E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Lazio ndihem si mbret

Lorik Cana ndihet si mbret në Lazio. Edhe pse nuk është pjesë e formacionit bazë, mesfushori kosovar thotë se raporti i shkëlqyeshëm me të gjithë e bën të ndihet mirë. Ai është i bindur se do t’i shërbejë ekipit Biancocelesti, ndërsa thotë se është herët të flitet për titull të kampionit në Itali.

Lorik Cana nuk ka luajtur rregullisht në Lazio dhe nuk ka bindur deri tash me kualitetin që posedon. Megjithëkëtë, mesfushori kosovar ndihet i lumtur tek ekipi Biancocelesti, ku thotë se ndihet si mbret.

“Ndihem me të vërtetë mirë në Lazio. Kam raport të shkëlqyeshëm me shokët e skuadrës, trajnerin dhe tifozët. Për mua kjo është një eksperiencë e re dhe është e qartë se kam nevojë për kohë, për t’u ambientuar përfundimisht, mirëpo jam i qetë. Dëshiroj të luaj mirë në Lazio dhe jam i sigurt se, si unë ashtu edhe skuadra, do t’ia dalim”, deklaroi në një konferencë për shtyp ish futbollisti i Galatasarayt.

Përfaqësuesi shqiptar ka luajtur gjithmonë në pozitën e mesfushorit qendror, por duke e pasuar parasysh eksperiencën e tij, 27 vjeçari thotë se mund të përshtatet edhe në rolet tjera. “Nuk kam problem që të vihem në dispozicion të skuadrës dhe të trajnerit”, shtoi ai.

Lazios po i shkojnë shumë mirë punët në kampionatin italian. Ekipi i Edy Rejës gjendet në pozitën e dytë në Serie A. Sa i përket titullit eventual, Cana deklaron se kjo është herët të thuhet.

“Është ende herët. E kemi një ekip mjaft kompakt dhe kualitativ. Qysh vitin e kaluar Lazio ishte një ekip që mund të luante në Evropë, mirëpo këtë vit ka në dispozicion lojtarë si Cisse e Klose, të cilët mund ta vendosin lojën. Nuk do të jetë e lehtë, sepse ka mjaft ekipe të forta”, vazhdoi ai.

Cana e di se Lazios i mungon eksperienca ndërkombëtare, por shpreson që ekipi ku luan do të jetë i suksesshëm edhe në garat evropiane këtë sezon, ku ekipi nga kryeqyteti italian luan në Europa League.

Reja: Cana duhet të jetë i qetë

Lorik Cana ka luajtur rrallë këtë edicion, por trajneri Edy Reja kërkon nga futbollisti shqiptar të mos ngutet. “Të luash në Lazio ekziston gjithmonë një shqetësim, për këtë Cana duhet të jetë i qetë dhe të ketë durim. E di se ai dëshiron të luajë më shumë, por i mbetet vetëm të punojë dhe rezultatet shihen pastaj”, deklaroi trajneri italian.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›