Trupa izraelite çel festivalin e dancit
Ka nisur mbrëmë në teatrin "Aleksandër Moisiu" të Durrësit edicioni i katërt i Festivalit Ndërkombëtar të Dancit Modern dhe Kontemporan. Pas ceremonisë së hapjes, në skenë është ngjitur për herë të parë një trupë izraelite. Trupa "Kolben Dance Company" nga Izraeli u prezantua me shfaqjen "Interface", e cila u prit ngrohtë nga publiku dhe të ftuarit. Nëntë artistët izraelitë të "Kolben Dance Company" që hapën mbrëmë edicionin e katërt të këtij aktiviteti ndërkombëtar të Dancit Modern që është shndërruar në traditë tashmë, mbërritën pasditen e së mërkurës në Durrës dhe paraditen e djeshme janë njohur me skenën durrsake. Kjo është trupa e parë artistike që vjen në vendin tonë nga Izraeli dhe pas prezantimit në Durrës të shfaqjes "Interface" ata do të jenë më 2 maj edhe në skenën e Akademisë së Arteve në Tiranë me një tjetër spektakël, atë të titulluar "Plusminus". Përveç trupës izraelite, janë dhe tetë kompani të tjera danci teatror nga Hungaria, Kanadaja, Italia, Britania e Madhe, Shqipëria dhe Greqia që do të marrin pjesë në Festivalin që sapo ka çelur mbrëmjet e tij në qytetin e lashtë bregdetar të Durrësit. Edicioni i katërt i këtij festivali do të zhvillohet në periudhën 30 prill deri në 6 maj në sallën e teatrit "Aleksandër Moisiu" të qytetit të Durrësit. Sipas organizatorëve, harta artistike e këtij edicioni parashikon zgjerimin e saj edhe me trupën hungareze "Orpheus Marathon" që drejtohet nga koreografi Ferenc Feher. Drejtori artistik i këtij festivali, koreografi i njohur, Gjergj Prevazi, vlerësoi edhe mbërritjen e kompanisë "En-Knap" të mjeshtrit Kovaç Istog nga Sllovenia, e cila do të sjellë për artdashësit spektaklin "Raw". Në këtë edicion është parashikuar pjesëmarrja e specialistëve, drejtuesve dhe menaxherëve të festivaleve të ngjashme nga Belgjika, Holanda, Turqia, Maqedonia, Italia etj. Festivali Ndërkombëtar i Dancit Modern dhe Kontemporan është një projekt i veçantë në vendin tonë, pasi përfshin një fushë të rëndësishme të artit skenik, për të cilën nuk ka ende një veprimtari të ngjashme. Ai ka nisur në vitin 2006 dhe deri tani në skenën e teatrit janë përballur trupa dhe kompani artistike nga Kosova, Maqedonia, Suedia, Holanda, Turqia, Italia, Kroacia, Shqipëria, Zvicra, Greqia etj. Festivali synon të bëhet arenë e shprehjes së aspiratave krijuese të artistëve nga vende të ndryshme, duke u kthyer tashmë në një veprimtari të përvitshme dhe duke rritur atraksionet turistike të qytetit antik. Në tre edicionet e para, publiku durrsak i ka mirëpritur kompanitë dhe shfaqjet e tyre dhe organizatorët vlerësojnë se festivali ka krijuar kushte mjaft të mira për njohjen e tendencave të Dancit Modern dhe Kontemporan nga studentët e degës së koreografisë në Akademinë e Arteve dhe të pasionuarit e tjerë. Në ditën e fundit të veprimtarisë, organizatorët e Festivalit të Dancit Modern dhe Kontemporan kanë planifikuar të nderojnë me "Çmimin e Karrierës" një nga balerinët apo koreografët e shquar shqiptarë në vite.