Deti i pastër, operacion për trafikun njerëzor
Vlorë- Pas numrit të madh të deportivëve(klandestinëve të kthyer), ka nisur sot një operacion i koduar “Deti i pastër”, që nga Saranda e deri në afërsi të Lushnjes.
Operacioni i përbashkët mes Delta Forcë, policisë së Kufirit dhe Ndërhyrjes së Shpejtë kanë bërë një ‘krehje’ të zonave me dalje në det. Sipas drejtorit të drejtorisë së Kufirit dhe Emigracionit, për Vlorën, Myzafer Elezi në këtë operacion janë verifikuar të gjitha mjetet e lundrimit, gomonat peshkarexhat etj.
Ende nuk ka shifra për evidentimin e gjurmëve të trafikut, së paku në mënyrë zyrtare, por mësohet se operacioni nisi pas dyshimeve për lëvizje të mundshme për trafikim në këto zona.
Sipas tij, shkak janë bëtë edhe deportivët e shumtë, të mbërritur së fundi. Ata kanë identifikuar deri më tani tre nga linjat më të përdorura për t’u larguar nga Shqipëria
Maqedonia dhe Mali i Zi duken si vendet tranzit ideale, ndërsa Italia, si më e pëlqyera për të qëndruar. Burime nga pika e kalimit kufitar në portin e qytetit bregdetar pohojnë se thuajse çdo ditë ka emigrantë të kthyer nga shteti fqinj, të cilët nuk kanë dokumentet e nevojshme. Një, dy ose edhe tre në ditë është numri i zakonshëm në pikën e kalimit kufitar të portit të Vlorës, ndërkohë që burimet bëjnë me dije se në pikën tokësore të Qafë-Botës ky numër është edhe më i madh.
Sipas të dhënave, në këtë pikë kalimi numri i personave të kthyer mund të shkojë deri në 30 ose 50 në ditë të caktuara. Itineraret e zbuluara janë për pjesën më të madhe Shqipëri- Kakavijë- Gumenicë- Ankona. Po kështu, itinerar tjetër është Maqedoni-Selanik- Gumenicë-Ankona. Ndërkaq, të tjerë persona kanë treguar se për kalimin e tyre është shfrytëzuar linja Shkodër- Mali i Zi- Kroaci-Itali. Ajo që ka bashkuar në një shifër të vetme të dhënat, janë shumat e paguara të cilat variojnë gjithmonë në kufirin 3 mijë deri në 3,5 mijë euro.
Sipas ligjit në fuqi, ata që rezultojnë të kthyer për të dytën herë, përballen me akuzën e kalimit të paligjshëm të kufirit.