Autobombë në Bagdad, 18 të vdekur
Shkon në të paktën 18 bilanci i viktimave të atentatit të kryer në qendër të Bagdatit gjatë orëve të para të së martës. Lajmi është bërë i ditur nga një burim i ministrisë së Brendshme irakene, që citohet nga televizioni arab Al Jazeera. Në orën 11:00, sipas orës lokale, një terrorist vetëvrasës në bordin e një automjeti ka hedhur veten në erë në afërsi të një instituti të mjekësisë ligjore në Karrada. Përmasat e shpërthimit kanë qenë shumë të mëdha dhe menjëhërë në vendin e ngjarjes ka mbërritur policia e cila ka izoluar zonën. Në të, janë lejuar të qarkullojnë vetëm ambulancat. Mësohet se objektiv i sulmit ishte pikërisht ky institut ligjor që përdorej nga policia për hetime për krimet e kryera në qytet. Pas shpërthimit të fuqishëm, ndërtesa është shembur e gjitha. Kështu duket se kryeqyteti iraken nuk njeh paqe, pasi të hënën më shumë se 30 persona u vranë nga një atentat i trefishtë ku u goditën 4 hotelët më kryesorë në Bagdad.