E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duro: Hungarisë do t'i tregojmë "dhëmbët"

Mesfushori kuqezi ka lënë pas dëmtimin dhe tani mendon se Shqipëria ka shanse për një rezultat historik të shtunën 

Dëmtimi i përket së shkuarës për mesfushorin Klodian Duro. I kthyer në njeriun-gol të Omonias, futbollisti 31-vjeçar tani kërkon të bëjë të pamundurën për kombëtaren, në përballjen e radhës eliminatore me Hungarinë. "Isha i sigurt në riaftësimin tim. Nuk mund të humbisja ndeshjen me Hungarinë,"- tregon Duro në linjë telefonike nga Budapesti. Ashtu si kuqezinjtë e tjerë, edhe mesfushori është tepër optimist për këtë sfidë, ku, sipas tij, është momenti që Shqipëria të tregojë "dhëmbët". Për këtë, gjendjen e ekipit, kundërshtarin, por jo vetëm, Klodian Duro shprehet në intervistën e dhënë dje për "Sportin shqiptar":

- Klodi, së pari, si ju duket gjendja e ekipit në prag të ndeshjes? - Eshtë një gjendje shumë e mirë, ku përveç kësaj ka edhe një optimizëm të madh nga të gjithë ne. Ekipi duket në formë dhe i gatshëm për të bërë më të mirën.

- Dëmtimi që pësuat në ndeshjen me Mançester Sitin, duket i kaluar, apo jo?

- Natyrisht që po. Ishte problemi i gjurit dhe nuk duhet të rrezikoja, por për fat të mirë u riaftësova në kohë. Klubi nuk kishte dëshirë që unë të rrezikoja, por kombëtarja është shumë e rëndësishme dhe unë nuk mund të humbisja ndeshjen me Hungarinë. Fola edhe me presidentin e Omonias dhe ai më mirëkuptoi, por natyrisht dihet që secili shikon interesat e veta dhe klubi do që unë të jem sa më mirë.

- E shtuna erdhi. Cili është komenti juaj për Hungarinë?

- Pas një fillimi të mirë, tani duhet vazhdimësi. Me Hungarinë duhet të bëjmë lojën që zhvilluam ndaj Suedisë. I kemi forcat për të treguar se kush jemi përballë kësaj Hungarie. Por duhet të jemi shumë të përqendruar në lojë. Hungaria ka disa individualitete të mira, që mund ta zgjidhin ndeshjen, por nëse ne bëjmë lojën tonë, natyrisht që do të marrim një rezultat pozitiv. Edhe Suedia kishte Ibrahimoviçin, por ngeci në Tiranë.

- Atëherë, si duhet t'u kundërviheni hungarezëve?

- Do ta mundim me lojën tonë të grupit, për t'i treguar këtij ekipi se sa të fortë jemi kur luajmë të disiplinuar. E kemi treguar disa herë këtë, edhe ndaj ekipeve nmë të forta, por edhe të shtunën kam shumë besim se do të arrijmë një rezultat historik. Eshtë momenti më i mirë për ta bërë këtë dhe jam i bindur se do ta realizojmë.

- Çfarë ju ka kërkuar Ari Han në prag të sfidës?

- Që të kemi besimte forcat tona, pasi edhe ai ka shumë besim te ne. Duhet të luajmë pa frikë, pasi i kemi të gjitha mundësitë për ta mposhtur këtë kundërshtar. Trajneri na ka kërkuar që të jemi shumë të përqendruar gjatë lojës dhe të kontrollojmë mirë kundërshtarin tonë personal, pra mos të lëmë hapësira.

- Ka ndikuar kryesimi i grupit për moralin e ekipit?

- Natyrisht që ka ndikuar pozitivisht. Por nga ana tjetër, ne duhet të jemi dyfish të përgatitur, pasi kundërshtari të shikon ndryshe, edhe pse shumëkush mund të mendojë që ky është një vend i përkohshëm. Gjithsesi, mendoj se Hungaria do të na vlerësojë shumë dhe duhet të japim gjithçka. Nuk e kemi luksin për t'u treguar euforikë, edhe pse shpresojmë shumë që ky pozicion që kemi, të zgjasë sa më shumë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›