Qeveria vendos përfundimisht të largojë FMN
Përfundimisht një marrëveshje e re me Fondin Monetar Ndërkombëtar për të patur një përfaqësi të përhershme në Shqipëri nuk do të bëhet dhe që prej janarit qeveria shqiptare nuk do të monitorohet më nga ky mision. Këshilltarja e kryeministrit për Çështje të Ekonomisë, Suzana Guxholli, ka thënë dje se marrëdhëniet e qeverisë me Fondin Monetar Ndërkombëtar do të jenë shumë të mira dhe qeveria do të kërkojë herëpashere ndihmën e Fondin Monetar Ndërkombëtar, por nuk do të ketë marrëveshje të re për një përfaqësi të FMN në Tiranë. Zyrtarë të qeverisë thanë se “tashmë, Shqipëria hyn në një fazë të re bashkëpunimi me Fondin Monetar Ndërkombëtar, për faktin se kemi dalë nga statusi i vendeve të varfëra dhe në këtë mënyrë do të hartohet edhe një marrëveshje e re, e cila do të ketë më pak objektiva të vendosura nga ky institucion”. Kjo do të thotë se qeveria mendon se tashmë vendi ynë është një vend që e ka të sigurt qëndrueshmërinë ekonomike dhe politike. Këshilltarja për Ekonominë e kryeministrit saktësoi se do të ketë një marrëveshje të re me Fondin Monetar Ndërkombëtar, e cila do të qartësojë natyrën e re të bashkëpunimit, por nuk do të lejojë monitorimin e zhvillimeve të vendit si deri tani. Ministria e Financave ka bërë me dije se marrëveshja e re, e cila do të hartohet nga Ministra e Financave në bashkëpunim me FMN, do të konsistojë në këshillimin për projekte të veçanta. Këshilltarja e kryeministrit, ndonëse e shprehu qartë pikëpamjen e dhe vendimin e qeverisë për ndërprerjen e marrëdhënieve me FMN në kuptimin e pranisë së një misioni të përhershëm, tha se qeveria shqiptare do të mund t'i drejtohet FMN, sa herë ajo të ketë nevojë për projekte të veçanta, por nuk do të ketë një mbikëqyrje të përhershme, ashtu siç ishte në marrëveshjen, e cila përfundon në fund të këtij viti. Sipas zonjës Guxholli, ekonomia shqiptare tashmë është e stabilizuar dhe e konsoliduar plotësisht dhe asistenca e FMN do të jetë e herëpashershme, por në një mënyrë të re, pa objektiva e parametra. Qeveria shqiptare dhe Ministria e Financave kanë përmbyllur një nga raundet më të suksesshme të negociatave me Fondin Monetar Ndërkombëtar, negociata që konkluduan rishikimin tejet të suksesshëm të raundit të fundit të marrëveshjes PRGF-EFF dhe konsultimet mbi projekt buxhetin e vitit 2009”, - vijoi Guxholli. Një mision i FMN i kryesuar nga Gerwin Bell ishte për rreth një javë i pranishëm në Tiranë, për të përfunduar raundin e fundit të diskutimeve lidhur me marrëveshjen e 4 PRGF-EFF, e cila pritet të miratohet në Bordin e FMN në Uashington DC në fund të muajit janar të vitit 2009. Qeveria shqiptare prej 15 vitesh është anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar.