Amato: Rama ka kapacitet teknik dhe sjelljen e liderit
Aristir Lumezi
Me programin e ri socialistët do t'i bëjnë një shërbim të madh Shqipërisë. Ish-kryeministri italian, Xhuliano Amato, ka vlerësuar përpjekjet e Partisë Socialiste dhe kryetarit të saj, Edi Rama, për t'u fokusuar në programin e ri të PS-së në çështjet kryesore të vendit. Duke bërë rekomandimet e tij për mënyrën se si mund të fitohen zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Amato këshilloi kreun socialist se kërkohet më shumë vizion. "Edi Rama nuk ka nevojë për këshillat e mia, për të qenë i sinqertë. Është shumë i zoti, por unë do t'i thosha që për të fituar zgjedhjet duhet t'i kushtojë shumë nga vetja e tij vizionit, pasi zgjedhjet fitohen përmes vizionit. Pasi të ketë fituar zgjedhjet, duhet t'i dedikohet mënyrës për ta arritur atë vizion, pasi një muaj pas fitores, vizioni nuk është më i mjaftueshëm, por janë gjërat që bëhen", u shpreh Xhuliano Amato. Ish-kryeministrat italianë Masimo D'Alema dhe Xhuliano Amato, me ekspertët e tyre, janë pjesë e rrjetit ndërkombëtar të miqve dhe ekspertëve të nivelit të lartë, që po asistojnë Edi Ramën, së bashku me ekipin e tij, për të ballafaquar problemet dhe idetë për të ardhmen, me eksperiencat dhe modelet e suksesshme të zhvillimit. Politikani i njohur italian u shpreh se socialistët shqiptarë ishin të qartë në vizionin e tyre për zbatimin e këtij programi dhe arritjen e fitores në zgjedhje. "Për këtë është i nevojshëm një vizion për të ditur se ku do të arrish. Gjithashtu, duhet të jesh dhe shumë pragmatik për mënyrën si ta arrish atë vizion dhe duhet të them, që gjatë bashkëbisedimit, ishin pikërisht miqtë shqiptarë që vunë gishtin te mënyrat se si arrihet ai vizion dhe duhet të them gjithashtu, që kjo është një ndër pikat më të rëndësishme", u shpreh Amato. Ish-kryeministri italian vlerësoi aftësitë e kryetarit socialist në vënien në jetë të programit të ri qeverisës të PS-së, duke e cilësuar atë një lider me kapacitete teknike. "Unë e kam njohur vite më parë, kur ishte atëherë kryebashkiaku i ri i Tiranës. Është një njeri që ka cilësi të jashtëzakonshme sipas mendimit tim, ka një kapacitet të madh teknik, si dhe sjelljen e një lideri. Është e vështirë të gjenden së bashku elementë të tillë dhe Shqipëria ka avantazhin e të paturit një njeri të tillë", u shpreh Amato. Ish-kryeministri italian kërkoi shumë vëmendje në rritjen e besimit të qytetarëve tek administrata publike. "Duhet pasur besim në aksionin publik, pra duhet kthyer besimi në aksionin publik, kjo do të thotë që duhet punuar shumë me kredibilitetin dhe transparencën e administratës. Kjo është shumë e rëndësishme për njerëzit", u shpreh Xhuliano Amato.
Programi i ri i PS me ekspertët evropianë
Takimi i dy ditëve më parë në Itali i kryetarit socialist dhe ekspertëve të PS-së, i cili u zhvillua në selinë e Fondacionit "Italianieuropei", dhe që ishte i dyti i këtij lloji, u diskutuan draftet e përgatitura nga grupet e përbashkëta të ekspertëve, për sa i takon energjisë, rritjes ekonomike, punësimit, arsimit, shëndetësisë, pensioneve dhe bashkëpunimit rajonal.