Leo Mesi beson te shanset e Argjentinës në Botërorin 2010
Ylli i Argjentinës, Lionel Mesi, është shprehur optimist për shanset e vendit të tij për fitoren në Kupën e Botës 2010. “Selesion” do të kërkojë të triumfojë për herë të parë që prej vitit 1986, ndërsa sulmuesi i Barcelonës do të jetë lojtari kryesor i ekipit të drejtuar nga Diego Armando Maradona në Afrikën e Jugut. Edhe pse kanë një përfaqësuese shumë të fortë, argjentinasit nuk cilësohen si favoritë për të marrë trofeun, megjithatë Mesi beson se ata e kanë potencialin për të luajtur në finale. “Më duhet ta pranoj se po pres me padurim startin e aktivitetit dhe dëshiroj të tregoj se ndoshta ka ardhur koha që Argjentina të shpallet sërish kampione e botës”, deklaroi 22-vjeçari. “Për të triumfuar të gjithë duhet të bëjnë një sforco të madhe, megjithatë përfaqësuesja jonë ka lojtarë të jashtëzakonshëm dhe që gëzojnë një formë shumë të mirë. Këto elemente janë mjaft të rëndësishme. Nuk jemi aspak të mërzitur përse nuk na konsiderojnë si një prej favoriteve të këtij botërori. Përkundrazi, kjo mund të jetë pozitive për skuadrën tonë. Megjithatë, dua të saktësoj se nuk jemi të shqetësuar rreth faktit se çfarë mendojnë njerëzit. Do të bëjmë vetëm detyrën tonë, e cila është të marrim rezultate pozitive dhe të shënojmë gola, falë të cilave do të kemi shansin të triumfojmë në botëror. I kemi hedhur pas shpine paraqitjet jo të mira gjatë eliminatoreve dhe tashmë ndihemi më të qetë. Mbetet të shohim nëse kjo do të ndikojë në lojën tonë. Besoj se sapo të fillojë aktiviteti, të gjithë do të shihni një ndryshim rrënjësor në paraqitjet e Argjentinës”. Kritikat ndaj trajnerit Maradona në drejtimin e skuadrës nuk kanë munguar, por Mesi deklaron se “Pibe de Oro” ka bërë një punë të mirë. “Maradona është një personalitet i jashtëzakonshëm në botën e futbollit dhe një legjendë për të gjithë ne argjentinasit. Të gjithë në ekipin Kombëtar kanë besim tek ai”, shtoi “pleshti”. “Stafi teknik dhe lojtarët qëndrojnë së bashku dhe grupi është mjaft solid. Të gjithë do të luftojmë për të ecur sa më shumë që të jetë e mundur. Për mendimin tim, Diego është një trajner, i cili i qëndron mjaft pranë lojtarëve të tij: ndryshe nga ndonjë teknik tjetër, ndodhet gjithmonë pranë skuadrës. Ai është një prej nesh dhe ky fakt mjafton që të kemi shumë besim”.
Ndërkohë, Diego Maradona ka konfirmuar se zërat që ka ngjitur parulla me shkrimin “ëndërro fitoren dhe do t’ia arrish” në dhomat e futbollistëve. Një mënyrë për të karikuar skuadrën në prag të aktivitetit më të rëndësishëm për ekipe përfaqësuese. Trajneri e ka shndërruar grumbullimin e Argjentinës në Pretoria në një “bunker”: skuadra vazhdon stërvitjen me dyer të mbyllura, formacioni titullar u mbahet i fshehur edhe disa anëtarëve të stafit, ndërsa për ta izoluar ekipin nga sytë kuriozë të mediave dhe tifozëve, Maradona ka urdhëruar mbulimin e të gjithë fushës ku “selesion” zhvillon stërvitjet. Tekniku është përqendruar kryesisht në punën taktike me lojtarët, por vazhdon të mos tregojë se çfarë skeme do të përdorë. Argjentinasit do të debutojnë në Grupin B më 12 qershor, ku përballë do të kenë Nigerinë.
#