E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimi, Fazlliç përgatit mbrojtjen

 

Adi Shkëmbi

Pas ftesës nga Prokuroria për t'u pyetur, biznesmeni i përfolur boshnjak, Damir Fazlliç ka vendosur të ndjekë deri në fund këtë çështje. Dy ditë pas intervistës në TV Klan dhe pasi ka marrë vesh lajmin nga Prokuroria për nisjen e hetimeve, serbo-boshnjaku ka kontaktuar avokatin Genc Gjokutaj, të cilin e ka mandatuar që ta përfaqësojë atë në të gjithë procesin. I kontaktuar nga gazeta "Panorama", avokat Gjokutaj ka pranuar se ka rënë dakord me Fazlliçin për ta përfaqësuar atë në gjithë procesin e nisur nga organi i akuzës. "Është e vërtetë që jam kontaktuar nga biznesmeni Damir Fazlliç dhe kemi rënë dakord që të jem avokati i tij. Pres që në ditët e ardhshme të shqyrtoj dosjen", tha për gazetën Gjokutaj. Biznesmeni boshnjak i shpëtoi të mërkurën në mesditë Prokurorisë, e cila e kishte thirrur për t'u marrë në pyetje për pastrim parash. Mesditën e të mërkurës, organi i akuzës në kryeqytet nisi hetimet ndaj biznesmenit serbo-boshnjak për veprën penale "pastrim parash". Rreth orës 12:00 të ditës së djeshme, Prokuroria ka marrë informacion se biznesmeni boshnjak kishte mbërritur në Rinas, ku është pritur nga një grup personash dhe më pas ka udhëtuar bashkë me ta në drejtim të Tiranës. Pas marrjes së këtij informacioni, Prokuroria e Tiranës së bashku me Prokurorinë e Përgjithshme ka hartuar ftesën për të thirrur e marrë në pyetje 33-vjeçarin Damir Fazlliç. Kjo procedurë duket se ka vonuar nga organi i akuzës, aq sa i ka lënë kohë biznesmenit Fazlliç të përfundonte takimet në Tiranë dhe të drejtohej përsëri në aeroportin e Rinasit për t'u larguar. Ftesa për të dëshmuar, e hartuar nga Prokuroria, është protokolluar në komisariatin e Rinasit në orën 15:05 minuta. Por në këtë kohë biznesmeni kishte hipur në avionin e tij "Charter" për t'u larguar nga Shqipëria. Pas largimit nga vendi ynë të Fazlliç, policia e Rinasit ka lajmëruar zv.prokurorin e Tiranës, Eljo Mazreku, mbi këtë fakt, por ky i fundit ka kërkuar verbalisht ndalimin e biznesmenit boshnjak, avioni i të cilit tashmë ishte shkëputur nga toka shqiptare. Menjëherë pas këtij informacioni, zv.prokurori i Tiranës bashkë me prokurorin e çështjes në Njësinë Task-Force janë nisur në drejtim të Rinasit me një makinë të posaçme. Por Fazlliç në atë moment ishte duke lënë tokën shqiptare, ndërkohë që prokurorët kanë sekuestruar kasetat filmike të kamerave të aeroportit dhe kanë marrë në pyetje forcat e rendit të Rinasit.

Berisha: Intervista u censurua.Fevziu: U hoqën detaje pa vlerë

Kryeministri Sali Berisha zbuloi dje se një pjesë e intervistës së Damir Fazlliç në Tv Klan të enjten në mbrëmje është censuruar. Në përfundim të mbledhjes së djeshme të Këshillit të Ministrave, teksa gazetarët po largoheshin nga salla e mbledhjes, kreu i qeverisë është ndalur pikërisht në intervistën e biznesmenit serbo-boshnjak. "Unë e di që ju po të bënit pyetje do më pyesnit për Fazlliçin. Por shkoni e bëjani 'Klanit' pyetjen pse e censuroi Fazlliçin, atë shkoni pyesni. Unë e kam mik Fazlliçin, ai bëri mirë që erdhi ta çoja në Parlament", u shpreh kreu i qeverisë. Por i kontaktuar nga gazeta "Panorama", drejtuesi i emisionit "Opinion", gazetari Blendi Fevziu, tha se emisioni i të enjtes në mbrëmje nuk është censuruar, por i janë hequr vetëm disa detaje, të cilat nuk kanë rëndësi për publikun. "Intervista e tij nuk është censuruar, ka vetëm disa ndërhyrje të vogla për disa detaje pa vlerë", tha Fevziu në një prononcim për gazetën. Damir Fazlliç pranoi gjatë intervistës 65 minuta në opinion se i ka shitur kompanisë së tij në Qipro "Altaria Research ltd" kompaninë që ka po nën pronësinë e tij në Tiranë "Crown Acquisition" në vlerën 1.7 milionë euro. Gjithashtu gjatë bisedës biznesmeni serbo-boshnjak ka folur edhe për lidhjet e tij me Kryeministrin Sali Berisha, takimin e parë me të në vitin 2004, miqësinë me Tom Rixh, marrëdhëniet me ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha dhe marrëdhëniet e punës me kunatin e tij, Erion Isufi.

“Fazlliç”, incident Rama-Alibeaj

Trazhgim Sokolaj

Hetimet për biznesmenin boshnjak Damir Fazlliç u bënë dje shkak për një përplasje të fortë dhe të paprecedent mes Prokurorisë shqiptare dhe Ministrisë së Drejtësisë. Këto dy institucione kaluan ndoshta situatën më problematike në historinë e marrëdhënieve mes tyre, për shkak se Ministria e Drejtësisë kërkoi të njihet me ftesën që Prokuroria firmosi tri ditë më parë për biznesmenin Damir Fazlliç, gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri. Dy inspektorë të Ministrisë së Drejtësisë u paraqitën mbrëmjen e djeshme rreth orës 19:30 në Prokurorinë e Tiranës. Ata kanë kërkuar të marrin kontakt me prokurorët e çështjes për t'u njohur me aktet e dosjes në hetim për "pastrim parash". Inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë janë shprehur se me urdhër të kreut të dikasterit Enkelejd Alibeaj, kërkonin të njiheshin me ftesën e dërguar për 33-vjeçarin nga Bosnja, të cilit iu kërkua të dëshmonte për hetimet që filluan ndaj tij me akuzën "pastrim parash". Punonjësit e Ministrisë së Drejtësisë kanë kërkuar gjithashtu të njihen me materiale të dosjes dhe me argumentet mbi të cilat Prokuroria filloi hetimin dhe kërkoi paraqitjen e Damir Fazlliç për të dhënë deklarime. Por Prokuroria ka refuzuar, duke shpjeguar se ligjet e vendit e ndalojnë kategorikisht që Ministria e Drejtësisë apo çdokush tjetër, të njihet me aktet dhe dokumentet e një dosje që është në hetim dhe ende nuk është gjykuar. Duke iu referuar ligjit dhe Kushtetutës, prokurorët u kanë pohuar inspektorëve të Ministrisë së Drejtësisë se edhe në rast se ata kërkojnë të bëjnë kontroll mbi dosje për të cilat kanë përfunduar hetimet, përsëri kjo gjë bëhet vetëm me autorizim nga Prokurori i Përgjithshëm. Duke gjykuar kërkesën e punonjësve të Ministrisë së Drejtësisë si në kundërshtim të plotë me ligjet dhe Kushtetutën e vendit, prokurorët kanë refuzuar të japin dokumentet e dosjes. Por inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë kanë këmbëngulur në kërkesën e tyre, ata kanë insistuar pranë drejtuesve më të lartë të Prokurorisë së Tiranës duke tejkaluar çdo formalitet zyrtar në komunikimin mes punonjësve shtetërorë. Një situatë e tillë e tensionuar ka vazhduar për disa orë, derisa inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë kanë arritur deri aty sa të tentojnë të hyjnë forcërisht në zyrat e Prokurorisë ku ndodhet dosja "Fazlliç". Të gjendur në këto kushte dhe me qëllimin për të shmangur incidente që mund të rëndojnë edhe më tej këtë situatë, prokurorët janë detyruar të kyçin zyrat dhe të largohen në përfundim të orarit zyrtar. Përpjekjet e inspektorëve të Ministrisë së Drejtësisë kanë vazhduar përsëri deri rreth orës 21:30 të mbrëmjes së djeshme, kur ata nuk kishin rrugë tjetër veçse të tërhiqeshin ose të dhunonin institucionin e Prokurorisë. Në këto kushte ata janë larguar nga organi i akuzës, duke lënë pas një incident të padëgjuar më parë në raportet mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë shqiptare. Burimet zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme të pyetura dje në mbrëmje nga "Panorama", e konsideruan të paligjshme dhe antikushtetuese kërkesën dhe veprimet e bëra nga inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë. Gazeta tentoi disa herë të kontaktonte edhe me ministrin e Drejtësisë, i cili u lajmërua për këtë incident, por ai nuk iu përgjigj thirrjeve dhe mesazheve telefonike, duke refuzuar të bëjë ndonjë koment mbi incidentin me Prokurorinë.

“Hetim edhe transfertës së blerjes”

TIRANE - Grupi hetimor i dosjes së hapur me akuzën "pastrim parash" në adresë të biznesmenit boshnjak Damir Fazlliç, ka hartuar dje një kërkesë për bankat e nivelit të dytë, në të cilën kërkon verifikime për transfertën e 1.7 milionë eurove me të cilat është shitur tek një firmë në Qipro, kompania që Damir Fazlliç zotëronte në Shqipëri që nga viti 2005. Sipas burimeve zyrtare të Prokurorisë, nga bankat është kërkuar informacion për kohën kur është bërë transferta, dërguesin dhe marrësin e saj, shumat që kanë lëvizur, burimin e tyre dhe argumentimin ligjor e juridik që është dhënë gjatë kryerjes së këtij transaksioni, për të cilin Prokuroria është duke hetuar nëse ka qenë "pastrim parash" me origjinë të dyshimtë.

Erion Isufi dëshmitari i parë në Prokurori

Dëshmitari i parë që do të pyetet nga Prokuroria gjatë hetimeve të hapura për pastrim parash, është Erion Isufi, ish-administratori i kompanive të biznesmenit boshnjak Damir Fazlliç në Shqipëri. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë së Tiranës, të cilat i konsideruan deklarimet e pritshme të Erion Isufit si shumë të rëndësishme për hetimet që po zhvillohen lidhur me bizneset e Damir Fazlliç në Shqipëri dhe transaksionet e tyre. "Duke qenë se në dokumente provohet se Erion Isufi ka qenë administrator i kompanive objekt hetimi, rezulton se ai ka dijeni për veprimet që janë bërë me këto biznese si dhe transaksionet që ato kanë kryer", thanë burimet e Prokurorisë së Tiranës. Sipas tyre, një tjetër dëshmitar që do të merret në pyetje gjatë këtyre ditëve është avokatja Flutura Kola, e cila ka përfaqësues kompaninë qipriote që bleu firmën që kishte në pronësi Damir Fazlliç. "Avokatja Flutura Kola ka përfaqësuar me prokurë kompaninë nga Qipro që bleu firmën e Damir Fazlliç në Shqipëri për 1.7 milionë euro. Dhoma e Avokatisë u shpreh se procedura ka qenë e rregullt, por është e nevojshme pyetja e saj për llogari të hetimit", thanë burimet e Prokurorisë.

Meta: Fazlliç, përfituesi kryesor nga qeveria

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, gjatë një prononcimi për mediat u shpreh se biznesmeni serbo-boshnjak, Fazlliç, është përfituesi kryesor nga qeveria demokratike pas zgjedhjeve të 2005-ës. "Biznesmeni Fazlliç konfirmoi dje se ka qenë truri i shtabit elektoral të Partisë Demokratike në zgjedhjet e vitit 2005, po t'i marrim në konsideratë shprehet e tij dhe këtu ai është treguar deri diku i sinqertë", tha Meta. Kryetari i LSI-së kërkoi nga Prokuroria dhe Gjykata të zbardhë të gjithë aktivitetin e dyshimtë të këtij biznesmeni. "Është një nga përfituesit kryesorë të kësaj Qeverie apo maxhorance të re. Ndërsa lidhur me atë se janë apo nuk janë të ligjshme bizneset, aktivitetet apo transaksionet e ndryshme, sigurisht që këtu mbetet vendi për të thënë fjalën e vet Prokuroria dhe Gjykata", tha Meta. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, denoncoi dy ditë më parë mënyrën se si u operua nga strukturat shtetërore vizita blic e Damir Fazlliç në Tiranë. "Vendosja e shtetit në dispozicion të një personazhi me një  back-ground krejtësisht të dyshimtë dhe kriminal, i akuzuar për pastrim parash dhe trafiqe, tregon qartë kapjen e thellë të Kryeministrit Berisha", tha Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›