E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beqja: Shteti i kapur, ekonomia jo konkuruese

Tiranë- Nuk mund të jetë konkuruese një ekonomi, e cila kontrollohet nga monopolet me mbulime politike. Kështu është shprehur sot gjatë një deklarate për shtyp, Nënsekretari për Programin në PS, Ilir Beqja, duke shprehur shqetësimin e opozitës socialiste për mungesën e konkurrencës në ekonominë shqiptare.

Sipas tij, një ekonomi, në të cilën gjejnë strehë personazhe të dyshimta të ish-Jugosllavisë, sekserë serbë të rritur në paradhomat e Stanislavicit dhe UDB-së së tij nuk ka shanse të jetë konkurruese. “Nuk mund të jetë konkurruese një ekonomi në të cilën mbrohen nga policia e shtetit personazhe, të cilët në televizione të vendeve të tjera janë pjesë e kronikave të zeza dhe shoqërohen për në stacione policie nga forcat speciale”- tha ai, duke iu referuar skandalit më të fundit, Fazllic.

Beqja, duke iu referuar Forumi Ekonomik Botëror dhe raportit të konkurrueshmërisë globale për ekonominë botërore ka theksuar se Shqipëria renditet në vendin 108 nga 134 vende që analizohen. Raporti, sipas tij tregon që ekonomia jonë është më pak konkurruese se ekonomitë fqinjë apo të rajonit përfshirë Maqedoninë, Malin e Zi, Serbinë, Bosnjën dhe Moldavinë.

Të vetmet vende që Shqipëria ka mundur të lerë pas janë Kamboxhia, Bangladeshi, Zambia, Mali etj. “Por kjo situatë nuk është e papritur. Nuk ka si të jetë konkurruese ekonomia e një vendi ku shteti është i kapur. Nuk mund të jetë konkurruese një ekonomi e cila kontrollohet nga monopolet me koperturë politike”- përfundoi ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›