Sherri në bilardo, theret me thikë 26-vjeçari
Pogradec- Një 26-vjeçar theret me thikë në një bilardo, ndërsa autori përfundon në pranga. Teksa krimet e rënda dukej se ishin “harruar” në juglindje, prej të paktën disa javësh, një fshat i vogël në rrethin e Pogradecit është kthyer në vëmendjen e policisë liqenore. Një grindje banale mes dy të rinjve ka përfunduar në një debat nga i cili ka mbetur i vdekur njëri prej tyre. Duke iu referuar të dhënave zyrtare të policisë lokale, mësohet se viktima është identifikuar si shtetasi Sulo Oparaku, 26 vjeç, banues në Tiranë, por ish-banor i Memëlishtit në Pogradec. I riu, i cili ishte i dënuar më parë nga drejtësia shqiptare për veprën penale “trafikim të qenieve njerëzore”, kishte ardhur në fshatin Selcë e Sipërme në komunën Proptisht në Pogradec, te disa të afërmit të tij për disa ditë. Por viktima nuk ka menduar se kjo vizitë do t’i sillte fundin tragjik. Oparaku ka qenë në një bilardo të fshatit Selcë e Sipërme, në praninë dhe të shumë të rinjve të tjerë që kalonin kohën e lirë aty. Ai është konfliktuar me 20-vjeçarin Mentor Xhyra, banor i Selcës së Sipërme, gjatë momentit kur ka fituar një lojë në bilardo. Duke iu referuar të dhënave zyrtare, konflikti i tyre i lindur në bilardo ka qenë për motive krejt banale. Krimi ka ndodhur pikërisht në bilardo, ndërsa, pavarësisht pranisë së disa të rinjve të fshatit, nuk është bërë e dot e mundur parandalimi i tragjedisë.
Xhyra ka shkëmbyer fjalë me viktimën, ndërsa më pas ka përdorur një thikë, të cilën e mbante me vete, kundër 26-vjeçarit. Në fakt, goditja e saj ka qenë vdekjeprurëse, ndërsa i plagosuri është nisur me urgjencë drejt spitalit të Pogradecit. Sipas të njëjtave burime, 26-vjeçari ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spital, si pasojë e gjakderdhjes së shumtë. Policia e Pogradecit, e cila ka marrë njoftimin për ngjarjen, ka mbërritur në fshatin ku ka ndodhur vrasja. Menjëherë është identifikuar autori i saj, nga dëshmi të mara në vendin e krimit. Teksa identifikimi i 20-vjeçarit nuk ka qenë aspak i vështirë për policinë, kërkimi për të ka nevojitur disa orë kohë. Mentor Xhyra ka lënë fshatin e tij dhe ka tentuar të afrohej pranë qytetit të Pogradecit, ku shihte mundësinë e një strehimi të mundshëm te disa të afërm të vet. Rreth orës 01.00 pas mesnatës të të martës është bërë i mundur arrestimi i autorit të këtij krimi. Xhyra akuzohet për veprën penale “Vrasje me dashje”, ndërkohë që shkaku i këtij krimi të përgjakshëm ka qenë një sherr për motive banale, që ka lindur në bilardon e fshatit të largët malor të komunës Proptisht në rrethin e Pogradecit, mes viktimës dhe autorit. Vetëm pas më shumë se 4 orë kërkimesh uniformat blu kanë bërë të mundur prangosjen e autorit, i cili ishte i traumatizuar dhe nuk e besonte se i kishte shkaktuar vdekjen një të riu. Pas arrestimit, Xhyra është marrë në pyetje teksa ka pranuar të ketë qëlluar me thikë në gjaknxehtësi e sipër. Ai ka rrëfyer disa momente të ngjarjes dramatike, e cila i ka kushtuar jetën shtetasit Sulo Oparaku. Policia e Pogradecit vazhdon hetimet për të zbardhur në detaje ngjarjen, ndërsa dosja pas ndalimit i ka kaluar organit të akuzës në këtë qytet.