E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërtimi në 9 muaj ka rënë me 20%, rrezikohet rritja ekonomike

Nga Fitim Zekthi

Sektori i ndërtimit deri në shtator të këtij viti arriti një nivel të shitjeve rreth 20% më të ulët sesa vitin e shkuar, ndërkohë që rënia u pasqyrua edhe në sasinë e sipërfaqeve të ndërtuara dhe në volumin e punimeve të kryera. Të dhëna zyrtare thanë dje se sektori i ndërtimit ka zvogëluar kontributin e tij në rritjen ekonomike të vendit nga 12% që ishte vitin e kaluar për nëntë muajt e parë të vitit në rreth 8% gjatë këtij viti. Në të vërtetë, rënia në sektorin e ndërtimit gjatë këtij viti është vijim i rënies së nisur që prej tre vitesh, megjithëse këtë vit ajo është më domethënëse. Të dhënat thonë se, në rast se nuk do të ishte rruga Durrës-Kukës, e cila merr një sasi të madhe parash dhe kryen një volum të madh punimesh, sektori i ndërtimit do të ishte në gjendje më të dobët sa i takon të dhënave. Numri i lejeve të ndërtimit ka qenë rreth 25% më ulët, por nuk ka qenë vetëm rënia e numrit të lejeve shkaku i rënies në ndërtim. Çmimet e materialeve të ndërtimit janë rritur me rreth 22% tregojnë të dhënat dhe shitjet e pakta kanë penguar rigjenerimin e fondeve. Çmimet në ndërtim gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti janë rritur më pak nga sa ato janë rritur nga viti në vit. Kjo është një tjetër shenjë se ky sektor është në vështirësi. Banka e Shqipërisë ka shprehur shqetësimin se rënia në ndërtim mund të japë efekt të shpejtë në rënien e rritjes ekonomike të vendit duke qenë se ky sektor është kontribuuesi më i rëndësishëm në ekonominë e vendit ose është sektori me kontributin më të madh. Fondi Monetar Ndërkombëtar tha dy ditë më parë se vendi rrezikon të përgjysmojë rritjen ekonomike dhe kjo më së shumti për shkak të gjendjes së ekonomisë botërore, e cila do të bënte që më pak pará të vinin nga emigrantët, do të ulte eksportet etj. Rënia e ndërtimit në një përqindje të tillë prej 20% është shumë e rëndësishme për të bërë më kritike nivelin e pritshëm të rritjes ekonomike. Sektori shtetëror ka arritur të kryejë një volum punimesh dhe të shpenzojë një sasi parash në ndërtim më të madhe sesa vitin e kaluar, ndërsa rënia është te biznesi privat. Fakti që rënia në ndërtim i vishet e tëra biznesit privat dëshmon se disa tregues të tjerë kanë rënë, siç janë fuqia blerëse, kostoja e prodhimit, klima për të marrë një leje ndërtimi etj. Në të vërtetë, të dhëna të Bankës së Shqipërisë thonë se edhe transporti dhe industria e prodhimit me fason janë duke përjetuar momente te këqija. Banka e Shqipërisë ka qenë që herët e shqetësuar për zhvillimet në sektorin e ndërtimit dhe ka thënë se rënia në atë sektor mund të sjellë dobësim të gjithë ekonomisë pasi edhe sistemi bankar shumicën e kredive aty i ka dhënë. Kjo do të thotë se rëniet në ndërtim mund të çojnë në rritjen e numrit të kredive të këqija.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›