Vrasja në Laprakë për vjedhjen e motorit
Prokuroria mbyll hetimin dhe dërgon në gjykatë dy vëllezër të akuzuar për krimin
TIRANË- Prokuroria e kryeqytetit, përfundoi fazën hetimore dhe dorëzoi pranë togave të zeza dosjen penale në ngarkim të dy vëllezërve Elvis e Ervin Meta, të akuzuar për "vrasjen me dashje" në bashkëpunim ndaj shtetasit Jeton Ferhati dhe vjedhjes së një lokali në Dajt.
Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare pranë organit të akuzës dhe togave të zeza të Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, të cilët me ndihmën e shortit elektronik kanë caktuar treshen gjykuese të kryesuar nga gjyqtari Arben Micko, për gjykimin e dy vëllezërve.
Sipas dosjes penale në ngarkim të dy vëllezërve të pandehur, Elvis dhe Ervin Meta, janë autorët e vrasjes së ndodhur në Laprakë pak muaj më parë, ku si pasojë e konfliktit fizik mes adoleshentëve mbeti i vrarë me thikë 18 -vjeçari Jeton Ferhati banues në lagjen Bathore në periferi të kryeqytetit.
Sipas akuzës, sherri mes tyre ka filluar një javë para ngjarjes, ku vëllai i viktimës Jeton Ferhati është konfliktuar me vëllezërit Meta, duke i akuzuar ata për vjedhjen e një motori. Pas kësaj grindjeje, dy vëllezërit kanë dalë në kërkim të njërit prej vëllezërve Ferhati, duke e takuar në afërsi të pallateve "Hawai" të Laprakës 18- vjeçarin Jeton Ferhati.
Pak pas konfliktit mes tyre e qëllojnë këtë të fundit me thikë në brinjë dhe zemër, duke i shkaktuar vdekjen e tij. Gjithashtu, sipas prokurorisë është provuara se i pandehuri Elvis Meta, ka marrë pjesë edhe në vjedhjen e një lokali në Malin e Dajtit, duke vjedhur një televizor plazmë dhe disa pajisje të tjerë të lokalit.
Kjo vjedhje, sipas akuzës, është zbuluar nga akt-ekspertimi daktiloskopik gjurmëve të gishtave, ndërsa policia i kishte kërkuar përpara prokurorisë një urdhër arresti për vjedhje para vrasjes që në fakt nuk u lëshua nga organi i akuzës.