Ambasada Italiane: Ngjarje e rëndë
Pas ngjarjes së rëndë në Peqin, ku viktimat kryesore ishin gjyqtarët e ndeshjes, i menjëhershëm ishte edhe reagimi i Ambasadës Italiane në Shqipëri. Goditjet me sende të forta nga tifozët dhe ofendimet nga drejtuesit e Shkumbinit në fund të lojës, janë cilësuar mjaft të rënda. "Arbitri dhe dy asistentët e tij u bënë objekt i një agresioni të rëndë nga ana e spektatorëve të pranishëm në ndeshjen e futbollit Shkumbini-Flamurtari", theksohej në një deklaratë për shtyp. "Ambasada Italiane nënvijëzon aspektin e rëndë të kësaj ngjarjeje, në të cilën janë goditur qytetarët italianë të angazhuar në një aktivitet sportiv zyrtar në territorin shqiptar. Theksojmë edhe masat e papërshtatshme të marra për sigurinë dhe mbrojtjen e tre arbitrave, të cilët ishin në qendër të sulmeve të tifozëve". Në vazhdim, trupi diplomatik i akredituar në vendin tonë ka kërkuar marrjen e masave të duhura ndaj përgjegjësve dhe me siguri që episode të tilla nuk do të përsëriten në të ardhmen.