E Shtunë, 31 Tetor 2026

9 milionë për sport

Qeveria e Kosovës është bërë zemërgjerë për sportin kosovar. Prej projektbuxhetit për vitin 2012, ekzekutivi i vendit pritet që afro 9 milionë euro t’ia dedikojë sportit – 50 për qind më shumë sesa kishte ndarë për vitin 2011. Pjesa dërmuese e kësaj shume do të shkojë për rregullimin e infrastrukturës sportive, derisa Mitrovica do të jetë përfituesja më e madhe.

Qeveria e Kosovës ka vendos ta hapë kuletën për sportin kosovar. Ekzekutivi i vendit para pak ditësh e ka miratuar projektbuxhetin për vitin 2012, i cili parashihet të jetë 1.5 miliardë euro. Një pjesë e kësaj shume do t’i ndahet edhe sportit kosovar nëpërmjet Ministrisë për Kulturë, Rini e Sport.

Për vitin 2011, kjo Ministri për Departamentin e Sportit i kishte ndarë 4 milionë e 600 mijë euro. Ndërsa, për vitin 2012 është paraparë që kjo shumë për sportin të dyfishohet. Pra, për vitin 2012, Qeveria e Kosovës pritet t’i ndajë 8 milionë e 700 mijë euro për sportin, i cili është në gjendje të rëndë në çdo pikëpamje.

Departamenti i Sportit është i kënaqur me këtë rritje buxhetore, ndonëse drejtori i tij, Ibër Alaj pranon se as kjo shifër nuk mund ta vë në binar sportin e Kosovës.

“Kërkesat janë shumë më të mëdha sesa që është buxheti. Mirëpo, prej vitit në vit ka rritje buxhetore. Ndërsa ne përpiqemi që atë buxhet ta shfrytëzojmë maksimalisht për aty ku sporti kosovar ka më së shumti nevojë”, ka deklaruar Alaj për Express.

Ndërkohë, Departamenti i Sportit tashmë i ka bërë planet e veta se ku t’i investojë këto 8 milionë e 700 mijë euro. Sipas Alajt, më së shumti nga kjo shumë e parave do të përfitojë komuna e Mitrovicës. Kjo pasi Komisioni Evropian ka paraparë ta financojë një projekt në qytetin e veriut të vendit, projekt i cili nga Ministria e Sportit do të mbështetet me 4 milionë euro.

“Ndërsa rreth 3 milionë e 550 mijë euro do të investohen kryesisht në infrastrukturë sportive, respektivisht në vazhdimin e disa punimeve nëpër palestra sportive si në Rahovec, Dardanë, Istog, Skenderaj, Drenas, Deçan e Klinë. Po ashtu, do të investohet nëpër palestra ekzistuese dhe në stadiume, varësisht nga qytetet ku ka më së shumti nevojë”, u shpreh Alaj.

“Për subvencionimin e KOK-ut, federatave dhe të sportistëve do të ndahen rreth 1 milion e 200 mijë euro”, përfundoj Alaj.

Komuniteti sportiv në Kosovë prej vitesh ndihej i anashkaluar me ndarjen buxhetore nga ana e Qeverisë së Kosovës, e cila për vitin 2012 vendosi ta hapë më shumë zemrën për sportin kosovar, i cili vazhdon të mbetet i izoluar, por edhe në gjendje të rëndë brenda kufijve shtetërorë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›