E Diel, 1 Nëntor 2026

Përleshja në Hamallaj, kapet organizatori

Arrestohet në Kakavijë Gjon Pera, i akuzuar për dhunën ndaj forcave të policisë

Personi që akuzohet si organizator i rezistencës kundër prishjes së ndërtimeve pa leje në Hamallaj të Durrësit është vënë në prangat e policisë në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, sapo ka shkelur në tokën shqiptare.

Arrestimi

Policia e Gjirokastrës bëri të ditur se dje ka vënë në pranga shtetasin Gjon Pera, 33 vjeç, i shpallur në kërkim nga policia, pasi akuzohet për organizimin e protestave të dhunshme ndaj policisë në datën 9 korrik në fshatin Hamallaj të Durrësit.

Pera u vu në pranga teksa po kthehej nga Greqia mëngjesin e djeshëm. Ai dyshohet se ishte në krye të protestuesve që u konfrontuan me policinë duke plagosur me bomba molotov 3 prej efektivëve blu, më 9 korrik të këtij viti.

Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës ka vendosur masën e sigurisë “burg pa afat” për këtë person, duke bërë që emri i tij të futet në listën e personave të kërkuar në sistemin TIMS, që përdoret nga pikat e kalimit kufitar.

Protesta

Përleshja e dhunshme mes banorëve të Hamallajt dhe policisë nisi mëngjesin e nëntë korrikut, kur pritej të fillonte një operacion i Inspektoratit Ndërtimor për prishjen e objekteve pa leje.

Të informuar për aksionin e inspektoratit, pronarët e ndërtimeve që ishin planifikuar për t’u prishur u organizuan përgjatë gjithë natës dhe në mëngjes, rruga kryesore e fshatit ishte e bllokuar. Për t’u liruar rrugën fadromave janë futur në lojë Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Policisë, por në vend që të sprapseshin banorët, ishin policët ata që u detyruan të ktheheshin mbrapsht. Konfrontimi fizik mes banorëve dhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë ka çuar në plagosjen e dy punonjësve të FNSH-së, njëri prej të cilëve është goditur me gur në kokë dhe ka qenë në gjendje jo të mirë. Të plagosur ka pasur edhe mes protestuesve, ndonëse vetëm pak prej tyre i janë drejtuar qendrës shëndetësore dhe spitalit për të marrë ndihmën mjekësore.

Mbrëmjen e 9 korrikut dhe mëngjesin e 10 korrikut policia e Durrësit arrestoi një numër personash të përfshirë në këtë protestë të dhunshme. Disa prej tyre u liruan shpejt, ndërsa ata që u konsideruan organizatorë, u mbajtën në burg. Gjon Pera konsiderohet si një prej nxitësve të dhunës, ndaj edhe gjykata vendosi për të masën e arrestit.

Situata

çështja e përleshjes së 9 korrikut është duke ndjekur tashmë rrjedhën e vet ligjore, me procedimin e gjithë të akuzuarve, ndërsa çështja e ndërtimeve pa leje në Hamallaj ka ngrirë. Inspektorati i Ndërtimit nuk ka përcaktuar asnjë datë për ndërhyrjen në këtë zonë, ku pronarët e ndërtimeve pa leje janë organizuar për të bërë rezistencë sërish.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›