E Diel, 1 Nëntor 2026

Arben Malaj: S’mund të shpërfillet greva e deputetëve, sikur s’ka ndodhur asgjë

Nga L.Progni

Anëtari i Kryesisë së PS, njëherësh deputeti i kësaj partie, Arben Malaj, u shpreh dje lidhur me grevën e urisë, duke theksuar se është një situatë, e cila nuk mund të shpërfillet. Duke iu referuar edhe seancës së djeshme parlamentare, në të cilën dhjetë deputetët e grevës së urisë ishin vendosur përballë kolegëve të tyre deputetë të ulur në sallë, kryetarja e Kuvendit drejtoi seancën, e cila tentoi të kalohej pa marrë parasysh se një grup deputetësh gjendeshin në atë sallë në ditën e katërt të grevës së urisë. Malaj e shikon këtë situatë si një përplasje ndërmjet deputetëve, atyre të grevës së urisë dhe kolegëve të tyre të ulur në sallë për të zhvilluar seancën normalisht dhe kjo për Malajn nuk mund të konsiderohet normalitet. Në intervistën dhënë për gazetën “TemA”, Malaj u shpreh dje se i kërkon kryetares së Kuvendit të krijojë kushtet normale për zhvillimin e seancës, ndërsa shprehet se greva e urisë së dhjetë deputetëve nuk mund të shpërfillet. Ai tha se ditët në vazhdim, parlamenti mund të përballët me një situatë më serioze, ndaj dhe duhet gjetur zgjidhja, pa përjashtuar mundësinë e uljes në bisedime me deputetët e grevës së urisë.

Zoti Malaj, ka zëra se disa deputet të PS kanë shprehur solidaritet me grevën e urisë së 10 deputetëve të LSI-PDK e PS91?

Në këtë reagim po ndalem në elementin etik dhe njerëzor, i cili nuk duhet në asnjë rast të ndërtohet mbi marrëdhënie “armiqësore” për qëndrime politikisht të kundërta.

Bëhet fjalë për vlerësim të situatës, sepse ditët e ardhshme parlamenti ka për të miratuar ligje shumë të rëndësishme dhe për këtë arsye është në detyrën e kryetares së Kuvendit të garantojë ambiente normale për zhvillimin e seancave parlamentare. Mua nuk më duket normale që ndërkohë që në sallë ndodhen deputetë në grevë urie, Kuvendi të vazhdojë punën sikur s’ka ndodhur asgjë.

Kështu që duhet gjendur një zgjidhje, përveç kontakteve që mbahen me grevistët, duhet gjetur mundësia që aktiviteti parlamentar të zhvillohet në normalitet që deputetët të mos përplasen mes tyre.

Do të thotë se ju jeni për solidaritet me grevistët?

Nuk bëhet fjalë për solidaritet politik, sepse Kodi Zgjedhor është hartuar përgjatë një procesi, në të cilin palët që kontestojnë kanë qenë të përfaqësuara në Komisionin e Reformës Zgjedhore. Por unë mund të them se nuk mund të përdoren deputetët në raste të tilla, për t’i përballur me kolegët e tyre në grevë, sa kohë që nuk është gjetur zgjidhja lidhur me çfarë disa deputetë kanë hyrë në grevë. Nuk duhet të krijohen marrëdhënie jo-korrekte ndërmjet deputetëve dhe nëse nuk zgjidhet çështja ose kriza e krijuar prej grevës, nuk mund të bëhet fjalë për zhvillim normal të seancave parlamentare. Është detyrë e kryetares së Kuvendit të garantojë normalitet në sallë për të zhvilluar seancat pa krijuar raporte jokorrekte ndërmjet deputetëve, e cila vjen për shkak të një situate, ku nuk është gjetur zgjidhja e kërkesave të grevës. Sfidat e ditëve në vazhdim mund të na përballin me një seriozitet më konkret sesa bërja fakt i kryer i seancës parlamentare, ndërkohë që në sallë disa deputetë janë në grevë urie.

Ju thoni të nisin bisedimet me grevistët?

Asnjëherë nuk përjashtohen zgjidhje të tilla nëpërmjet bisedimeve, por në këtë intervistë unë s’kam ndërmend të ndaj kush ka të drejtë dhe kush jo. Por e rëndësishme është që seancat plenare të zhvillohen normalisht, të krijohen kushte për këtë. Nisur nga kjo, mund të them se kriza e krijuar duhet parë me seriozitet dhe se nuk është mirë që nëpërmjet bërjes fakt të kryer të zhvillimit të seancave, pavarësisht se në sallë gjenden deputetë të grevës së urisë, të acarohen marrëdhëniet ndërmjet deputetëve, parë kjo nga ana njerëzore, por edhe politike.

Nuk është e moralshme politikisht ajo që provokohet publikisht nga politikanë dhe analistë të së djathtës, se kjo është thjesht krizë midis PS dhe LSI. E para, sepse PD deklaron se procesi ka synuar konsensusin e të gjitha forcave politike dhe më kryesorja për elementët thelbësorë të ligjit të kontestuar nga partitë e tjera parlamentare është vendosur me konsensus. Jo i parëndësishëm është fakti që në grevë janë gati proporcionalisht në mënyrë të barabartë me kolegët e LSI, deputetë të PDK, deri para pak ditësh, parti qeverisëse. Në këtë aspekt kredibiliteti i procesit, i diskutimit dhe miratimit të ligjeve dhe sidomos kredibiliteti i gjithë procesit zgjedhor janë shumë të rëndësishme, kjo përgjegjësi nuk duhet anashkaluar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›