Edi Rama, fushatë çnjerëzore për të bllokuar liberalizimin e vizave
Kryeministri: Nesër, shqiptarët të lirë të udhëtojnë në BE - protestat e bllokmenëve s’penguan dot vizat
Kryeministri Sali Berisha konsideroi si ditë historike 15 Dhjetorin, ditën kur hyn në fuqi vendimi i Bashkimit Evropian, për udhëtimin e shqiptarëve pa viza në hapësirën e gjelbër të “Schengen”-it. Berisha vlerësoi para ligjvënësve demokratë, në mbledhjen e përjavshme të grupit parlamentar, se kur duhet vetëm një ditë nga inaugurimi i lëvizjes së parë të shqiptarëve në historinë e tyre, pa viza në BE, kombi rifitoi dinjitetin intelektual dhe evropian.
Sipas kryeministrit, heqja e vizave dhe rifitimi i lirisë, përbën arritjen e dytë të madhe të jetës së qytetarëve shqiptarë; e para sigurisht ishte shembja e diktaturës, shembja e murit të Berlinit në Tiranë 20 vjet më parë, po nga kjo forcë politike, e cila u themelua në një betejë legjendare.
Kryeministri solli në vëmendje se simbolika e 15 Dhjetorit, dita e lëvizjes pa viza në BE, është mjaft e veçantë pasi qytetarët do kenë mundësi të njohin, të prekin vendet dhe shoqëritë e lira, të cilat përbëjnë Bashkimin Evropian, mrekullinë më të madhe të këtij kontinenti në të gjitha kohërat.
“Kjo për të gjithë dhe për ne shqiptarët është shumë më e vërtetë, për shkak të të shkuarës sonë. Po të kemi parasysh se ne jemi i vetmi vend që erdhëm në vitin 1990 të rrethuar me tela me gjemba. Nga 15 janari i vitit 1990 deri në dhjetor me regjistër dhe dosje janë të dokumentuar 51 djem dhe vajza, burra dhe gra, të ekzekutuar në kufijtë e këtij vendi nga regjimi barbar dhe kjo pasi ishte hequr neni i tradhtisë së lartë të largimit nga atdheu, për kjo u bë për të terrorizuar një vend të terë”, tha kryeministri, duke kujtuar se regjimi vrau në kufijtë e vendit 51 të rinj që tentonin të preknin tokën dhe botën e lirë.
Berisha theksoi se liberalizimi i vizave u bë e mundur si pasojë e përpjekjeve serioze dhe reformat më të suksesshme që sipas tij shembën çdo lloj paragjykimi, duke i hapur rrugë kështu procesit të heqjes së regjimit të vizave.
Edi Rama dhe kulti i bllokmenëve, fushatë kundër vizave
Shefi i ekzekutivit akuzoi gjithashtu kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama se ka bërë çdo përpjekje për të penguar liberalizimin e vizave për shqiptarët dhe për t’i mbyllur vizat në kuti.
Duke i konsideruar si “grusht bllokmenësh të rinj” kryeministri akuzoi opozitën dhe kryetarin e PS se është përpjekur në qarqet ndërkombëtare për të ndaluar liberalizimin e vizave si dhe për të mashtruar qytetarët.
Për kreun e mazhorancës “greva e urisë” fushata e ndërmarrë “hap kutitë të lirosh vizat” dhe protesta që zhvillohet sot, janë përpjekje të dështuara të opozitës për të ndaluar liberalizimin e vizave. “Ishte një fushatë antinjerëzore e pa përmbajtur e grupit të bllokmenëve të rinj që ditën e heqjes së vizave do të deklaronin se nuk kishim nevojë për këtë u bëmë të gjithë si këmbët e dhisë, absolutisht këtë e ka thënë në mënyrë të përsëritur. Bëri grevë urie vetëm e vetëm për të penguar vizat dhe do të nisë letër në stilin e një njeriu të pa skrupull të nesërmen e marrjes së vendimit. Ndërmori fushatën elektorale pasi doli nga çadrat, hap kutitë të çlirosh vizat, u soll vërdallë nëpër Shqipëri dhe kudo, me qëllimin ogurzi të fuste vizat në kuti, por dështoi mori atë që meritonte. Premtimi u mbajt, shqiptarët me datën 15 dhjetor e tutje do të ndihen si kurrë më parë qytetarë Evropianë”, deklaroi kryeministri.
Garancia për vendet e BE, asnjë shkelje të rregullave të “Schengen”-it
Duke shprehur mirënjohjen e thellë ndaj vendeve të Bashkimit Evropian, të cilat vlerësuan progresin e Shqipërisë dhe vendosën heqjen e regjimit të vizave, Berisha i garanto ato se qeveria do bëjë çdo përpjekje për të penguar abuzimin me vizat.
Ai u shpreh optimist se shqiptarët me dinjitetin më të madh do të qëndrojnë përpara këtij vendimi dhe në mënyrën më të qytetëruar do të sillen ndaj tij pa i lejuar vetes as edhe abuzimin më të vogël. “Le të shprehim ne, mirënjohjen më të thellë qeverive të vendeve anëtare të zonës së ‘Schengen’-it, për vendimin e tyre fisnik, për vendimin e tyre jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe ti garantojmë se në mënyrë absolute, qeveria do të jetë totalisht e hapur me secilin e prej tyre për bashkëpunimin më të ngushtë në mënyrë që as edhe një pasojë e vetme as edhe një rast i vetëm të mos mund të abuzojë me këtë vendim. Hapën dyert e shtëpive të tyre për ne. Na takon ne të gjithë shqiptarëve që të qëndrojmë në lartësinë e moralit tonë, e përgjegjësisë sonë për të shmangur çdo lloj abuzimi”, u shpreh kryeministri i vendit Sali Berisha.
Nesër hyn në fuqi vendimi i bllokut 27-anëtarësh të BE-së, për lëvizjen pa viza në zonën “Schengen”, të të gjithë qytetarëve shqiptarë.