Ambasada e Fidelit dhe figurat e Che-së
Aty nga muzgu i viteve ’80, fytyra e Tiranës shquhej si një kryeqendër urbane modeste. Objekti qiellor për ne ishte 15-katëshi. Në rrugëtimin tonë të përhershëm nga Instituti në kryeqendër kalonim përpara një ambasade në rrugën e Durrësit. Ambasada ishte një soj bunker. Mure të lartë. Hekur dhe shurdhëri e madhe. Aty në qoshe të Rrugës së Durrësit, ambasada kubane ishte shenjë e një shurdhërie të përhershme. Muret e saj nxinin në dimër. Heshtja mbërthehej në hekura. Çdo ditë, që ne shkonim në kryeqendër, zbrisnim tek kryqëzimi i udhës dhe shkonim përpara ambasadës së Fidel Kastros. Një pllakë e bukur ku shkruhej ambasada kubane në spanjisht. Netëve kur ktheheshim në institut prisnim autobusët aty pranë ambasadës. Një hije e zezë mbyllte krejt ndërtesën. Një e lehur qeni vinte nga ambientet brenda rezidencës diplomatike. E lehura e atij qeni ndihej nëpër natë, në atë kryqëzim të Rrugës së Durrësit. Një natë ne ishim tek kafe Flora. Kafe Flora ishte një ndër ambientet e cila kishte fituar emër edhe nga një këngë e ndaluar festivali. Ndërmend më ravijëzohej vargu i parë: “Kafe Flora mbushur plot...” Në të vërtetë kjo kafene ishte e vetmja që kishte nur dhe gjithë kohës ishte plot. Kur dolëm nga kafe “Flora” shkuam aty tek stacioni i përhershëm dhe ndjemë sërish të lehurat e qenit kuban brenda rezidencës. Pyetja që na kishte vënë shpesh në mendime ishte se ajo ambasadë ishte aty veç formalisht. Kastroja nuk ishte i preferuar nga udhëheqësit komunistë të Tiranës. Madje nga vitet ‘64 në Tiranë kishte ardhur dora vetë Che, udhëheqësi i revolucionit kuban. Che ishte vrarë në Bolivi, i rrethuar nga ushtria e i kandisur si mos më keq. Kisha lexuar rrëfimin e një mësueseje vetëm pas viteve ’90 për kohën kur Che u soll nga trupat qeveritare në atë shkollë dhe më pas u ekzekutua. Aty nga viti 2008 në qytetin antik Amantia më erdhi një amerikano-kuban. Ai ishte Dr në arkeologji dhe erdhi tek ne për një shërbim sipër maleve të luginës. Në verë atje bën vapë tmerrësisht. Ai mbante një bluzë me një foto të Che-së. E njeh këtë? e pyetëm. Po, është Che. Dr i arkeologjisë më tha se ishte larguar shpejt nga Kuba, se atje ishte mjerim i madh. Në Karaibe njerëzia ashtu si në fillimvitet ’90 në Shqipëri fliste vetëm për bëmat e shkuara të revolucionit. Kandilit të Kastros i kishte mbetur vetëm pak vajgur. Miti i tij në vendin tonë ishte shuar herët. Prej andej, me sa më kujtohet eksportonim vetëm sheqer. Eksporti tjetër ishte pas viteve ’90, me bluzat e stampuara me figurën e Che-së. Vetëm ai mund të eksportohej në bluza të zeza. Kur e kam parë dokumentarin për vrasjen e Che-së dhe pamjen që ishte kandisur në atë farë feje, them se miti i lindi pas vrasjes së tij. Libra dhe bluza vërshojnë shumë në vendet që kanë njohur revolucionet dhe diktaturat. Nuk mund të përjashtohej Shqipëria, të cilën Che e kishte vizituar fshehtas.
Sidoqoftë Che ishte imazhi që mbetej pas një revolucioni me shumë plagë, që ende dhembin. Edhe shfaqja e kujtimeve në medien shqiptare për ardhjen në kryeqendrën shqiptare të Che-së më kujtonte atë vend të mbyllur e të strukur, atë ambasadë-fortesë në Rrugën e Durrësit, ku shkruhej “ambasada kubaneze”. Asnjëherë nuk arritëm të shikojmë fytyrat e diplomatëve të atij vendi. Ashtu si shteti i mbyllur atje në Karaibe pas revolucionit kundër Batistës, në kryeqendrën tonë në Rrugën e Durrësit ndër vite jetoi edhe një ambasadë e një shteti, ambasada e Kastros, që i mbylli dyert në vitet ’90. Atje në rrugën e Durrësit, ambasada e Kastros nuk jeton më. Nëpër natë nuk dëgjohet më e lehura e atij qeni të huaj. Nuk ngordhi qeni. Iku ambasada e shtetit të Karaibeve. I vetmi kujtim i largët, që ka mbetur është imazhi i asaj ambasade shurdhërie. Por bluzat, librat apo çakmakët me figurën e Che-së, eksportohen ende në këtë vend. Dikur na ëmbëlsonin me sheqer kubanez të prodhuar nga kallam sheqeri i Karaibeve, sot eksportojmë vetëm bluza, çakmakë, libra me të gjitha figura të Che-së. E çfarë mund të bëjë Che? Asgjë. Llagëmi i ftohtë ku u kall pas dyzet vitesh e ka tretur gjithçka. Tashmë ka mbetur vetëm balta e ftohtë. Ajo shtroje tashmë e ka hapur gojën. Pret Kastron, njërin nga të fundit e diktatorëve komunistë të shekullit XX.