Ngjela: Fazlliç, politikë me Berishën e Bashën pro serbëve
Z.Ngjela gati tre javë më parë u gjend i vdekur dëshmitari kyç i trafikut të armëve Kosta Trebicka. Ju keni ngritur akuza të rënda në Kuvend, për këtë çështje duke hedhur edhe dyshime mbi motivet që çuan në këtë vdekje. Ndërkohë që ekspertiza mjeko-ligjore ka deklaruar për një vdekje aksidentale, ju mendoni se mund të ekzistojnë pista të tjera që mund të hetohen nga prokuroria?
Vrasjet janë gjithmonë të sofistikuara; dhe me ketë dua të them se, përsëri na duhet të pyesim: kush e ka shkaktuar aksidentin. Mao Ceduni e hipi Lin Biaon në një avion pa karburant dhe ai ra në stepat e Rusisë; pos sigurisht që vetëm naivët e besuan për aksident. E pra le të presim. Unë ende ruaj mendimin tim. Duhet pritur edhe ca pak kohë, derisa ngjarja të zbardhet deri në fund.
Berisha dy ditë më parë deklaroi se tragjedia e Gërdecit nuk ka lidhje me Diverolin apo trafikun e armëve. Keni një koment?
Po a ka sot në Shqipëri një njeri me pak mendim që të mos e dijë se Gërdeci është vepër direkte e Saliut? Asnjë. Atëherë si e bëni këtë pyetje; pse ç’prisni ju që Saliu të pranojë krimin? Kurrë mos e prisni këtë. Tani ai është një njeri i urryer në të gjithë Shqipërinë; por pikërisht për këtë duhet të jeni të vëmendshëm; sepse ai tani do të mundohet të bashkohet më çdo demon për të shpëtuar. Por nuk dotë shpëtojë dot. Krimi i Gërdecit, është një nga serialet e tij. Keni për të dëgjuar edhe shumë të tjerë. Prandaj mos e merrni fare mundimin që të dëgjoni Saliun; ai nuk ka më asnjë rëndësi për historinë tonë; ai tani i përket të shëmtuarës kombëtare, që e ka zënë vendin e vet në historinë e shoqërisë shqiptare, si një e keqe e re. Duhet ta kalojmë; madje unë mendoj se e kemi kaluar, paçka se na ka kushtuar shumë shtrenjtë.
Nga Komisioni i Reformës Zgjedhore është vendosur koalicioni i përbërë. A është një formë e përshtatshme për të djathtën një zgjedhje e tillë?
Le të presim që ta shohim të shtruar në ligj, sepse në të kundërt do të flisnim kot.
Keni deklaruar prej kohësh se t’i ndani pikëpamjet tuaja politike përmes një force të re politike. Çfarë lëvizjesh keni bërë në këtë drejtim duke qenë se kemi hyrë në një vit zgjedhor?
E djathta do të rigrupohet, madje shumë shpejt. Kurse unë po përfundoj instalimin e partisë së re që përfaqësoj. Ajo quhet: Partia për Ligj dhe Drejtësi; e cila tani i ka hapur zyrat në shumicën e qarqeve, dhe po vijon nëpër rrethet e mëdha. Mendoj se do të bëhet një parti e fortë dhe e përkrahur. Me programin e saj solid, dhe me përkrahës. Por ky është vetëm fillimi, sepse pastaj, ne do të bëhemi promotori i krijimit të një bashkimi më të gjerë. Megjithatë do të kemi kohë të flasim më konkretisht, ndoshta pas një muaji.
Si i shikoni lëvizjet brenda së djathtës, përpjekjet për shkrirje të PDR-së, apo edhe konfliktin midis PD-së dhe PDK?
PD nuk më intereson më fare. S’kam asnjë lloj mendimi për të; ajo është tanimë një fantazmë që është dehur nga krimet e kryetarit të saj. Prandaj kot të flasim për të. Përsa iu përket shkrirjeve që theksoni ju, më duket një analizë pa fare lëndë në vetvete, prandaj është e kotë të zgjatemi. Kurse PDK, është diçka tjetër. Partia Demokristiane e Shqipërisë mendoj se do të forcohet edhe më tej, dhe ne do ta kemi patjetër një aleate të sigurt për zgjedhjet e ardhshme. Megjithatë ju thashë: duhet të prisni dhe 30 ditë.
Gjithashtu një çështje që ka pushtuar këto ditë debatin politik është edhe ajo që ka të bëjë me shtetasin boshnjak Damir Fazlliç. Opozita ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit dhe ministrit Basha, të cilët sipas saj kanë kryer afera të pista financiare me Fazlliç, përfshi këtu që nga fushata zgjedhore e 2005, ndërkohë nga ana tjetër kryeministri ka pranuar në Kuvend se e ka mik atë. Keni një koment tuajin për këtë çështje?
Është një çështje e shëmtuar dhe e rëndë për historinë tonë politike. Tek dëgjoja intervistën e Fazlliçit, një njeri pafarë vlerë, i fryrë dhe gënjeshtar, mendoja: mjerë shqiptarët se nga kush drejtohen. Damiri e pohoi vetë se nuk bënte biznes në Shqipëri, por politikë me Saliun dhe Bashën; dhe gjithmonë në favor të origjinës së tij. Turp. Kush kishte pak vëmendje ekspertize në ato që thoshte ai, kuptonte se ai pohonte rëndom se po bënte pastrim parash në Shqipëri, ose më saktë, bashkë më Saliun dikujt i shërbente kundër shqiptarëve. Ishte e tmerrshme, dhe prandaj dje theksova në media se duhet t’i drejtohemi popullit. Kjo është një bandë, prandaj vetëm një uragan popullor do të shporrë, dhe do t’i tregojë vendin, sigurisht. Ishte e turpshme edhe për gazetarin që e pyeste. Si ka mundësi që të jesh i qetë kur një i huaj, një njeri pa vlere fyen shoqërinë tënde aq rëndë, sa fyeu ai shqiptarët. Unë, sigurisht që nuk e dëgjova deri në fund, se nuk mund të duroja profkat e njëtë sëmuri që urren shqiptarët. Por gjithsesi, duhet të kujtohemi se ai ka irrituar gjithë ata që e kanë dëgjuar. Dhe kjo është shtesë e urrejtjes kundër Saliut. E thashë edhe më lart: duhet të mendohemi mirë me këtë bandë; prandaj patjetër duhet t’i drejtohemi popullit. Dhe do t’i drejtohemi, patjetër që do t’i drejtohemi.