Meta pro Topallit: Opozita t'i jape fund bojkotit
TIRANE- Zv/Kryeministri dhe ministër i Punëve të Jashtme, Ilir Meta e konsideroi sot aktin e bllokimit të kredencialeve të delegacionit shqiptar në Asamblenë e Këshillit të Evropës në Strasburg, nga ana e lidershipit të Partisë Socialiste, si një "përpjekje tejet fëminore dhe tërësisht e papërgjegjshme".Zoti Meta akuzoi drejtpërdrejt disa përfaqësues të Partisë Socialiste për dëmtimin e imazhit të vendit, "jo vetëm në Strasburg, por kudo". "është një problem i krijuar me qëllim nga lidershipi i Partisë Socialiste dhe ka të bëjë me bojkotin e pakuptueshëm që e kanë dënuar të gjithë", deklaroi Meta sot ne nje konference per shtyp lidhur me kërkesën e disa përfaqësuesve të PS-së drejtuar Asamblesë së Këshillit të Evropës në Strasburg për ngrirjen e kredencialeve të delegacionit shqiptar. Sipas tij, "Kryetarja e Parlamentit nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka zbatuar kompetencat e saj. Fakti që kredencialet e përfaqësuesve të Parlamentit Shqiptar u konfirmuan sot në mënyrë krejtësisht normale, tregon më së miri se çdo gjë ecën normalisht, përveç anormalitetit që ka të bëjë me bojkotin, për të cilin vetë lidershipi i Partisë Socialiste është përgjegjës". "Ata nuk mund të fajësojnë as maxhorancën dhe askënd për një problem që e kanë shkaktuar vetë, pasi nuk kanë bërë betimin dhe duan të shkojnë në Strasburg", u shpreh ministri i Jashtëm, Ilir Meta. Shkak për bllokimin gjatë ditës së djeshme të kredencialeve për delegacionin e Shqipërisë në Asamblenë e Këshillit të Evropës ishte mospërfaqësimi i duhur i opozitës shqiptare, një pretendim i ngritur nga kryetari i grupit të deputetëve socialistë pranë kësaj Asambleje, i cili kishte kërkuar edhe verifikimin e kredencialeve të delegacionit shqiptar. Delegacioni shqiptar në Strasburg, kryesohet nga Kryetarja e Kuvendit shqiptar, Jozefina Topalli dhe në të bëjnë pjesë Ilir Rusmali, Lajla Përnaska, Shpëtim Idrizi nga PDU dhe Kastriot Islami nga Partia Socialiste. (s.g/Atsh/BalkanWeb)