Ambasada e SHBA: S’ofruam ekspertizë për videon
Tiranë- Debati i nisur pak kohë më parë mbi autenticitetin e video-përgjimit Meta-Prifti, dhe kërkesa e Prokurorisë shqiptare për ndihmë nga ekspertë amerikanë, është pasuar dje nga një reagim i Ambasadës Amerikane në Tiranë. Zëdhënësi i përfaqësisë diplomatike tha për gazetën “MAPO”, se kjo është një çështje i përket sistemit gjyqësor shqiptar, duke pohuar kështu se nuk është ofruar ekspertizë teknike nga Ambasada Amerikane. Sipas zëdhënësit, kjo përgjigje nënkupton se ambasada nuk është përfshirë në këtë çështje, pavarësisht kërkesës së Prokurorisë shqiptare për asistencë teknike mbi ekspertimin e videos. Vetëm pak ditë pasi ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, depozitoi videon e plotë në Prokurorinë e Tiranës, burime zyrtare pranë organit qendror të akuzës thanë se është kërkuar ndihma e Ambasadës Amerikane për asistencë teknike. Arsyet përse Prokuroria bëri këtë kërkesë, kishin të bënin e mungesën e një strukture të posaçme për të kryer një ekspertizë të tillë, çka do të orientonte akuzën drejt pajtimit të ekspertëve privatë. Por edhe kjo zgjidhje, sipas Prokurorisë linte vend për abuzime, pasi pagesat që ofron Prokuroria për shërbime të tilla janë minimale, në raport me shifrat hipotetike që mund të ofrohen për manipulimin e kësaj videoje. Kur ka kaluar rreth një muaj nga kjo kërkesë, që ka marrë përgjigje negative nga Ambasada Amerikane, Prokuroria e Përgjithshme nuk jep asnjë koment mbi rezultatin e ekspertëve të pajtuar për caktimin e vërtetësisë ose jo të video-përgjimit që ish-ministri i Ekonomisë bëri në zyrën e tij, gjatë një bisede me Ilir Metën, asokohe ministër i Jashtëm. Burime zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme thanë se rezultatet e ekspertëve për këtë çështje, do të mbahen sekret për sa kohë çështja është nën hetim.