E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akademia e Shkencave maqedonase vendos korigjimin e Enciklopedisë

Anëtarët e stafit të "Enciklopedisë së Maqedonisë", në një takim të zgjeruar në Akademinë e Shkencave, vendosën sot të korrigjojnë disa përcaktime në publikimin e botimit të parë dhe të vazhdojnë të punojnë me botimin e dytë, të ndryshuar dhe të plotësuar.
Qendra Leksikografike e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë njoftoi se konkludimi nga mbledhja e sotme vijon pas reagimit të partive politike, shoqatave dhe individëve lidhur me enciklopedinë e botuar.
"U arrit në përfundimin që të informohet opinioni publik se do të bëhen disa përmirësime të caktuara në disa përcaktime dhe do të vazhdojë puna në botimin e dytë, të ndryshuar", thuhet në kumtesën e Qendrës Leksikografike të akademisë.
Enciklopedia e parë kombëtare u promovua të mërkurën e kaluar, botuar me financimin e qverisë, pas punës disavjeçare të Qendrës Leksikografike dhe të rreth 260 bashkëpunëtorëve nën udhëheqjen e redaktorit kryesor, akademikut Blazhe Ristovski.
Dalja nga shtypi shkaktoi reagime tek partitë dhe opinioni shqiptar në Maqedoni, që duke mos u pajtuar me disa përcaktime, kërkuan tërheqjen e saj.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›