E Shtunë, 31 Tetor 2026

Altin Rraklli: E ardhmja është futbolli i femrave

/* */

Dash FRASHËRI - Altin Rraklli, trajneri i Kombëtares shqiptare të femrave në futboll, e ka me shumë pasion punën e tij. “Në gjykimin tim, dua të them se kemi bërë progres në drejtimin e cilësisë së lojës. Janë shumë të disiplinuar”.

Ish-sulmuesi i njohur i Kombëtares së meshkujve (63 ndeshje/11 gola) pëlqen të citojë një deklaratë të Presidentit të FIFA-s, Jozef Blater. “E ardhmja e futbollit i takon femrave”, - tha Rraklli në intervistën e tij për gazetën “Telegraf”. Më 10 nëntor, Shqipëri e futbollit për femra do të përballet me homologen e saj nga Maqedonia, në Strugë. Në ndeshjen e parë të zhvilluar në Pogradec, më 5 maj 2011, njëherësh edhe takimi i parë ndërkombëtar, Shqiperia fitoi 1-0.

Altin Rraklli, prej disa muajsh ju jeni trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit për femra. Cilat janë përshtypjet tuaja?
Kemi bërë dy grumbullime, me synimin e seleksionimit të elementëve më të mirë për ekipin Kombëtar. Në gjykimin tim, dua të them se kemi bërë progres në drejtimin e cilësisë së lojës. Janë shumë të disiplinuar faktikisht. Nuk dalin nga detyrat. Për më tepër janë të pastra në lojë. Tani jemi në prag të një grumbullimi tjetër të radhës, në kuadër të ndeshjes me Maqedoninë, më 10 nëntor, por kësaj radhe në Strugë.
Në maj të këtij viti zhvilluam edhe ndeshjen e parë ndërkombëtare, atë kundër Maqedonisë. Një fitore 1-0. Çfarë mesazhe morët?
Po, për të testuar edhe nivelin e kombëtares sonë, Federata jonë e Futbollit na siguroi edhe një ndeshje miqësore me Maqedoninë, njëherësh edhe takimi i parë ndërkombëtar. Takimi u zhvillua më 5 maj 2011, në qytetin e Pogradecit, dhe ne fituam 1-0 me golin e Aurora Seranajt. Sigurisht, në këto ndeshje miqësore nuk është parësor rezultati, sesa seleksionimi i skuadrës dhe konsolidimi i grupit të lojtareve.
Kombëtarja jonë fitoi me Maqedoninë. Cili është niveli i saj në futbollin e femrave?
Nuk mund ta them nëse Maqedonia ka nivel më të lartë se ne, pasi në ballafaqimin e vetëm më ta, ne fituam. Ajo që mund të pohoj është fakti se, Maqedonia ka më shumë vite se ne që merret me futbollin e femrave. Ekipi i saj Kombëtar ka shtatë-tetë vjet që është krijuar.

Kombëtarja A e meshkujve bazohet te lojtarët që luajnë jashtë. Po, skuadrave e femrave a ka në përbërje të saj legjionare?
Krahas lojtareve që kemi pasur edhe në grumbullimet e para, kësaj radhe kemi thirrur lojtare që luajnë jashtë Shqipërisë dhe janë të nivelit të lartë. Për momentin kemi thirrur pesë lojtare që aktivizohen në SHBA, Australi, Suedi, Gjermani dhe Angli. Fortuna Velaj vjen nga Shtetet e Bashkuara, luan me Quinnipiac University dhe është një futbolliste shumë cilësore. Elizabeta Ejupi luan në Premier Ligën angleze me Çarlton Atletik; Elvana Curro, e cila luan në Australi me Altona City në Premier Ligë; Arbnora Robeli luan në Ligën e Parë suedeze dhe Pëllumbesha Gjyla luan në kategorinë e Dytë në Itali.
Ju keni qenë vetë një lojtar i ekipit Kombëtar (63 ndeshje). Cili është niveli i futbollit të femrave?
Duhet ta kemi të qartë se, ne nuk mund të pretendojmë të kemi një ekip te nivelit të lartë. Futbolli për femra tani është duke zhvilluar kampionatin e tretë të tij. Është një sport i ri. Gjithsesi, po përhapet dhe sivjet kemi një kampionat me tetë ekipe dhe për më tepër është rritur shpërndarja gjeografike. Ka një progres në nivelin e lojës, ka rritje të kualitetit të lojtareve. Është gjithë ajo Amerikë dhe ka vetëm nëntë ekipe profesioniste. Po marr si shembull Gjermaninë, futbollin e së cilës e njoh mirë. Atje ka shumë ekipe dhe natyrshëm që është e fortë gara dhe cilësia.

Skuadra kombëtare e femrave ka një numër të madh vajzash nga Kosova. Cili është niveli i futbollisteve të saj?
Gati 40 për qind e ekipit është me lojtare nga Kosova. Kanë kohë që e kanë zhvilluar futbollin e femrave, gati shtatë-tetë vjet. Normale që janë përpara nesh. Edhe si natyrë, femrat që merren me futboll në Kosovë janë më të forta fizikisht. Mund të përmend, Albina Rrahmanin, Nora Selmanin, Suada Jasharin, Avdije Luliun, Rifadije Shalën, Çime Lulaj, Bedrina Elezaj, etj. Janë të talentuara.

Rraklli, ju vetë dolët kampion si trajner me skuadrën e femrave të AS Tirana, pikërisht në kampionatin e parë kombëtar për femra, atë të sezonit 2009-2010. A shihni një rritje?
Ndryshimi është i dukshëm. Po afrohen lojtarë të mira. Por, futbolli femrave ka nevojë edhe për më shumë publicitet, përfshi dhe atë mediatik. Gjithsesi, unë besoj se reklama më e mirë për futbollin e femrave është nëse Shqipëria do të arrijë rezultate.

Kampionia në fuqi e Shqipërisë, Ada e Velipojës, mori pjesë në Ligën e Kampioneve për femra. Përtej rezultateve jo pozitive, çfarë do të veçonit?
Do ta konsideroja një arritje historike dhe fillimin e një tradite. Është një sukses. Ndoshta shumë njerëz edhe mund të nisen nga rezultatet, por unë personalisht nuk dua ta shoh vetëm në këtë këndvështrim. Gjithkush do të humbiste në prezantimin e tij të parë në Europë, pasi ne u përballëm me ekipe që kanë traditë të madhe dhe kanë traditë edhe dhjetëvjeçare ndërkombëtare.

A ka Shqipëria talente për femra?
Sigurisht, mund të përmend Ana Baron, Aurora Seranaj, Artemilda Dashin, Megi Doçin. Janë lojtare relativisht të reja, 16-18 vjeçare. Janë shumë të tilla. Federata Shqiptare e Futbollit në planet e saj afatshkurtra ka dhe krijimin e Kombëtares U-17 për femra.
A ka lojtare shqiptare që janë transferuar në një klub europian?
Për momentin janë vetëm dy sportiste, Aurora Seranaj dhe Ana Baro, të cilat luajnë në kategorinë e tretë në Gjermani. Ka filluar të funksionojë si treg.

Aurora Seranaj hyn në histori

Aurora Seranaj hyri në historinë e Kombëtares shqiptare të futbollit për femra, si lojtarja e parë që ka shënuar gol në një ndeshje ndërkombëtare. Seranaj shënoi golin e fitores 1-0 në miqësoren kundër Maqedonisë, në Pogradec (5 maj 2011). 28-vjeçarja realizoi në minutën e 30-të pas një goditjeje nga këndi. “Unë jam krenare që shënova golin fitues. Kjo është një ditë e madhe për mua dhe futbollin e femrave në Shqipëri”, - tha Seranaj për mediat.

Fatmire Bajramaj, idhulli i femrave futbolliste

Altin Rraklli ka luajtur në Gjermani për një periudhë gati 13 vjeçare (1992-2004) dhe ka njohje personale me futbollisten më të njohur shqiptare në botë, Fatmire Bajramaj, kosovaren që luan për përfaqësuesen e Gjermanisë, dhe që viti e kaluar fitoi “Topin e Bronztë të FIFA-s”, si futbollistja e tretë më e mirë në botë. Rraklli: “E njoh personalisht dhe është një lojtare shumë e talentuar. Mendoj se është një idhull i gjithë vajzave futbolliste shqiptare. Fatmire Bajramaj është shembulli më i mirë për këdo. Ka arritur shumë në karrierën e saj, pasi është kampione e botës, kampione e Europës dhe fituese e Ligës së Kampioneve për femra. Është një futbolliste shumë e kompletuar. Kam pasur ta shoh edhe në aksion në Gjermani në kampionatin gjermane por dhe me ekipin Kombëtar. Është një sportiste e nivelit të lartë. Do të isha shumë krenar po ta kisha në ekipin tim”.

Goli më i bukur, ai kundër Gjermanisë

Altin Rraklli veshi për 11 vjet fanellën e Kombëtares shqiptare (1995-2005), duke zhvilluar 63 ndeshje dhe shënuar 11 gola, duke qenë njëherësh edhe shënuesi i katërt më i mirë i Shqipërisë, pas Erjon Bogdanit (15), Alban Bushit (14) dhe Ervin Skelës (12). “Jam munduar të jap më të mirën time. Dhe dua edhe t’ua simbolizoj vajzave se çdo të thotë të jesh pjesëtare e Kombëtares. Është maja e karrierës së një futbollisti. Kam pasur një karrierë të mirë me ekipin Kombëtar, ndoshta edhe mund ta kisha pasur më të mirë. Normale, çdo futbollist ka dhe defektet e veta”, - tha Rraklli për gazetën “Telegraf”. “Megjithatë, jam shumë krenar që kam qenë pjesë e Kombëtares. Më vjen keq që, iku shumë shpejt ajo kohë”. Rraklli ka shënuar 11 gola me Përfaqësuesen. “Për të thënë të vërtetën të gjithë golat janë të bukur, kur topi e kalon vijën e fatale”, - thotë Rraklli me të qeshur, - por atë që unë dua të veçoj është ai me Gjermaninë, kur humbëm 2-1. Është më i bukur edhe për faktin se luaja në Gjermani. Bëri shumë jehonë atje”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›