Amanetet e Dobrica Qosiçit
Faji serb është diskursi kryesor në shpërbërjen gjakderdhëse të Jugosllavisë, njërës prej temave më interesante, me të cilat është marrë bota në kalimin mes dy shekujve. Në vazhdën e këtij diskursi, kontributin më të ri kësaj historie rashomane e dha edhe shkrimtari nacionalist serb, i njohur edhe si babai i kombit serb, Dobrica Qosiç.
“Ne duhet të shohim se në luftën vetëmbrojtëse, serbët kanë bërë gabime të pariparueshme dhe krime të mëdha, si shkatërrimin e Vukovarit, sulmin me raketa ndaj Zagrebit, granatimin e Sarajevës, vrasjen masive të myslimanëve në Srebrenicë… Ne nuk mund të shërohemi si komb, në qoftë se në mënyrë të ndërgjegjshme nuk flasim për mashtrimet tona dhe krimet që kemi bërë në Luftën e Dytë Botërorë, luftën civile, në kohën e titizmit, dhe gjatë regjimit të Millosheviçit me kroatët, myslimanët dhe shqiptarët. Në qoftë se të gjithë heshtim, atëherë të gjithë jemi fajtorë”.
Kush do ta paramendonte se këto fjalë do i fliste Dobrica Qosiç, shkrimtari nacionalist, i cili, siç e cekëm edhe më sipër, njihet si udhëheqës shpirtëror i popullit serb. E bëri këtë muajin e kaluar në vendlindjen e tij, Trstenik, në takimin e organizuar për portretin e tij letrar.
Këtë fjalim historik të Dobrica Qosiç e ka botuar javorja serbe “NIN” në muajin tetor, me titullin profetik “Humbjet tona nuk janë mbyllur”.
Njerëzit që e njohin këtë shkrimtar nacionalist serb nuk mund të mos pyesin nga vjen ky ndryshim dhe pse bash tani, pas shumë vitesh, ai i ballafaqon serbët me krimet e mëdha që iu kanë bërë popujve, me të cilët kanë jetuar më shumë se 7 dekada.
Vetë Qosiç deklaron se për të kërkuar falje për krimet serbe, atë e ka nxitur filozofi i madh gjerman Karl Jaspers me librin e tij “Pyetja e Fajit”.
Kjo nuk mund të jetë edhe aq bindëse, sepse, siç dihet, ky libër është botuar para 60 vjetësh. Duke eliminuar çdo lloj krahasimi të humbjes së luftës gjermane me atë serbe, Qosiç gjithsesi pranon se nga libri i Jaspersit: “serbët duhen të nxjerrin disa mësime, të cilat ia vlen të respektohen”.
Nga ky aspekt, ky fjalim i Qosiçit jo vetëm që është historik, por është edhe shumë befasues! Fillimisht lexuesi mendon se bëhet fjalë për ndonjë katarsis shpirtëror të Qosiçit. Por jo, siç duket pleqëria ka bërë të veten dhe Qosiç këtë manifestim e shfrytëzon për t’iu lënë bashkëkombësve të tij testamentin apo amanetin e fundit. Ndër to më kryesorja: “se zbardhja e fajit serb është detyra më me përgjegjshmëri dhe më morale e dijetarëve dhe intelektualëve bashkëkohorë serbë”.
Mirëpo, në të njëjtën kohë, Qosiç nuk distancohet dhe nuk tërhiqet nga tezat e tij të mëparshme, se serbët ishin viktima të mashtrimeve të tyre për krijimin e Jugosllavisë. Ky, sipas tij, ka qenë gabimi fatal i kombit serb, duke ironizuar në të njëjtën kohë, kur deklaron se edhe këtë radhë: “Serbia, po të donte, fare lehtë mund të ishte në anën e fituesve gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë. Na duhej vetëm t’i viktimizonin 2.500.000 serbë duke i lënë të masakrohen nga ushtritë e ustashëve kroatë dhe muxhahedinëve boshnjakë”. Pra, ai prapë mbron tezën se në fakt luftën në shpërbërjen e Jugosllavisë e kanë nxitur ata, të cilët janë shpallur si viktima serbe. Me këto teza, Qosiç edhe më tej amniston regjimin e Sllobodan Millosheviçit dhe politikën e tij kriminale, së cilës për një kohë relativisht të gjatë i shërbeu edhe vetë personalisht. Njihet fakti se pas prishjes me Millosheviçin, Dobrica Qosiç e kritikoi atë, jo për krimet e bëra ndaj popujve të tjerë, por për “udhëheqjen dëshpëruese të luftës”.
Mashtrimet e vjetra Qosiçin edhe këtë radhë e kthejnë prapë aty ku ai ndihet më rehat dhe më së miri, në mbretërinë e ideve serbomëdha. Republika Srpskan e konsideron si “fitore historike të kombit serb”, e në të njëjtën kohë kërkon nga populli serb të mos harrojë “padrejtësitë që i janë bërë” e këtu në radhë të parë ka parasysh ndarjen e Kosovës!
Në këtë ballafaqim me qytetarët, duke iu lënë amanetet, Qosiç u kujton atyre se në nëntorin e vitit 1945 në fushatën e atëhershme elektorale, në pazarin e vendlindjes së tij, Trstenikut, si kandidat për deputet popullor për në parlamentin komunist serb të atëhershëm, iu kishte premtuar bashkëvendësve të tij socializmin dhe një të ardhme më të mirë. Por, sipas tij, ndodhi e kundërta. “Fituam titizmin, i cili më vonë u dëshmua si shkaktar i shkatërrimit të qenies popullore serbe dhe i të ardhmes së pafat”.
Në këtë ballafaqim me popullin, por edhe me ndërgjegjen, Dobrica Qosiç pranon se në vitin 1941 “nuk mundi që të inkuadrohet në forcat nacionaliste çetnike”, duke iu bërë me dije bashkëqytetarëve të tij se “këtë as sot nuk do mund ta bënte”.
Sipas shumë bashkëkombësve të tij, Dobrica Qosiç, shkrimtari i romanit “Daleko je Sunce” (“Dielli është larg”), ka kohë që i ka tradhtuar idealet e rinisë.
Propagandën dhe luftën për idetë serbomëdha, Qosiç e filloi në mesin e viteve gjashtëdhjetë, kur atë e dëbuan nga SKJ (Lidhja Komuniste e Jugosllavisë) për nacionalizëm.
Qosiç në opinionin shqiptar mbahet mend sidomos pas Kushtetutës së vitit 1974 - kur Kosovës iu dha statusi i njësisë kushtetuese, i barabartë me republikat e tjera të Jugosllavisë. Qosiç atëherë pati deklaruar se “populli serb gjithmonë ka fituar në luftë, por humbur në paqe”.
Babai shpirtëror i kombit serb njihet edhe për përkrahjen pa rezerva që i dha regjimit të Sllobodan Millosheviçit dhe programit të tij politik. Do mbahet mend deklarata e tij se Millosheviçin e konsideron “politikanin më të madh serb pas Nikolla Pashiçit”. Por ai do të mbahet mend edhe për faktin se, kur ishte president i të ashtuquajturës Jugosllavi, me presidentin e atëhershëm kroat, Franjo Tuxhman ,ishin dakord për “dëbimin human të popujve”, e që në fakt nuk ishte asgjë tjetër pos pastrim etnik.
Dobrica Qosiç pas shumë mosmarrëveshjeve me Millosheviçin, të cilat kryesisht ishin për mos-udhëheqjen e suksesshme të luftës në Kroaci dhe Bosnjë, largohet nga posti i kryetarit të shtetit.
Duke i dhënë kontributin politik dhe letrar portretit të vet, Qosiç, në vendlindjen e tij, në Trstenik, fajin e popullit serb dhe të vetin për tragjedinë e madhe njerëzore që ka ndodhë në hapësirën e shteteve të ish- Jugosllavisë e mjegullon, duke e arsyetuar me kohërat e këqija dhe deklaron: “Ishin kohëra, kur gati të gjithë, pak më shumë e pak më pak, kemi vepruar dhe kemi folur pa logjikë”.
Dihet se, kur të gjithë janë fajtorë, askush nuk është fajtor. Kjo logjikë do i përcjellë për një kohë shumë të gjatë serbët.