E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amaneti i Xhonit

Në pranverë bëhet gati 1 vit, kur Xhoni, vetëm 11 vjeç, i sapoardhur nga Tepelena në Plazhin e Durrësit, u aksidentua pabesisht nga një autoveturë në një vend ku duhet të vrapojnë e luajnë vetëm fëmijët, e të rriturit, duhet të bëjnë shëtitje me hap të ngadaltë. Ndërsa luante mes rërës e bregut, vogëlushi u përplas nga një autoveturë e drejtuar nga një 19 vjeçare, viktimë e çmendurisë dhe e kulturës së dhunimit sistematik të ligjit edhe ajo. Prindërit, vëllezërit e Xhonit nuk gjejnë paqe. Në mendje kanë akoma Xhonin dhe ato fjalë që i vogli tha para se të vdiste në spital, para se të futej në dhomën e operacionit: “Xhaxhi doktor mos i merr lekë babit tim”. Për ata njerëz që nuk dinë, s’kanë provuar e mos provofshin ndonjëherë dhimbjen e largimit absurd nga jeta të një fëmije, do të këshilloja vetëm një film: “The Lovely Bones” (Mbetje të dashura) të Peter Jackson. Magjia e kinemasë mund të përcjellë, qoftë edhe në përmasa të reduktuara, marrëdhënien që krijohet mes prindërit dhe fëmijës së vdekur. Dhe sidomos, detyrimin për drejtësi, ankthin për të dënuar keqbërësin. Për të ekuilibruar disi këtë situatë të pakuptueshme, jashtëtokësore, që krijohet në këto raste, shteti, njerëzit e shtetit bëjnë detyrën e tyre duke zbatuar ligjin e duke qetësuar shpirtrat e trazuar të njerëzve. Po në ç’gjëndje janë sot dy familjet? Familja e Xhonit sheh të lirë e të padënuar autoren e këtij aksidenti dhe kërkon drejtësi. Nga ana tjetër, babai i vajzës, që e konsideron një fatalitet pa dashje aksidentin, kërkon falje dhe familjet përplasen në studion e “Me Zemër të hapur”, në News24. Nga ekrani, mijëra telespektatorë, brenda dhe jashtë vendit shohin jo vetëm tragjedinë e dy familjeve (pasi jam e bindur se në makth jeton dhe familja e 19 vjeçares), por dhe mosekzistencën e shtyllave themelore të Shtetit që duhet të shqetësohen të japin drejtësi. Dhe Xhoni i vogël, që para se të vdiste kishte frikë se mos doktorët i merrnin para babait, nuk do ta imagjinonte, se një tjetër dënim, një tjetër kalvar, do të fillonte për prindërit e tij: Kërkesa e paplotësuar për drejtësi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›