Greqi/ Shpërthim në qendër të Athinës, nuk ka të plagosur
Dy javë përpara mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, një shpërthim ka ndodhur pranë shtëpisë së një anëtareje të partisë opozitare Socialiste të Greqisë, në qendër të kryeqytetit Athinë. Sipas policisë, nga shpërthimi janë shkaktuar vetëm disa dëme të vogla materiale, por jo në njerëz. Shpërthimi i bombës artizanale ishte paralajmëruar nga një telefonatë e bërë në një televizion lokal. Bomba ishte vendosur jashtë një ndërtese në qendër të Athinës, aty ku anëtarja e opozitës socialiste greke PASOK, Luka Katseli ka një apartament. Katseli është një përfaqësuese për cështjet ekonomike në partinë PASOK. Ajo është e martuar me një anëtar tjetër të kësaj force politike, ish-ministrit të Ekonomisë Gerasimos Arsenis, i cili nuk është në garë për zgjedhjet e ardhshme. Arsenis mbërriti menjëherë në vendngjarje, pak pas shpërthimit dhe hyri në ndërtesë për të inspektuar shtëpinë e tij që ndodhet në katin e katërt. "Është apartamenti ynë, rezidenca jonë e përhershme", tha Gerasimos për Reuters. Shpërthimi vjen vetëm dy javë përpara zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që do të mbahen më 4 tetor, dhe që sipas sondazheve, fituese do të dalë opozita socialiste. Që nga dhjetori i vitit të kaluar, një seri bombash kanë shpërthyer në kryeqytetin grek, të përbërë nga grupe të ndryshme anarkiste dhe guerrilase që kundërshtojnë politikat qeveritare. Bombat kanë qënë kryesisht artizanale dhe kaë shënjestruar bisnese, zyra politikanësh dhe pika këmbimi valuator.