Ambasada e SHBA-së: Të mos kërcënohet prokuroria
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë nuk ka zgjedhur të heshtë as në debatin e fundit që ka lindur mes disa ministrive dhe prokurorisë. Përkundrazi, kjo ambasadë ka shprehur shqetësimin e saj për këtë debat, duke mbajtur anën e prokurorisë në këtë rast dhe duke kërkuar nga ana e institucioneve të tjera që të mos bëjnë kërcënime që prekin pavarësinë e organit të akuzës. Në njoftimin e djeshëm për shtyp të kësaj ambasade thuhej: “Ne jemi shumë të shqetësuar nga veprimet e fundit të ministrit të Drejtësisë dhe ministrit të Brendshëm për të ndërhyrë në pavarësinë e prokurorisë gjatë një hetimi në vazhdim. Të gjitha çështjet duhet të hetohen në mënyrë të plotë, tërësore dhe të pavarur, pa kurrfarë ndërhyrjeje apo kërcënimesh nga jashtë ndaj prokurorëve”, - thuhet në reagimin e ambasadës amerikane. Më tej, kjo ambasadë theksonte dhe një herë parimin e mbrojtur fort prej saj në mënyrë publike që ka të bëjë me pavarësinë institucionale. “Respektimi i të gjitha institucioneve të pavarura është me rëndësi thelbësore për një demokraci të shëndetshme”, - shkruhet në njoftimin e bërë nga zëdhënësi i ambasadës amerikane, Bix Aliu. Megjithëse i shkurtër dhe pa u futur në detaje, përfaqësuesi diplomatik i SHBA-së në Tiranë e ka dhënë mesazhin lidhur me debatin e fundit, ashtu siç ka reaguar dhe për çështje të tjera, ku kryesisht është përfshirë dhe prokuroria. Ky reagim erdhi pas përplasjeve mes prokurorisë dhe Ministrisë së Drejtësisë disa ditë më parë kur dy inspektorë të ministrisë kërkuan të marrin në prokurori dosjen “Fazlliç”, por morën refuzimin e prokurorisë. Ndërkohë, në deklaratën e djeshme, Ministria e Drejtësisë reagoi duke sqaruar se inspektorët nuk synonin kontrollin e dosjes së Damir Fazlliçit, por procedurat e regjistrimit të veprave penale që përfshin periudhën nga 1 shtatori deri në 10 tetor. Por sipas Alibeajt, prokuroria e Tiranës, me pretendimin se ka kaluar orari zyrtar, ka penguar ushtrimin e kontrollit nga ana e inspektorëve të Ministrisë së Drejtësisë. Ambasada amerikane i referohet nga ana tjetër dhe deklaratës së Ministrisë së Brendshme dy ditë më parë. Kjo ministri ka kërkuar ndjekje penale për dy prokurorët që kërkuan nëpërmjet telefonit ndalimin në aeroport të biznesmenit serbo-boshnjak. Një veprim i tillë, sipas kësaj ministrie, është joligjor, në kundërshtim të plotë me Kushtetutën, Kodin e Procedurës Penale dhe ligjit për të huajt.