Epoka e Rugovës
Formimi intelektual dhe shkencor i dr. Rugovës ndërlidhet ngushtë me kërkimin në arketipat e kulturës dhe të identitetit shqiptar. Njohja e kulturës orale, këngëve të kreshnike, Kanunit etj., pastaj njohja dhe identifikimi me figurat e mëdha të kulturës e të historisë kombëtare i shërbyen atij si premisa për ta ndërtuar një model të veçantë të kërkimit të identitetit personal në arealin e madh të kulturës e të dijeve nacionale. Rrjedhimisht, ai e ndërtoi një model sipas të cilit kërkimi dhe njohja e arketipave shërben për ta ruajtur “frymën”, nga e cila buron edhe veprimi politik. Le të ndalemi për një çast tek (arki) struktura e mendimit rugovian, për ta kërkuar jo vetëm parabazën historike, por edhe atë shëmbëllyese, duke i eksplikuar edhe figurat përfaqësuese të tyre, për ta provuar pastaj interpretimin e strukturës së mendimit rugovian, të mbështetur krejtësisht mbi premisa nacional-kulturore. Skënderbeu / Programi mesjetar evropian. Tashmë u tha se për formimin kulturor e intelektual të dr. Rugovës rol të pakapërcyeshëm ka mbështetja në kërkimin dhe identifikimin me shenjat e identitetit nacional, të cilat ai i kërkonte veçan. Ato i kanë shërbyer atij si premisa për konceptin e tij, i cili mbi të gjitha mund e duhet të quhet koncept intelektualist, qoftë në raport me strukturën e të menduarit, qoftë në mënyrën e sjelljes politike karshi situatave historike. Figura historike e Skënderbeut paraqet njërën nga premisat mbi të cilat mbështetet koncepti politik i dr. Rugovës. Të shpjegojmë: mbështetja në figurën e heroit nacional shqiptar nuk u referohet shumë rrethanave historike as figurës historike, sa strukturës së mendimit të tij, e cila në interpretimin e Rugovës shërben si arkistrukturë mbi të cilën ndërtohet një koncept i të menduarit dhe i sjelljes në raport me intencën e kolektivitetit dhe me përmasën e gatishmërisë për përfshirje personale në të. Më saktësisht, Rugova i referohet atij që sot quhet program mesjetar evropian i Skënderbeut, konceptit të tij për t’i mbrojtur vlerat perëndimore të vendit të tij, si dhe mbrojtjes së lirisë së tjetrit po kaq sa edhe të vetvetes, e cila për rrjedhojë pati shpalljen e tij “Atlet i Krishtit” nga Papa dhe njohjen e tij në histori si mbrojtës i Krishterimit. Ky program i një orientimi të ri drejt Perëndimit, qoftë kur është njohur, sikur ngjet te një pjesë e romantikëve shqiptarë, qoftë kur është shqyrtuar pavetëdijshëm, është përfillur si program me orientim themelor integrues. Programi integrues mesjetar i Skënderbeut ishte program i ndërtuar mbi një platformë religjioze, e cila mbrojtjen e Krishterimit nga stuhia otomane e shpallte si koncept politik, por edhe si mundësi reale për realizim praktik të synimit të përbashkët për ndarje të vlerave qytetëruese evropiane. Rrjedhimisht, edhe platforma politike e Skënderbeut duhej të ishte ndërtuar mbi këto premisa, por transcendencat e saj janë reflektuar në mënyrën tradicionale të të menduarit në shoqërinë shqiptare. Kodi i lirisë universale të cilit i referohej programi mesjetar i Skënderbeut gradualisht është shndërruar në kod të brendshëm, të cilin shqiptarët as e kanë shpallur ndonjëherë si platformë, as kanë pasur nevojë ta bëjnë këtë, sepse duke jetuar së brendshmi ai ka determinuar edhe mënyrën e orientimit nacional dhe të sjelljes karshi tjetrit. Pikëprekja me këtë program në filozofinë politike të Rugovës nuk është e shpallur, ajo është e shtresuar në kohë dhe në mënyrën tradicionale të të menduarit për fatin e etnisë. Struktura e të menduarit të Rugovës, e mbështetur thellësisht në tiparet e tradicionalitetit, por që e shpall si program synimin integrues, është derivat i një vlerësimi të diversitetit si vlerë. Kodi kristian / Vlerat morale. Përcaktimi për parimet morale duhet të ketë edhe shëmbëllimin në figura po kaq të mëdha të moralitetit dhe shembulli i Nënë Terezës është pakrahasimisht më i vyeri. Me figurën e saj identifikohet një lëvizje morale, e cila parimin e shëlbimit e institucionalizon në vetëdijen kolektive të shqiptarëve, duke mbëltuar gatishmërinë për të shërbyer si shembull moraliteti njerëzor. Po t’i shtohen kësaj edhe përmasa e oralitetit dhe e kodeve të mëdha të identitetit nacional, të cilat kanë determinuar mënyrën e sjelljes së shqiptarëve përgjatë historisë, është më se i kuptueshëm modeli i përfaqësimit çfarë përbën sot dr. Rugova: nga një njeri i idealitetit me parabazë historike dhe morale, në veprim politik që ruan shenjën e tradicionalitetit dhe të frymës, e cila e shpie konceptin politik drejt një drejtpeshimi të vazhdueshëm mes tradicionales dhe integrueses, edhe kjo shenjë tipike e përcaktimit për modelin: shëlbim mbi baza morale duke ikur nga krenia e tepërt. Është po ky moralitet që e shpie Rugovën në lexim të përkryer të shenjave të religjiozitetit ndër shqiptarë. Sipas tij, toleranca në histori është edhe rezultat i kulturës religjioze, e cila burimin e ka në idenë evropiane. Madje edhe kur thotë për veten se i përket besimit islam dhe se besimi i tij është islami simbolik, i papërfshirë nga rituali, ai beson se islami ndër shqiptarë është tradicionalisht islam evropian, i cili mbështetet në kode kulturore po aq sa në kodet e religjiozitetit. “Bota ideale” / “Religjioni politik”. Për dr. Rugovën pjesëmarrja në politikë shenjonte krijimin e një religjioni politik të modernitetit. Kthimi në traditën më të mirë të popullit të tij për ta hetuar prejardhjen e nacionit dhe kuptimësinë e tij për vlerat universale është produkt i kësaj mendësie. Qëndrimi i tij politik ndaj këtyre vlerave është i krahasueshëm vetëm me qëndrimin politik të Abraham Linkolnit, i cili (në interpretimin moral-politik të Deklaratës së Pavarësisë, aprovuar nga Xhefersoni) e shtyu fatin e tij personal drejt moskuptimit për më shumë se dy shekuj, drejt vetmisë së madhe të krijuesit mendor dhe drejt paradoksit të madh jetësor e politik. Linkolni dëshironte që të drejtat individuale t’i përfshinte brenda një ideologjie të përgjithshme të jetës njerëzore, duke e ndërtuar parimin moral të vlefshëm jo vetëm për individin, por edhe për jetën njerëzore, duke synuar përfarimin e kodeve morale të qenieve individuale dhe kulturat personale ose nacionale, në një platformë universale për njerëzimin, e cila do të interpretohej si inkarnacion i idealitetit dhe i humanizmit, sikur thuhet “jo vetëm për një vend në një kohë, por për të gjitha vendet në çdo kohë” (Xhek Kemp). Abraham Linkolni i transformoi kështu pikëpamjet morale të Xhefersonit në parim të politikës morale, e cila mbisundon politikën amerikane edhe sot. Por, a nuk dukej në fillim edhe vetë Deklarata e Pavarësisë një projekt utopik, i cili duke synuar lirinë universale rrezikonte të humbte baraspeshën e brendshme në Amerikë? Dhe, më tej, a nuk dukej po kështu paksa utopik, madje jo vetëm në fillimet e tij, por edhe shumë vite pas krijimit të lëvizjes për liri në Kosovë, edhe projekti i dr. Rugovës për ta fituar lirinë e brendshme si masë për ta balancuar kundërvënien e dhunshme në vitet ‘90? Cili, pra, qenkësh fati i projekteve të mëdha nacionale, të cilat nisin në idealitet kulturor a nacional-kulturor dhe si përfundojnë ato në veprim pa humbur në detin e ideve për lirinë si koncept abstrakt? A mund të përfshihet ideja për lirinë universale si parim themelor politik në një projekt përtejshtytës të mendimit dhe të veprimit politik? Më tej, a kishin të drejtë studiuesit e djeshëm teksa e quanin deklaratën e Linkolnit si revolucion amerikan dhe a do të kenë të drejtë studiuesit e sotëm a të nesërm, të cilët mund të shohin në lëvizjen politike të viteve ’90 në Kosovë një epokë rugoviane? Kushedi, kapërcimi ndoshta do të jetë krejtësisht i pahetueshëm, por ai do të institucionalizohet vetvetiu në terminologjinë politike të shqiptarëve.
Nga libri: “Rugova: Vizioni nacional”