E Diel, 1 Nëntor 2026

Protokoll i zgjeruar, takime me krerët e shtetit dhe opozitën maqedonase

Diplomaci Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, sot në Maqedoni në vizitën e parë pas vendimit të GJND-së

Zëvendëskryeministri dhe ministër i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, është nisur dje për një vizitë zyrtare në Maqedoni me ftesë të homologut të tij Antonio Milloshoski. Sipas njoftimeve zyrtare të Ministrisë së Jashtme, axhenda e Metës do të jetë shumë e gjerë dhe me një protokoll që kalon caqet e një vizite normale. “Krahas bisedimeve zyrtare, Meta do të zhvillojë takime të veçanta me autoritetet më të larta të Maqedonisë, respektivisht Presidentin e Republikës, Kryetarin e Parlamentit dhe Kryeministrin, me liderin e LSDM-së dhe me drejtuesit e partive kryesore politike shqiptare në Maqedoni, si dhe do të zhvillojë një vizitë në Qendrën Rajonale të MARRI-it”, thuhet në njoftimin për shtyp që i referohet zyrtarisht vendit fqinj me emrin Maqedoni. Bie në sy jo vetëm protokolli i zgjeruar shtetëror që nis me ministrin e Jashtëm për të vijuar me Presidentin dhe Kryeministrin, por edhe aneksi politik që i ka lënë Metës një hapësirë kontaktesh zyrtare me kreun e opozitës maqedonase përpos partive politike shqiptare. Një element tjetër është fakti se kjo është vizita e parë në rajon e ministrit të Jashtëm Ilir Meta, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila i dha fund lojës diplomatike serbe për Kosovën, e ngritur tërësisht mbi nxitjen e idesë së destabilitetit. Rrjedhimisht shteti i ri shqiptar në Ballkan është pjesa thelbësore e kësaj vizite, e cila për këtë arsye ka përfshirë të gjithë spektrin politik të Maqedonisë. E ekspozuar për shkak të shumë faktorëve ndaj presioneve të gjithanshme, pozita e Shkupit zyrtar në këtë rast dikton sjellje të reja ekuilibruese, që medoemos varen nga roli i faktorit shqiptar, mbi të cilin Tirana zyrtare mund të luajë një rol. Ndërkohë axhenda e Metës do të ketë të bëjë edhe me marrëdhëniet dypalëshe për aspektin ekonomik, ku Maqedonia gëzon lirinë e lëvizjes përmes Portit të Durrësit.

Ndërkohë, një zhvillim formal diplomatik ka qenë dorëzimi i letrave kredenciale të ambasadorit të ri të Shqipërisë në Greqi, Dashnor Dervishi. Në takimin me Presidentin grek, Karolios Papulias, është folur rreth marrëdhënieve mes dy popujve për forcimin e të cilave të dy bashkëbiseduesit kanë shprehur sigurinë e plotë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›