekët në Shkodër kanë deklaruar se shkaku përfundimtar i vdekjes ka qenë hemorragjia e brendshme e shkaktuar nga plaga në pjesën e barkut.