E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bjordi: Jam i lodhur nga refuzimet

Debati, politika, raporti mes femrave dhe meshkujve kanë qenë disa nga temat në të cilat janë përfshirë banorët e "Big Brother". Nuk kanë munguar dhe replikat mes njëri-tjetrit. Adela dhe Anjeza kanë pasur disa momente përballje, ndërkohë që Sori ka treguar për disa momente të vështira të jetës.

"Dua qetësi, jo stres"

Adela, që duket ende e përgjumur, ankohet se nuk i pëlqen aspak mënyra e zgjimit që po përdoret kohët e fundit. Ari ia kthen se Sori e merr kënaqësinë kur bezdis të tjerët. Adela insiston që ata të zgjohen vetë, pa ngacmimet e të tjerëve, ndërsa Ari shprehet se kjo ndodh vetëm me të pasi zgjohet vonë. "Le të ngrihem pak më vonë, por dua të ngrihem qetë, jo me stres", ka thënë Adela.

"E shpërdorojmë ushqimin"

Moza lë mëngjesin që ka përgatitur për të ngrënë përgjysmë. Adi i thotë me shaka që ta hajë të tërin që të rritet, ndërsa Juna mendon se nuk është veprim i mirë ky i Mozës. Ajo e trajton këtë bisedë në aspektin e shpërdorimit të ushqimit prej tyre. Juna thotë se ata shpesh e shpërdorojnë ushqimin, duke e hedhur në mbeturina pa e përfunduar. Ajo këshillon Mozën që herë tjetër të marrë vetëm gjysmën e racionit, nëse e di që nuk të do hajë shumë. Anjeza dhe Adi i bashkohen mendimit të Junës. Ajo shton se duhet ta administrojnë më mirë buxhetin e tyre, sidomos tek ushqimet. "Të dielën vrasim mendjen se çfarë do bëjmë, gjatë javës i hedhim poshtë", thotë Juna.

Familja më ndihmoi

Adi, duke u nisur nga një bisedë shumë e shkurtër ku Sori tregon diçka nga jeta e tij, e pyet drejtpërdrejtë nëse ka pasur edhe ai eksperienca si të tijat. Sori e pranon këtë gjë dhe tregon në mënyrë shumë të shkurtër se ka pasur një eksperiencë të tillë njësoj si ai, lidhur me drogën. Ari dhe Adi habiten që Sori e tregoi këtë vetëm tani. Ata e pyesin se si ia doli mbanë dhe Sori thotë se e ka ndihmuar familja e tij. Ai shton se përveç kësaj, ka pasur edhe probleme me alkoolin më vonë.

Adela: "Junida më ka inat!"

Adelajda dhe Mimoza duke qëndruar në kopsht diskutojnë për pamjen e tyre. Mimoza i thotë Adelajdës që kur të dalë do të ndryshojë modelin e flokëve, do t‘i presë të shkurtra dhe do t‘i lyejë të zeza. Adelajda i thotë që do bëjë gabimin më të madh nëse i pret. Junida që është pranë tyre dëgjon bisedën dhe e pyet Mimozën nëse i kishte lyer flokët të zeza ndonjëherë. Ajo mohon. Junida është pro ndryshimeve në pamje dhe i thotë Mimozës që ta provojë, dhe largohet. Adelajda i thotë Mimozës: "Sa inat më ka Junida mua!" Mimoza mendon që Junida e ka dhe atë inat, por Adelajda i thotë që të paktën asaj i flet dhe shton: "Mua më flet me kunja!" Mimoza i thotë që e bezdis sa herë Junida i thotë që t‘i mendojë mirë gjërat. Adelajda mendon që ajo duhet të afrohet të diskutojë me të gjithë banorët dhe jo vetëm t‘i shkojë Adit nga pas. Mimoza i tregon që kishte biseduar me Anjezën dhe thotë që i kishte pëlqyer biseda me të. Adelajda mendon që Anjeza ka qenë shumë më e mirë, por ka ndryshuar, dhe sipas saj arsyeja ndoshta është nominimi. Mimoza mendon se Anjeza është e mërzitur.

"Jemi lodhur nga debati?"

Banorët mblidhen dhe diskutojnë për mungesën e temave për debat. Biseda zhvendoset në idenë nëse një debat është konstruktiv apo destruktiv. Junida mendon që debati i ka të përfshira të dyja konceptet. Adelajda mendon që në seriozitetin e një debati ka rëndësi mënyra se si rri dhe se si prezantohesh. Qetsori mendon që banorët në çdo debat të diskutuar kanë qenë seriozë. Ata fillojnë diskutojnë për vlefshmërinë e një debati. Qetsori pyet:-"Pse e kemi lënë debatin ne, se na kanë mbaruar temat, apo se jemi lodhur nga ai?" Adi mendon që kanë mungesë në tematikat për të diskutuar, pasi është e vështirë që një person të diskutojë për të gjitha temat.

Femrat dhe meshkujt

Duke diskutuar me Qetsorin, Ari i kthen kurrizin Anjezës dhe ajo ia vë në dukje këtë gjë. Ai i thotë që po diskutonte për diçka serioze, dhe Adi ndërhyn duke përmendur fjalët e tij:- "Për botën femërore kam respekt!" Nga replika midis Anjezës dhe Arjanit rreth diskutimit për konceptin e tij për femrën, merr shkas debati femrat dhe meshkujt. Adi shprehet se e respekton shumë femrën. Nga kjo Junida merr shkas duke e pyetur për disa situata hipotetike në rastin që një femër nuk e respekton dhe e ofendon. Ai pyet: "Ti do e respektoje këtë femër për hir të xhentilesës?" Adi ia kthen:-"Unë do e urrej me xhentilesë!" Anjeza e ngacmon Arjanin duke e pyetur nëse do u afrohej femrave jo të bukura. Ai i thotë që ka një tendencë drejt femrave të bukura, pasi i transmetojnë një lloj simpatie dhe shton: "Njerëzit e shëmtuar kanë shumë komplekse!" Anjeza mendon që njerëzit tërhiqen nga gjërat e bukura. Adi shprehet që kërkon të ketë më afër botën femërore, pasi të fal shumë kënaqësi. Adelajda e pyet Arjanin nëse ka shoqe. Ai i thotë që ka shumë shoqe, dhe shton: "Shoqja më e mirë është ajo, ndaj së cilës ke hequr kuriozitetin seksual!" Nga kjo shprehje e tij ndizet debati dhe diskutojnë situatat që një person flirton me të dashurën e shokut. Adi thotë:- "Tradhtia vjen nga mungesa e lirisë!" Ata vazhdojnë duke diskutuar për tradhtinë.

Bjordi: "Kam sedër të keqe!"

Adelajda ka vënë re që Bjordi nuk i flet dhe e pyet për këtë gjë. Ai i thotë që është mërzitur me të. Adelajdës nuk i duket normale që ai të mërzitet me të, dhe i thotë që më parë nuk i kishte ardhur mirë që Bjordi nuk e thirri kur doli në kopsht. Duke pranuar gabimin, ai i thotë:- "Kur ti më thua që nuk ‘vdes‘ të rri me ty unë prekem në sedër! E kam sedrën shumë të keqe!" Adelajda i thotë që ai duhet të mendojë dhe për sedrën e të tjerëve. Bjordi kërkon të dijë nëse ishin të vërteta fjalët e saj që kishte thënë në momente nervozizmi. Adela sqarohet se i kishte thënë kur ishte e mërzitur dhe shton:- "Unë dua të rri me ty dhe ti e di shumë mirë!" Pasi sqarohen rrinë përqafuar duke u puthur. Ndërkohë që puthen Adelajda i thotë: "Më mori malli!" Bjordi i thotë që shpreson që të jetë si thotë ajo. Ajo i kthehet duke i thënë që nuk ka pse të vërë në dyshim fjalët e saj dhe e pyet:-"Ti vërtet dyshon te fjalët e mia, apo ishte momenti?" Bjordi i thotë që nuk e vinte në dyshim, por ishte nevojë për siguri.

Fjalët e shpejta

"Big Brother" ka menduar që për provën e javës të provojë aftësitë e banorëve në përvetësimin sa më mirë të disa elementeve të fushës së aktrimit. Prova konsiston në shqiptimin, theksimin, dhe dhënien e kuptimit logjik të fjalive, dhe përdorimit të tyre në shpejtësi maksimale pa humbur asnjë nga elementët e sipërpërmendur. Secili nga banorët kishte një shprehje të cilën duhet ta përsëriste pa ndërprerje shtatë herë.

Dashuria dhe ekonomia

Për të ndezur bisedën e për të ngacmuar Adin, Ari tregon se në rininë e tij ka qenë sekssimbol. Adi, disi në pozitë, e pranon këtë gjë dhe tregon se kohët atëherë ishin ndryshe nga ato tani. Ai bën krahasimin e dy kohëve dhe tregon se atëherë krijohej një marrëdhënie më lehtë se tani, sepse siguria nuk ishte baza në një raport, ndërsa tani, siguria është kryesorja në raportin mes një çifti. Adi e trajton këtë bisedë si në aspektin e dashurisë edhe në atë ekonomik. "Nuk jetohet një dashuri duke numëruar qindarkat", shprehet ai. Sipas tij, gjendja ekonomike është një faktor që ose sjell harmoninë në një çift, ose grindjet. Të gjithë banorët janë dakord me mendimin e tij, duke arsyetuar në të njëjtën mënyrë.

"Nuk dua të më keqkuptojnë"

Përpara se të shkojnë për të fjetur, Adela i kërkon Sorit që të mos e shqetësojë më në mëngjes duke e gjuajtur me jastëkë për ta zgjuar nga gjumi. Ai i përgjigjet se nëse ajo do flejë njësoj me ta në mbrëmje, nuk do të rrijë me Bjordin duke shqetësuar edhe të tjerët, nuk do ta ngacmojë më. Sori dhe Ari fillojnë të bëjnë shaka me Bjordin për këtë gjë, por Adela mundohet ta mbyllë këtë bisedë. Ajo thotë se nuk po i pëlqen mënyra se si po e trajtojnë këtë çështje ata që janë me ta tërë kohën dhe i shohin në çdo veprim, duke e ekzagjeruar me fjalët që thonë, sepse publiku mund t‘i keqkuptojë. Sori justifikohet se po bën shaka. Si Sori, edhe Anjeza i këshillojnë që të mendojnë për veten e jo se çfarë mendojnë të tjerët. "Si t‘i themi, si të mos t‘i themi ne këto, ata jashtë mendojnë çfarë të duan"- thotë Anjeza, por Adela insiston se nuk dëshiron që familja e saj t‘i keqkuptojë.

"Nuk dua të kaloj kufijtë"

Adela, e mërzitur për çfarë i thanë të tjerët, i thotë Bjordit se e kuptoi që mund të duken keq te të tjerët. Ajo shprehet se vërtet e do fort dhe dëshiron të rrijë me të, por nuk mund të kalojë kufijtë e sjelljes. Bjordi mendon se Sori po bënte shaka, por Adela i përmend edhe fjalët që tha Anjeza dhe Moza, gjë që e vërtetonte dyshimin e saj. Ajo thotë se shpesh e ka kuptuar që e ka kaluar kufirin dhe ka vendosur të mos e bëjë më. "Nuk dua që të tjerët të flasin për mua", shprehet ajo. Bjordi bie dakord me vendimin e saj dhe Adela kërkon që ai ta kuptojë për atë që ajo thotë. Bjordi ia kthen se kjo situatë e krijuar, jo nga ajo, po e lodh dhe nuk ka më entuziazmin e fillimit për t‘i çuar gjërat deri në fund. Ai thekson se shaka të tilla do ketë gjithmonë dhe ajo nuk duhet të dorëzohet për kaq pak, por Adela shprehet se nuk i intereson se çfarë thotë Sori, por ajo që mendojnë njerëzit jashtë, sidomos familja e saj. Ajo insiston në mendimin e saj se nuk mund t‘ia lejojë vetes që dikush të dyshojë se midis tyre mund të ketë ndodhur diçka më shumë se një puthje apo që veprimet e tyre të keqkuptohen. "Nuk kam çfarë të bëj veçse se të respektoj vendimin tënd", përfundon Bjordi.

"Dua të të jap anën e mirë"

Adela, më shumë duke bërë monolog me veten sesa duke folur me Bjordin, shprehet se është e pamundur që ajo të kalojë një periudhë qetësie dhe të mendojë vetëm për veten e saj, pa menduar më për të tjerët. Sipas saj, gjithnjë do të jetë diçka që do t‘i prishë këtë qetësi. "Unë nuk dua të lodh e stresoj veten, por çdo ditë e çdo natë ku nuk më shkon mendja", shprehet ajo. Adela mendon se është larg dita që ajo të mendojë vetëm për veten e saj, sepse gjatë gjithë kohës shqetësohet për të tjerët. Ajo i kujton Bjordit se biseda të tilla i ka bërë shpesh me të, por duke qenë se ai është një ndër personat që ajo preokupohet, biseda të tilla ku ajo ndihet e mërzitur, nuk do t‘i thotë më pasi nuk dëshiron që ta shqetësojë. "Dua të të jap anën e mirë"- i thotë ajo Bjordit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›