Ambasada britanike, letër Akademisë maqedonase: Të korigjohet enciklopedia
Ambasada e Britanisë së Madhe në Shkup i ka dërguar një letër Akademisë maqedonase të Shkencës dhe Artit, përmes së cilës i kërkonte korrigjimin e pjesëve të caktuara të enciklopedisë së shumëpërfolur, ku aludohet për stërvitjen e anëtarëve të UÇK-së nga oficerë të regjimentit të forcave speciale britanike, (SAS). "Këto fakte janë të pasakta", deklaroi ambasadori britanik në Maqedoni, Andreë Key, duke konfirmuar dërgimin e letrës për Akademinë maqedonase të Shkencës dhe duke shprehur besimin se do të bëheshin korrigjimet e duhura. "Se si do të korrigjohet enciklopedia, kjo mbetet detyrë e Akademisë, por ky proces do të jetë një kontribut për vendin", shtoi diplomati britanik. Britania e Madhe përmendet në enciklopedinë e shumëpërfolur vetëm në një pjesë të saj. "Informacioni për stërvitjen e hamendësuar është i pasaktë. Forcat britanike nuk kanë kryer kurrë misione të tilla stërvitjeje. I bëj thirrje Akademisë të korrigjojë këtë pjesë. Nuk e kam lexuar pjesën tjetër të enciklopedisë, por botimi i saj ka nxitur një ortek reagimesh brenda dhe jashtë Maqedonisë. Është e rëndësishme për një libër të tillë që faktet të jenë të konfirmuara dhe të sakta", theksoi ambasadori britanik. I pyetur nëse reagimet ndaj enciklopedisë maqedonase do të ndikonin në Progres Raportin e afërt të BE-së për Maqedoninë, Key tha se shpresonte që gabimet në të do të korrigjoheshin në mënyrë që Komisioni Europian të përqendrohej vetëm në çështjen e përmbushjes së kritereve.