E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vajza e zhdukur, dyshime për vrasje

Shtatë ditë pas zhdukjes së 15-
vjeçares Xhuljeta Agolli nga
fshati Rreth-Libofshë i Fierit,
policia nuk ka zbuluar asnjë të
dhënë që mund të çojë në gjetjen
e saj. Prindërit, të cilët rrinë ditë e
natë pranë Komisariatit të policisë
së Fierit, tani kanë frikë se vajza
mund të mos jetë gjallë. Ky ankth
është shtuar edhe më shumë, kur
në takimin e së premtes me policinë
ata nuk kanë marrë asnjë të
dhënë konkrete për 15-vjeçaren.
Prindërit
Maksim dhe Ylmie Agolli thonë
se policia nuk po heton siç duhet
për zhdukjen e vajzës. "Vetëm ato
që kemi deklaruar ne di policia.
Asgjë më tepër", thotë Maksimi,
babai i Xhuljetës 15-vjeçare.
Babai thotë më tej se ka frikë
mos vajzën e kanë vrarë. "Unë
kam frikë se ata që e kanë rrëmbyer
e kanë vrarë vajzën, pasi nuk
kanë mundur që ta nënshtrojnë.
E njoh temperamentin e vajzës
sime, që është një temperament
rebel dhe për këtë kam frikë",
thotë Maksimi. Ndërsa Ylmia,
nëna e vajzës së zhdukur, tregon
se "tre netët e fundit, në të njëjtën
orë, rreth orës 18:00, kanë marrë
telefonata anonime në shtëpi.
Nuk ka folur asnjë njeri, por është
dëgjuar një femër që bërtiste sikur
po e rrihnin e dhunonin fizikisht.
Unë e njoh zërin e Xhuljetës dhe
m‘u duk se ishte ajo". Ylmia tregon
se për këto telefonata ka sinjalizuar
grupin e hetimit që po merret
me gjetjen e vajzës së saj, por
nuk fsheh dyshimet pse policia
nuk ka arritur të zbardhë këto telefonata
kërcënuese të tri ditëve të
fundit.
Policia
Burime nga Seksioni i Antitrafikut
dhe ai i Rendit në Drejtorinë
e policisë së Qarkut Fier,
pohojnë për "Shqip" se një grup
prej 12 agjentësh policie janë mobilizuar
në operacionin e kërkimit
të vajzës së mitur. Kontrollet janë
intensifikuar në të gjitha klubet e
natës në Fier, Lushnjë dhe Mallakastër,
ndërkohë që konfirmohet
se është arritur në një marrëveshje
me pronarët e hoteleve
dhe moteleve, që në rast se vajza
paraqitet aty, të sinjalizojnë policinë.
Policia e Fierit ka marrë një
sinjalizim të fundit se vajza është
parë në një klub nate në zonën e
Roskovecit. Policia nuk ka mundur
të identifikojë klubin e palicencuar,
por ka kryer kontrolle në
të gjitha bareve, restorantet dhe
hotelet në zonë. Burimet policore
tregojnë gjithashtu se nga kontrolli
i telefonit të zjarrfikësit
Bardhyl Muçaj, i cili u shoqërua
dhe u mor në pyetje disa ditë më
parë, ka rezultuar se numri i 15-
vjeçares ka qenë i regjistruar në
aparatin e tij celular dhe se ky i fundit
ka komunikuar shpesh në telefon
me vajzën jo vetëm nga numri
i punës 128, por edhe nga celulari
i tij. Nuk bëhet e ditur nëse
Muçaj ka dhënë orientim të saktë
mbi vendndodhjen e të miturës,
por ajo që konfirmohet nga policia
ka të bëjë me faktin se Muçaj
është i martuar dhe ka katër fëmijë.
Policia është në kërkim edhe
të dy automjeteve me të cilat
mendohet të jetë larguar nga fshati
15-vjeçarja. Sipas policisë,
bëhet fjalë për dy automjete, një
me ngjyrë të gri dhe një me ngjyrë
të kuqe, që kanë rënë në sy të banorëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›