Tragjedia e Gjirokastrës, vetëdorëzohet bashkëpronari i firmës “Arti sh.p.k”
Është vetëdorëzuar dje edhe i akuzuari i fundit për tragjedinë e Gjirokastrës, bashkëpronari i firmës “Arti sh.p.k”, Aristotel Haxhi. Sipas policisë, ky i fundit fshihej në një zonë periferike të qytetit jugor. Tashmë, me arrestimin e Haxhit, numri i të prangosurve si përgjegjës për ngjarjen e rëndë të ndodhur mesditën e dielës, ku bumbën jetën tre persona, ka shkuar në 10
Arrestimi
Pesë ditë pas ngjarjes së rëndë të Gjirokastrës, dje është vetëdorëzuar edhe i akuzuari i fundit për këtë ngjarje, bashkëpronari i firmës “Arti sh.p.k”, Aristotel Haxhi. Sipas burimeve të policisë së Gjirokastrës, ai u dorëzua në komisariatin e këtij qyteti në orët e para të mëngjesit të djeshëm. “Aristotel Haxhi ishte shpallur në kërkim nga prokuroria e Gjirokastrës, pasi shoqëria e tij, “Arti sh.p.k”, po punonte për ndërtimin e godinës së re pranë pallatit pesëkatësh që u shemb të dielën në lagjen “11 Janari”, duke shkaktuar tre të vdekur dhe disa të plagosur”, - bëri të ditur policia e qytetit jugor. Policia e Gjirokastrës bëri të ditur se 30-vjeçari Aristotel Haxhi u dorëzua, pasi kishte qëndruar i fshehur në një zonë të periferisë, jo larg qytetit të Gjirokastrës. Numri i të arrestuarve për tragjedinë e Gjirokastrës tashmë shkon në 10 persona. Të arrestuarit e tjerë për këtë ngjarje, nën akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, janë Alfred Mamani, 49 vjeç, me arsim të lartë, shef i Urbanistikës në Bashkinë e Gjirokastrës, Admir Shehaj, 30 vjeç, përgjegjës në Inspektoratin e Ndërtimit në Bashkinë Gjirokastër, si dhe Afërdita Papamihali, 56 vjeç, sekretare e KRRT në Bashkinë e Gjirokastrës. Ndërsa për akuzën e “Shkeljes së rregullave në punë”, policia ka arrestuar Jani Ndriçon, 45 vjeç, ekskavatorist në firmën “Arti sh.p.k”, Thanas Llahanën, 58 vjeç, inxhinier gjeolog, Njazi Çobani, 45 vjeç, arkitekt i shoqërisë së ndërtimit “Arti sh.p.k”, Luan Bufin, 58 vjeç, inxhinier ndërtimi i shoqërisë së ndërtimit “Arti sh.p.k”, Sotiraq Janorën, 43 vjeç, president dhe drejtues teknik i shoqërisë së ndërtimit “Arti sh.p.k”. Ndërkohë, një ditë pas tyre, policia arrestoi edhe Gjergji Meçen, inxhinier zbatues i shoqërisë së ndërtimit “Arti sh.p.k”.
Transferimi në burgun e Bënçës
Pesë prej të akuzuarve si përgjegjës për shembjen e pallatit në Gjirokastrës, që u lanë dy ditë më parë në qeli nga gjykata e Gjirokastrës, janë dërguar mëngjesin e djeshëm për në burgun e Bënçës. Sipas burimeve të policisë, Gjergji Meçe, inxhinier zbatues, Luan Bufi, inxhinier ndërtimi, Afërdita Papamihali, sekretare e KRT pranë Bashkisë së Gjirokastrës, Alfred Mamani, shef i Urbanistikës në bashki dhe Sotiraq Janora, president dhe drejtues teknik i shoqërisë së ndërtimit “Arti sh.p.k”, janë shoqëruar rreth orës 11:50 të ditës së djeshme drejt burgut të Bënçës, 5 kilometra larg Tepelenës. Shoqërimi i tyre është bërë nën masa të forta sigurie. Ndërkohë, dje është dhënë masa e sigurisë dhe për të pesë të pandehurit e tjerë, të cilët, ashtu si të akuzuarit e tjerë janë lënë në qeli nga ana e gjykatës deri në përfundimin e hetimeve nga ana e organit të akuzës.
Kompensimi
Teksa pallati i tragjedisë në qytetin e Gjirokastrës është shembur plotësisht, tashmë pritet që të miratohet edhe fondi për sigurimin e strehimit të familjeve të mbetura të pastreha. Kështu, kryebashkiaku, Flamur Bime, gjatë një takimi me stafin e bashkisë, ka folur dje për kompensimin që do t'i bëhet familjeve të dëmtuara nga shembja e pallatit. Sipas tij, duke u nisur nga vlera e tregut, vetëm për shtëpitë e shkatërruara, dëmi është 63 milionë lekë. Ndërsa bashkë me orenditë, mësohet se shifra totale e dëmit të shkaktuar nga shembja e pallatit shkon në 80 milionë lekë. Për kompensimin e familjeve të dëmtuara nga shembja e pallatit, tashmë pritet vetëm vendimi i Këshillit të Ministrave. Ndërkohë, mësohet se janë ngritur dy grupe pune, grupi i parë merret me akomodimin, ushqimin dhe të gjitha nevojat e familjarëve që u përballën me këtë tragjedi dhe grupi i dytë do të merret me verifikimin e situatës ndërtimore dhe gjeologjike të qytetit, duke u mbështetur edhe nga specialistë të fushës.
Hetimet
Në kuadër të hetimeve për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë të ndodhur në Gjirokastër, organi i akuzës bëri të ditur se është duke kryer të gjitha hetimet për të vënë para përgjegjësisë autorët e tragjedisë. Kështu, prokuroria e Gjirokastrës ka ngrirë të gjitha llogaritë bankare, si dhe pasuritë e paluajtshme të shoqërisë së ndërtimit “Arti sh.p.k”, pronarët e së cilës nga hetimet e deritanishme rezultojnë si shkaktarë të shembjes së pallatit pesëkatësh, ku humbën jetën tre persona. “Urdhri për ngrirjen e të gjitha llogarive bankare është konform kuadrit ligjor dhe zbatimi i tij do të kryhet nga Sektori i Luftës Kundër Krimit Ekonomik-Financiar pranë Drejtorisë së Policisë së qarkut Gjirokastër”, - thanë burime zyrtare nga prokuroria. Sipas tyre, gjatë ngrirjes së llogarive, u konstatua nga specialistët se, firma “Arti sh.p.k.”, figuronte me dy emra, atë të administratorit, Sotiraq Janora, tashmë i ndaluar nga policia, i cili ka firmosur pronësinë e llogarisë edhe në emër të shtetasit Aristotel Haxhi. Ky i fundit është vetëdorëzuar ditën e djeshme në rajonin e policisë, pasi ishte shpallur në kërkim që prej pesë ditësh. Sakaq, po këto burime bënë të ditur se organi i akuzës ka bllokuar në cilësinë e provës materiale të gjitha dokumentet zyrtare që janë protokolluar në Bashkinë e Gjirokastrës, në lidhje me lejen e ndërtimit të pallatit tetëkatësh nga ana e shoqërisë “Arti” sh.p.k.