E Diel, 1 Nëntor 2026

Alvarez: Shqipëria skuadër e fortë, por më intereson vetëm skuadra ime

Andorra

Shqipëria do të përballet për të tretën herë në histori me Andorrën. Kuqezinjtë kanë një fitore përballë përfaqësueses nga Pirenejtë, por edhe një humbje (0-2 më 17 prill 2002). Kundërshtarët janë një Kombëtare e re në moshë dhe mjaft modeste në kualitet. Ndërkohë, miqësorja e sotme në Tiranë do të jetë ndeshja e dytë në krye të stolit për trajnerin Koldo Alvarez, i cili debutoi të shtunën e kaluar, me humbjen 4-0 përballë Islandës. 39-vjeçari, ish-portier i përfaqësueses së vendit të tij, ka qenë në fushë në fitoren e tetë viteve më parë përballë Shqipërisë. Alvarez, i cili është tërhequr nga futbolli i luajtur vetëm gjatë vitit të kaluar, synon që në “Qemal Stafa” të testojë disa futbollistë dhe të provojë taktikat e lojës. Trajneri i Andorrës deklaroi: “Shqipëria ka një skuadër të fortë dhe lojtarë mjaft me peshë. Megjithatë, në këto momente më intereson vetëm skuadra ime. Një prej objektivave të mi në këtë ndeshje është që të provojmë sa më shumë lojtarë, të cilët do të ndihmojnë skuadrën në eliminatoret e Europianit. Në ndeshjet si kjo në Tiranë, jemi më tepër të interesuar për Andorrën. Po mundohemi të përcaktojmë se cilat do të jenë taktikat dhe strategjitë më të mira për përfaqësuesen tonë, e të përgatisim lëvizjet e lojtarëve në fushë. Duhet të përfitojmë nga miqësore të tilla dhe të shohim se në çfarë niveli jemi”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›