Kuman do fitoren: Nuk kënaqem me 1 pikë
Ervin Kuman, trajneri i Hungarisë, kërkon fitoren në ndeshjen e sotme dhe ka pohuar para gazetarëve se nuk do të kënaqej me një pikë në sfidën përballë Shqipërisë. “Ne do të luajmë për fitore, – është shprehur holandezi. – Kjo do të jetë një ndeshje e vështirë, por unë jam i bindur se mund të fitojmë, edhe pse kemi pasur disa probleme me dëmtimet. Kjo është ndeshja jonë më e rëndësishme, ndaj do të kërkojmë patjetër fitoren. Një barazim kundër Shqipërisë nuk më kënaq”. Më pas, tekniku i Hungarisë ka folur për skuadrën shqiptare dhe ka pranuar se kuqezinjtë e drejtuar nga Ari Han janë një kundërshtar i vështirë për t’u mundur. “Ata vijnë këtu me një moral shumë të lartë, jo vetëm sepse janë të parët në grup, por sepse kanë arritur të ndalin një skuadër shumë të fortë, siç është Suedia. Megjithatë ne e kemi studiuar mirë skuadrën shqiptare dhe bashkë me lojtarët kemi parë në videokasetë dy ndeshjet e fundit të tyre. Ashtu si çdo skuadër tjetër, edhe ata kanë pikat e dobëta, dhe ne do përpiqemi t’i shfrytëzojmë sa më mirë ato”, ka deklaruar Kuman në konferencën e djeshme për shtyp.