E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Kohë e trazuar" për Galerinë e Arteve

Më në fund një dritë jeshile në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Pas një periudhe heshtjeje, do të çelet ditën e hënë në datën 4 maj ekspozita personale e fotografit belg, Alain Janssens. Ekspozita e cila do të sjellë për publikun 36 fotografi të realizuara në teknikën bardhezi titullohet "Kohë e trazuar". Nëpërmjet këtyre imazheve duket se Janssens transmeton një profesionalizëm "magjik", një mjeshtri dhe vizion modern të fotografisë. Për të realizuar fotografitë dhe botimin e titulluar "Kohë e trazuar", të shoqëruar me shkrime e poezi personale, fotografi Alain Janssens, ka kaluar rreth 12 vjet duke kontrolluar gazetat, duke ndjekur kalimin e kohës dhe duke e transformuar botën në emocione të pafundme. Janë 12 vjet që pasqyrohen në fotografitë e tij, të cilat dëshmohen edhe nëpërmjet frazave të shkurtra, mendimeve, aforizmave të cilat përforcojnë frymëzimin dhe qëllimin për të realizuar këtë set fotografik të një "kohe të trazuar". "Të shtrëngosh fort/ngushtë/ Të vendosësh në kornizë energjinë e materies/ ta shprehësh atë". Janë katër vargje që korrespondojnë në mënyrë të përkryer me qasjen e një artisti që ia del mbanë të shkojë përpara edhe duke fotografuar fundin e një gote, një mbetje pezull në ajër, një pjesë filli pas një shtylle guri, një frutë mbi tavolinë, një tas të thyer ... tre fiq, rrugë e kullota, një vajzë e fjetur, një dorë indiferente, një lule ... Këto janë lumturia e fotografit dhe për të, lumturia ka vlera vetëm kur ndahet me të tjerët.

Për këtë arsye fotografi belg, përcjell shumë objekte të vogla të fotografuara përgjatë viteve. I ka përmbledhur në këtë ekspozitë si një koleksion intim, të cilin ka vendosur ta ndajë me publikun e gjerë. Alain Janssens përjashton çdo estetikë formale të fotografisë. I sjell imazhet me një saktësi ekstreme. Përçon përjetimet personale nëpërmjet fotografisë qetësisht, duke përdorur një lloj sfumimi, sepse sipas tij "në fotografi ka diçka që nuk duhet parë në dritë, diçka që nuk është e qartë edhe pse e gjallë". Për Janssens, e zeza është e thellë ndërsa e bardha vjen si brilant e jo më kot gjatë krijimtarisë së tij fotografi zgjedh të përdorë këtë teknikë. Ekspozita "Kohë e trazuar" sjell vende të banuara që të ftojnë të meditosh, që të shtyjnë drejt debatit dhe reflektimit. Janë imazhe që kënaqin mbi të gjitha vullnetin e autorit të tyre. "Kur sytë e fokusuar para fotografisë ndiejnë gjethen që shkundet atëherë fotografia është e mirë dhe ia ka arritur qëllimit", thotë vetë ai.

Preferon të përdorë formate të vogla ose mesatare të fotografisë, të cilat përshkruhen nëpërmjet narratives poetike.

"Kohë e trazuar", vjen në kuadrin e marrëdhënieve kulturore të Shqipërisë dhe Mbretërisë së Belgjikës, Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Galerisë Kombëtare të Arteve, Wallonie Bruxelles International dhe L‘espace Photographique Centretypea. "Kohë e trazuar" në të cilën përfshihen fotografi që i përkasin viteve 1992 - 2004. Fotografi Alain Janssens i përket brezit të fotografëve të gjysmës së dytë të shekullit XX. Ai lindi në Liege të Belgjikës në vitin 1956 dhe mbaroi studimet në Institutin e Lartë të Arteve të Bukura, në vendlindje. Aktualisht, duke nisur nga viti 1986, artisti është pedagog i fotografisë në Institutin e Arteve të Bukura në Saint-Luc në Liège. Janssens u edukua dhe ndikua fuqishëm në karrierën e tij artistike nga figura e artistit - fotograf, Hubert Grooteclaes. Ai ka marrë pjesë në dhjetëra ekspozita kolektive dhe vetjake fotografike, duke filluar nga viti 1979, kur ekspozon për herë të parë në vendlindje - Liege në Muzeun e Arkitekturës. Janssens ka marrë pjesë me mjaft sukses në shumë veprimtari ndërkombëtare në Evropë. Gjatë vitit 2005, ai realizoi botimin e ciklit fotografik "Kohë e trazuar". Fotografitë e tij janë bërë pjesë e koleksioneve të Bibliotekës Kombëtare të Parisit, Muzeut të Fotografisë në Charleroi, e Komunitetit francez të Belgjikës, e Rajonit Wallone, e muzeut "Elysee" në Lozanë dhe e koleksionit Polaroid në Ofenbah. Ekspozita do të qëndrojë e hapur në Galerinë Kombëtare të Arteve deri më 17 maj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›