E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fantazma e majme e Fazlliçit

Eduard Zaloshnja 

Stuhia "Fazlliç" kishte kohë që i vinte rrotull Tiranës, por shpërtheu vetëm atëherë kur gazeta "TemA" botoi lajmin se biznesmeni boshnjak kishte shitur kuotat e kompanisë "Crown Acquisitions" për 1.75 milionë euro.Sipas "TemA"-s, kompania e Fazlliçit ishte një kompani fantazmë pa asnjë aset koutat e së cilës u blenë me atë çmim të lartë si bakshish për ndonjë aferë të pisët që boshnjaku mund të kishte ndërmjetësuar në Shqipëri.  Por siç "Panorama" vërtetoi dy ditë më parë, e siç Fazlliç rikonfirmoi në intervistën që dha në TV Klan, kompania e tij nuk ishte fantazmë. Përkundrazi, ajo ishte një gic i shëndetshëm, të cilin Fazlliçi shpreson ta shndërrojë në të ardhmen në një derr të majmë që do peshojë 30-50 herë më shumë seç peshon sot.
Kryeredaktori i gazetës "TemA", duke gabuar në mënyrën sesi e interpretoi tranzakcionin e Fazlliçit, në fakt i bëri një shërbim të madh këtij vendi. Sepse ishte pikërisht ai gabim që i bëri mediat e tjera ta investigonin më thellë tranzakcionin, si dhe e detyroi boshnjakun të na tregonte se nuk kishte harxhuar gjithë atë kohë e gjithë atë djersë në Shqipëri thjesht për të marrë ndonjë bakshish të vogël prej 1.75 milionë eurosh. Me një bakshish të tillë mund të kënaqet ndonjë ministër që shet fishekë të vjetër kinezë në Qipro, por jo Fazlliçi. Ai, siç morëm vesh prej vetë gojës së tij, synon për shumë më tepër se kaq!
Dhe tani le të shohim nga afër sesi boshnjaku, i cili punoi ditë e natë për fushatën që e bëri Berishën Kryeministër, do fitojë në Shqipëri 30-50 herë më tepër se ç'ka investuar. Siç deklaroi vetë Fazlliçi, kompania "Crown Acquisitions", kuotat e së cilës u transferuan në një kompani qipriote që zotërohet po prej tij, ka blerë toka me shumicë në zonën e Porto Romanos. Dhe janë pikërisht këto toka që Fazlliçi pret t'i shesë 30-50 herë më tepër, pasi ato të zhvillohen. Por pse Fazlliçi i bleu tokat pikërisht atje, kur shumica e investitorëve të huaj synojnë tokat rreth Tiranës dhe përreth autostradës Tiranë-Durrës? Ne shqiptarët e thjeshtë e dimë përgjigjen sot, por jo dje, kur boshnjaku i bleu tokat. Zona e Porto Romanos u shpall nga qeveria kohët e fundit park energjetiko-industrial, në të cilën investitorë të mëdhenj të huaj do ndërtojnë centrale elektrikë, fabrika, e magazina. Kështu që, tokat rreth Porto Romanos, nga djerrë e të pazhvilluara siç ishin kur i bleu Fazlliçi, do kthehen në një minierë të vërtetë floriri.
Dhe a ka ndonjë gjë të keqe në gjithë këtë histori? Nuk do kishte në qoftë se Fazlliçi do ishte thjesht një biznesmen si gjithë të tjerët, i cili nuk kishte fare njohje as me Kryeministrin e as me ministra të tjerë të rëndësishëm të qeverisë shqiptare. Por siç e deklaroi vetë boshnjaku, bash e kundërta është e vërtetë. Dhe për çdo njeri që e di sesi funksionojnë gjërat në Shqipëri, është e vështirë të imagjinojë se asnjë informacion konfidencial rreth parkut industrialo-energjetik të Porto Romanos nuk kishte mbërritur në veshët e Fazlliçit para se ai të blinte toka atje.  Për të mos thënë se disa njerëz mund ta kenë të lehtë të imagjinojnë që vetë Fazlliçi ta ketë sugjeruar Porto Romanon për park industrialo-energjetik.
Duke u kthyer tek lajmi i "TemA"-s, gabimi në interpretimin e tranzakcionit të Fazlliçit i bëri një shërbim të madh këtij vendi edhe për faktin se i bëri mediat të investigojnë edhe për afera të tjera të mëdha në të cilat mund të jetë përzierë boshnjaku.  Kështu, disa media kanë hedhur dyshime se Fazlliç mund të ketë qenë një ndërmjetës në hije për kontratën super të kushtueshme të rrugës Rrëshen-Kalimash. Dhe pavarësisht se është e vërtetë që, siç argumentoi Fazlliçi në TV Klan, një nga kompanitë e konsorciumit që po ndërton këtë rrugë - amerikania "Bechtel" - nuk përdor lobistë apo ndërmjetës, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për kompaninë tjetër të konsorciumit - turken "Enka".   Dhe a është kjo provë se boshnjaku është përzierë me kontratën e kësaj rruge? Padyshim që jo. Por argumenti që ai dha për të mbrojtur veten, duke qenë argument gjysmak, të kujton atë njeriun që të jep dorën e djathtë, ndërkohë që të majtën e mban prapa kurrizit për të fshehur diçka që të ka vjedhur.
Stuhia "Fazlliç" vetëm sa ka filluar. Le të shohim se sa do zgjasë dhe se sa viktima do shkaktojë ajo...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›