Flamuri, në kërkim të njerëzve pro Dukës
Antena brenda familjes
Dje, Flamuri ka qenë i zënë gjatë gjithë ditës. Ai burri e mori në telefon nga Brukseli dhe e urdhëroi të lidhej me Frangajn, se ashtu kishte një punë. Fillimisht Flamuri e mori lehtë punën. Mendoi se ishte ndonjë punë lejesh a privatizimesh nga ato që kërkon Frangaj çdo ditë. Po ishte dhe më keq. Duhej të gjente zyrtarë të PD në rrethe që të dilnin në TV “Klan” dhe të thoshin që ne nuk e shikojmë Ligën e Kampioneve te “Vizion Plus” dhe e duam te Supersporti.
- Bela e madhe, - tha Flamuri me vete. - Se do vinte dita dhe do isha në dispozicion të Armando Dukës s’më kishte shkuar në mendje. Kam dy ditë, - tha, - që jam bërë ushtar i tij. Kam vënë gjithë PD në dispozicion për të mbrojtur Mand Dukën.
I mërzitur siç ishte, shkoi në kafe dhe filloi të bëjë telefonata.
I ra Gjirokastrës. Kryetari i PD nuk ishte. Sekretari ishte një mik i tij, të cilit nuk kishte si t’ia shpjegonte këtë punë. E pyeti kot, si je, ç’po bën dhe i vinte zor t’ia thoshte. S’i t’i thoshte, ka një hall Duka dhe duhet ta ndihmoni. Eh pikë e zezë ç’e gjeti. E pyeti me takt: “A kemi ne njerëz të Xhuvelit në punë në Gjirokastër?”
- Kemi, - tha ai. - Kemi një Foto Zëra. Është shef i bujqësisë.
- Shumë mirë, - tha. - Ma gjej pak këtë, se dua të flas.
Ia gjeti dhe Foton pas 5 minutash dega e PD. Flamuri tanimë më pak në siklet nisi bisedën.
- Dëgjo Foto, - i tha. - Mbylle pak derën mos të dëgjojë njeri, se ashtu është një punë. Do vijnë ata të TV “Klan”-it, do të marrin një intervistë.
- Le të vijnë, - i tha Foto. - Shumë mirë i kemi punët. Sivjet s’kemi pas përmbytje në Gjirokastër. Fushat e Dropullit nuk janë mbjellë, se s’ka njeri dhe s’kemi ndonjë problem. Në blegtori ka rënë sëmundja e plasjes dy herë, por pa shumë pasoja…
- Lëri, lëri këto, se e di unë që keni arritje, po kam diçka tjetër.
- Fol shef Flamuri, mos ki merak se unë kam respekt për ty. Dhe ministri im nuk të lëshon nga goja. I vetmi kuksian, me të cilin shkoj mirë, thotë…
- Po prit mor burrë tani se nuk është punë bujqësie, ndaj të thashë mbyll derën…
- Urdhëro shef Flamuri, e mbylla.
- Dëgjo, do vijnë ata të TV “Klan”-it dhe do të pyesin ku i shikon ndeshjet e Ligës së Kampioneve. Ti do thuash nuk i shikoj fare që kur nuk i transmeton më Supersporti. Se kush i jep një televizion tjetër, thuaj, por nuk shikohet në Gjirokastër.
- Po prit ta mbaj shënim shef Flamuri, se të them të drejtën unë nuk shikoj fare sport dhe i ngatërroj këto ndeshjet. Si quhen këto, ndeshjet finale të kampionatit the?
- Jo, jo, quhet Champions League, si ta them shqip, Çampions Ligë.
- Aha e kuptova, domethënë këto janë ndeshje të liga, - tha Foto.
- Jo mor burrë, mos i bë lëmsh. Seç qenka një kampionat ky, dhe duhet ta blinte ky Frangaj me Mand Dukën, por ua ka marrë ai i “Vizion Plus”-it. Tani ne kemi interes të mbështesim këta të Supersportit, d.m.th., këtë Frangajn me Mand Dukën…
- Po patjetër shef Flamuri. Më vjen shumë mirë që keni reflektuar. Se unë jam i vjetër në këtë detyrë. Unë kam pasur dhe Dukën ministër Bujqësie. S’ka pas burrë më të mirë. Zotni burrë. Kam qenë në siklet gjithë këto vite që e shanit. Më vjen mirë tani që po e mbroni, dal e mbroj unë këtë. I marrshin të ligat kësaj Çampions Ligës këta. Dal unë e mbroj.
- OK, dil e mbroje, por si qytetar mos të kuptohet që je zyrtar. Mos e politizo, thuaj vetëm që nuk e shikojmë dhe nuk dimë kush e transmeton. Se është porosi nga ai burri.
- E di mo, e di . Ai është alamet burri. Po e njoh Dukën unë, e kam pas ministër.
- Nuk është porosi nga Agron Duka mor burrë, por nga ai burri, ai i joni.
- Aha, nga Mand Duka. Po, po, se ai është joni tani, ke të drejtë. Se është ortak me Frangajn. Pa problem se e zgjidh unë.
- Oh, ç’më gjeti me këta budallenj, - tha Flamuri i mërzitur. - Me këta dhe nuk sqarohesh dot, - tha, - se këta nuk e njohin fare këtë burrin. Dinë për burrë vetëm Gon Dukën dhe Mand Dukën.
E mbylli me Foton dhe u lidh me Shkodrën. Atje i ra shkurt, gjeti një nga bashkia dhe e mbylli.
Me Korçën, po nuk e kishte problem. Gjeti njërin atje që njihte atë korrespondenten e “Klan”-it.
- E kam timen, - tha, - mos ça kokë. Di unë si ia bëj asaj.
I lehtësuar i mbylli bisedat. E mori ai burri vonë. E pyeti se si shkoi ajo puna e njerëzve.
- Shumë mirë, - tha. - Gjeta në çdo qytet nga një. Kishin shumë respekt për Dukën, e bënë menjëherë.