Amato: PS-ja, me vizion për të fituar zgjedhjet
Xhuliano Amato, disa herë kryeministër i Italisë dhe një nga ekspertët në Europën e sotme është shprehur shumë optimist për programin e ri të PS-së, duke theksuar se me këtë program opozita socialiste ka vizionin të fitojë zgjedhjet e vitit 2009.
Deklarata e tij vjen pas një takimi dy ditor në Itali, ku kanë vijuar me intesitet shkëmbimet e ideve për programin e ri të Partisë Socialiste. Ish- Kryeministrat italianë Masimo D’Alema dhe Xhuliano Amato, me ekspertët e tyre, janë pjesë e rrjetit ndërkombëtar të miqve dhe ekspertëve të nivelit të lartë, që po asistojnë Kryetarin e PSSH-së, Edi Ramën, së bashku me ekipin e tij, për të ballafaquar problemet dhe idete për të ardhmen, me eksperiencat dhe modelet e suksesshme të zhvillimit.
Gjatë këtij takimi të dytë në selinë prestigjoze të Fondacionit “Italianieuropei”, janë diskutuar draftet e përgatitura nga grupet e përbashkëta të ekspertëve, për sa i takon energjisë, rritjes ekonomike, punësimit, arsimit, shëndetësisë, pensioneve dhe bashkëpunimit rajonal.
“Programi i ri, do të sjellë pikërisht një administratë që funksionon, që nuk bën dallimin mes qytetarëve që nuk i njeh dhe që i trajton të gjithë në të njëjtën mënyrë të njohur nga ligji. Do të ketë një sistem shëndetësor, i cili do të mund të mbulojë nevojat më të rëndësishme për të gjithë dhe mbi të gjitha do të ketë një program asistence sociale, i cili nuk do të hedh lekët duke asistuar ata që nuk kanë nevojë, por do t’ia jap atyre që kanë nevojë dhe do të ketë gjithashtu infrastrukturën e nevojshme, në mënyrë që të ketë atë proçes rritjeje të fortë”- tha ai, duke iu referuar programit të ri të PS-së.
Pa mohuar problemet e mëdha para të cilave gjendet vendi, Amato cilëson të rëndësishëm një vizion për të ditur se ku do të arrish. Sipas tij, duhet të jesh dhe shumë pragmatik për mënyren si ta arrish atë vizion.
Sipas tij, duhet patur besim në aksionin publik, pra duhet kthyer besimi në aksionin publik, kjo do të thotë që duhet punuar shumë me kredibilitetin dhe transparencën e administratës. Kjo është shumë e rëndësishme për njerëzit. Shumë gjëra kalojnë përmes administratës, madje edhe shëndeti kalon përmës administratës dhe impresioni që e vetmja mënyre për të mbaruar punë është t’i japësh diçka dikujt apo që duhet të jesh mik i dikujt, është gjëja e parë që duhet ndryshuar. Ana tjetër që duhet ndryshuar, sipas Amatos është një aspekt fizik i Shqipërisë.
“Shqipëria është një vend që ka përpara saj një zhvillim të madh, por nuk ka energjinë për të bërë gjërat që duhen bërë. Shqipëria ka një perspektivë të madhe bujqësore, por ka terrene aq të pamjaftueshëm (të vegjël), aq sa me vështirësi mjaftojnë qoftë dhe për konsumin e saj të brendshëm. Mendoj se këto gjëra duhen ndryshuar”- tha më tej ai.
Duke vlerësuar programin e ri, ai thekson se nëse Partia Socialiste fiton zgjedhjet e 2009, problemet e shumta marrin fund dhe nëse realizohet kjo, atëherë vendit i kryhet një shërbim shumë i madh.
Në fund, ai ka shprehur bindjen e plotë në aftësitë e kreut të PS-së për t’ia mbërritr kësaj gjëje, madje e sheh pa frikë si një kryeministër shumë të mirë.
“Është shumë i zoti, por unë do t’i thosha, që për të fituar zgjedhjet duhet t’i kushtojë shumë nga vetja e tij vizionit, pasi zgjedhjet fitohen përmes vizionit. E kam njohur vite më parë, kur ishte atëhere Kryebashkiaku i ri i Tiranës. Është një njeri që ka cilësi të jashtëzakonshme sipas mendimit tim, ka një kapacitet të madh teknik, si dhe sjelljen e një lideri. Është e vështirë të gjenden së bashku elementë të tillë dhe Shqipëria ka avantazhin e të paturit një njeri të tillë”- përfundon ai.